Takimi zyrtar mes ministrit të Jashtëm të Maqedonisë, Nikola Poposki dhe ministrit të Mbrojtjes së Shqipërisë, Arben Imami, i zhvilluar dy ditë më parë (20 janar 2012) në Shkup, mund të quhet një skandal i vërtetë diplomatik mes dy vendeve.
Ashtu siç tregojnë edhe pamjet e siguruara ekskluzivisht nga agjencia e lajmeve “LajmeShqip.com”, në tryezën e takimit dhe në zyrën e shefit të diplomacisë maqedonase, mungon simboli kombëtar shqiptar, flamuri kuqezi, i cili si çdo takim protokollar mes dy delegacionesh duhet të jetë i pranishëm gjatë bisedimeve mes delegacioneve.
Jo vetëm kaq. Zyra e ministrit Poposki është e pajisur më së miri me flamurin e madh të Maqedonisë dhe atë të Bashkimit Europian, por vetëm kaq. Asnjë gjurmë e simbolit shqiptarë, flamurit kuqezi, i cili nuk është vështirë të gjendet në Maqedoni, vend në të cilin ky simbol përfaqëson gjysmën e mos më tepër të popullisë së shtetit të Maqedonisë.
Veç kësaj, edhe vetë takimi zyrtar është zhvilluar në kushte thuajse poshtëruese për delegacionin shqiptar me në krye ministrin e Mbrojtjes, Arben Imami, i cili pasi e ka pritur në këmbë shefin e diplomacisë maqedonase për disa minuta (ndërsa duhet të ishte e kundërta) është rreshtuar në tryezën e bisedimeve njësoj sikur të ishte një vartës i shefit të diplomacisë maqedonase Nikola Poposki.
Ironia e gjithë këtij skandali shtohet edhe më tepër kur mendon se ministri i Mbrojtes Arben Imami, ndodhej në Shkup për të garantuar mbështetjen e Tiranës zyrtare për anëtarësimin e Maqedonisë në NATO, proces i cili mbahet peng nga vendi fqinj, Greqia.
Në të njëjtën ditë, ministri Arben Imami është takuar edhe me homologun e tij në qeverinë e Maqedonisë, Fatmir Besimi. Në këtë takim ministri shqiptar i Maqedonisë e respekton pikë për pikë protokollin zyrtar ku në tryezën e vogël shihen mjaft qartë dy flamuj të vegjël, ai kuqezi dhe ai maqedonas.