Lëvizja Vetëvendosje po zhvillin sot protestën e dytë në dy pikat kufitare me Serbinë, në Merdare dhe te Dheu i Bardhë, edhe pse Kuvendi i Kosovës votoi të premten mocionin që rrëzon atë të 7 dhjetorit për reciprocitet me Serbinë dhe mbështet marrëveshjet e arritura me Beogradin në kuadër të dialogut.
Lëvizja Vetëvendosje këmbëngul në masat e reciprocitetit ndaj Serbisë, duke bllokuar të gjitha mallrat serbe që hyjnë në Kosovë. Një masë e tillë reciprociteti qe vendosur nga vetë qeveria në muajin korrik, për t’u hequr në vjeshtë, pas marrëveshjeve të arritura në Bruksel.
Që në nisje të protestës (ora 13:00) aktivistët e Lëvizjes Vetëvendosje nuk janë lejuar nga ana e Policisë së Kosovës, që të shkojnë deri te pikat kufitare në Merdare dhe te Dheu i Bardhë. Ata kanë qendraur disa km larg këtyre pikave, por ia kanë dalë të mos lejojnë asnjë kamion serb drejt Kosovës,sic raportojnë medait kosovare. Vetë nënkryetari i VV, Shpend Ahmeti tha për News 24 se reciprotiteti është vendosur në këto pika. Ndërsa policia ka njoftuar përmes një komunikate për media, se gjatë ditës së sotme në pikë-kalimin kufitar në Merdarë, kanë kaluar pesë kamionë me mallra të ndryshme, si dhe tre të tjerë kanë kaluar në pikë-kalimin kufitar Dheu i Bardhë, pa përcaktuar se çfarë tabela kishin këto automjete.
Lideri i Vetvendosje Albin Kurti i është bashkuar që në nisje protestës në Podujevë, ndërsa foli për një tubim paqësor që do vazhdojë deri në vendosjen e reciprocitetit. Policia deklaratë: Nuk ka asnjë incident.
POLICIA: NË MERDARË KANË HYRË 5 KAMIONË, 3 TEK DHEU I BARDHË
Ora 16:10- Policia e Kosovës ka përgënjeshtruar deklaratat e përfaqësuesve të Vetëvendosjes se sot në Merdarë nuk ka kaluar asnjë kamion nga Serbia, kurse te Dheu i Bardhë ka hyrë vetëm një maune. Sipas policisë, gjatë ditës se sotme në pikëkalimin kufitare Merdare kanë kaluar pesë kamionë me mallra të ndryshme, si dhe tre kamionë të tjerë kanë kaluar nëpër pikëkalimin kufitar Dheu i Bardhë.
SHPEND AHMETI: ASNJË KAMION SERB NUK KA HYRË NË MERDARË
Ora 15:50- Nënkryetari i Vetëvendosje Shpend Ahmeti në një bisedë telefonike për News 24 deklaron se në Merdarë nuk ka kaluar asnjë kamion me mallra serbe që prej nisjes së protestës, ndërsa shton se protestuesit do qëndrojnë aty derisa qeveria e Kosovës të pranojë reciprocitetin e plotë me Serbinë.
“Në Merdarë janë mbledhur me mijëra qytetarë, më shumë se në protestën e 14 janarit. Jemi 4 km prej kufirit dhe policia nuk na lejon të lëvizin më tej. Mund të them se që me vendosjen tonë këtu kemi pasur reciprocitet të plotë me Serbinë, pasi nuk ka kaluar asnjë kamion. Do qendrojmë këtu derisa qeveria të marrë vendim për reciprocitet të plotë”, tha Ahmeti.
AAK: PROTESTONI TË QETË
Ora 15:30- Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës apelon për protestë të qetë dhe përmbajtje të policisë.“AAK shpreson që protesta, si e drejtë e patjetërsueshme qytetare, të jetë e qetë dhe pa incidente dhe, në të njëjtën kohë, shpreson që sot të mos përsëriten, si në javën e kaluar, skenat e njëjta të dhunës mbi protestuesit, të cilët janë qytetarë të Kosovës. AAK konsideron se vendimet e dala nga institucionet tona duhet të implementohen, po ashtu, nga institucionet e Kosovës dhe brenda tyre, sepse ato janë të obliguara për këtë”, thuhet në komunikatën e AAK’së. Deri në këto momente, AAK është partia e vetme që deklarohet për protestën e sotshme të Lëvizjes Vetëvendosje.
PROTESTA NË MERDARE VËZHGOHET EDHE NGA UILLIAM UOKER
Ora 15:20- Vazhdon e qetë protesta në Merdare. Si vëzhgues në këtë protestë përveç zyrtarëve të KMDLNJ-së, është parë të jetë edhe diplomati amerikan Uilliam Uoker. Protestuesit janë në pikën e njëjtë dhe po qëndrojnë përballë policisë. Ata nuk kanë tentuar të ecin përpara. Ne mesin e protestuesve janë edhe Albin Kurti, Shpend Ahmeti.
POLICIA: ASNJË INCIDENT
Ora: 15:00 – Policia e Kosovës ka njoftuar se deri tani nuk është regjistruar asnjë incident në të dy rrugët magjistralet që çojnë në Merdare dhe te Dheu i Bardhë, në të cilat njëra korsi është bllokuar nga protestuesit e thirrur nga lëvizja Vetëvendosje.
“Deri më tani nga ana e protestuesve është bllokuar njëra korsi e magjistrales dhe mund të themi se situata është e qetë duke mos u evidentuar asnjë incident”, i tha Radios Evropa e Lirë, zëdhënësi i Policisë së Kosovës, Baki Kelani.
Ai tha se varësisht nga ndryshimi i situatës, “Policia e Kosovës veprimet e veta do t’i ndërmarrë sipas procedurave dhe autorizimeve ligjore”.
KURTI: PROTESTA DERI NË RECIPROCITET
Ora: 14:25 – Lideri i Lëvizjes Vetëvendosje deklaroi se pavarësisht akuzave dhe sulmeve të qeverisë, qytetarët erdhën edhe më masivisht në protestën e 22 janarit.“Siç po shihni policia me urdhrin e qeverisë së Kosovës, është ajo që ka bllokuar lirinë e lëvizjes dhe qarkullimin e lirë. Ne jemi kundër Serbisë, jo kundër Policisë së Kosovës. Ne jemi në mbrojtje të Republikës dhe prodhimit vendor”, – tha Kurti.
I pyetur në lidhje me afatin e protestës, Albin Kurti tha se “reciprociteti nuk ka afat”. “Ne do të vazhdojmë të qëndrojmë këtu, të bëjmë trysni për tu bllokuar mallrat serbe për të hyrë në Kosovë”, – deklaroi Kurti
“Policia, tashmë na ka penguar në marshin tonë. Qëllimi ynë nuk është t’i bllokojmë qytetarët, por të bllokojmë Serbinë. Ne do të qëndrojmë këtu për t’i bërë trysni qeverisë për reciprocitet me Serbinë. Për momentin reciprocitet ka, pasi që prej fillimit të protestës nuk ka kaluar asnjë maune nga Serbia për në Kosovë, që do të thotë se protesta e vendosi reciprocitetin”, – theksoi Kurti.
1000 PROTESTUES TE DHEU I BARDHË
Ora: 13:50 – Rreth 10 autobusë që kanë sjellë protestuesit nga vende të ndryshme të Kosovës, janë ndaluar nga policia në udhëkryqin që çon në drejtim të Kamenicës, ndërsa protestuesit janë nisur në këmbë drejt kufirit Kosovë-Serbi, te Dheu i Bardhë.
Rruga nga pika ku janë ndalur autobusët, e deri te vendi ku janë grumbulluar herën e fundit protestuesit është rreth 2-3 kilometra. Sipas mediave në Kosovë, numri i protestuesve tashmë ka arritur në rreth 1000 persona dhe vijon të shtohet.
GRUMBULLOHEN PROTESTUESIT NË MERDARË
Ora: 13:15 – Protestuesit e Vetëvendosjes vijojnë të grumbullohen në të dy pikat kufitare, Merdarë dhe te Dheu i Bardhë. Siç raportojnë mediat kosovare, në rrugën Prishtinë-Podujevë tashmë ka shumë pika të kontrollit të Policisë, ku po kontrollohen pothuajse të gjitha makinat që përshkojnë këtë rrugë.
Mësohet se protestuesit kanë dalë në numër më të madh se herën e kaluar dhe aktualisht numërohen rreth 500. Ata janë grumbulluar mbi dhe nën urën në hyrje të fshatit Shtedim, Podujevë, duke brohoritur herë pas here “UÇK, UÇK” dhe “Vetëvendosje, Vetëvendosje”.
Policia është e vendosur në një distancë rreth 15 metra larg protestuesve, duke qëndruar në gjendje gatishmërie.
Rreth orës 12:00 nga selia e Lëvizjes Vetëvendosje ka dalë lideri i saj, Albin Kurti. Ai ishte i shoqëruar nga nënkryetari Shpend Ahmeti, deputeti Florin Krasniqi dhe aktivistë tjerë të kësaj lëvizjeje me të cilët është nisur për në Merdare.
AKTIVISTËT NGA TIRANA BLLOKOHEN NË VERMICË
Ora: 13:05 – Aktivistët e nisur nga Tirana në mbështetje të aksionit të lëvizjes Vetëvendosje vijojnë të jenë të bllokuar në Vermicë, pasi autoritetet kufitare nuk kanë lejuar kalimin e autobusëve të tyre.
Sipas aktivistëve, ata janë bllokuar në tokën neutrale, në Vermicë, pasi nuk lejohen të vijojnë as udhëtimin në këmbë. Ata shprehen të vendosur se do të vazhdojnë të presin derisa të lejohet kalimi i tyre drejt pikës kufitare të Merdarës, ku do t’i bashkohen mbështetësve të Vetëvendosjes.
Disa aktivistë shqiptarë tentuan të kalojnë në këmbë kufirin me Kosovën por u ndaluan nga policët kosovarë, të cilat janë të shumtë edhe në kufirin me vendin tonë.
Aktivistët Elvis Hoxha, Admir Harkulla, Gentian Sala, Bioken Abazi, Taulant Capa, Marsela Hoxhaj dhe Keidio Hoxha u ndaluan për rreth 30 minuta dhe tashmë vijojnë të qëndrojnë në tokën neutrale së bashku me mbështetësit e tjerë që u nisën nga Tirana në orët e para të mëngjesit.
AKTIVISTËT NGA TIRANA BLLOKOHEN NË KUFI
Ora: 12:50 – Aktivistët shqiptarë që janë drejtuar drejt Kosovës, në mbështetje të protestës së paralajmëruar të lëvizjes Vetëvendosje, janë përballur sërish me probleme në pikën kufitare të Morinës.
Aktivistët pretendojnë se autoritetet kufitare po vonojnë qëllimisht procedurat për të mos lejuar mbërritjen e tyre në kohë në protestën e paralajmëruar.
Sipas tyre, autoritetet kanë nxjerrë pretendimin se shoferi i autobusit nuk ka certifikatë mjekësore, ndësa ky i fundit është pajisur me lejen e drejtimit prej 2 muajsh, dhe domosdoshmërisht e ka bërë kontrollin mjekësor.
Njëri prej organizatorëve, Genti Sala bën të ditur se në kufi ka më tepër policë se në protestën e 14 janarit, ndërkohë që aktivistët janë kthyer sërish në tokën shqiptare.
“Këta e kanë mendjen që Serbinë ta lejojnë dhe Shqipërinë ta ndalojnë”- deklaroi Sala, duke theksuar se mbështetësit e Vetëvendosje-s janë të vendosur të presin.
POLICIA UDHEZON GAZETARET
Ora: 12:40 – Policia e Kosovës, nëpërmjet një komunikate- raport informoi të dielën përfaqësuesit e medieve si të sillen dhe si të veprojnë në protestën e sotme të Vetëvndosjes.
Në këtë “raport informues” të policisë thuhet, se “Policia e Kosovës i mundëson opinionit publik që të ketë qasje në informacione dhe të dhëna mbi veprimtarinë e PK-së, dhe të drejtën e mediave për të raportuar në lidhje me çështjet që kanë të bëjnë drejtpërdrejtë me opinionin si dhe publikimin e informatave, deri në kufijtë ku nuk cenohet e drejta e individit, nuk pengohet ndjekja dhe hetimi i kryerësit të veprës inkriminuese ose nuk ndërhyn në procesin e zbatimi të ligjit”.
Ky raport synon ti shërbejë sigurisë tuaj, si dhe të shmang incidentet, rastet e mundshme, dhe pengimeve në kryerje të detyrave të ndërsjella, citon raporti.
VETEVENDOSJE 10 PYETJE PER THACIN
Sipas liderit të Vetëvendosje-s Albin Kurti, me ndërhyrjen e policisë në protestat e 14 janarit, iu hap rruga Serbisë ekonomikisht, ndërsa me mocionin e 20 janarit, iu hap edhe rruga politike.
Kurti ka folur edhe për dy takime të fshehta që sipas tij kryeministri Thaçi ka pasur me presidentin serb, Boris Tadiç, për të cilin ka parashtruar dhjetë pyetje, transmeton Radio Europa e Lire.
1. Ku dhe kur është marrë vendimi që Thaçi të takohet me Tadiçin?
2. Ku dhe kur saktësisht është takuar me kryetarin e Serbisë, Tadiç?
3. Kush tjetër ka marrë pjesë në këto takime, për çfarë kanë biseduar, çfarë i ka thënë Thaçi Tadiçit dhe çfarë Tadiçi Thaçit?
4. Me iniciativën dhe ndërmjetësimin e kujt janë zhvilluar secili prej këtyre dy takimeve?
5. Cilat ishin konkluzionet e takimeve?
6. Çka ka përfituar Kosova nga këto takime?
7. Çka ka përfituar Thaçi nga këto takime?
8. A ekziston transkripti dhe procesverbali i takimeve dhe nëse po, kush e ka?
9. Kë e ka informuar dhe kujt i ka raportuar Thaçi për këto takime?
10. A e kanë ditur kabineti qeveritar, presidenti dhe partia e tij, PDK, për këto takime?
POLICIA- PROTESTUESVE: MOS BLLOKONI RRUGËT
Policia e Kosovës, përmes një njoftimi për media, zbuloi planin operativ për 22 janarin, në të cilin u bëhet thirrje protestuesve që të mos bllokojnë rrugët dhe qarkullimin e lirë të mallrave dhe njerëzve përgjatë rrugëve nga vendkalimi kufitar Merdare për në Prishtinë e tutje, si dhe nga vendkalimi kufitar Dheu i Bardhë për në Gjilan. Policia e Kosovës bëri të ditur se do “të ndërmarrë të gjitha veprimet konform Kushtetutës së Kosovës, ligjeve në fuqi dhe planit të hartuar, për të garantuar rendin dhe qetësinë publike, lëvizjen e lirë të të gjithë qytetarëve, si dhe mallrave përmes vendkalimit kufitar Merdare dhe Dheu i Bardhë dhe në tërë territorin e Republikës së Kosovës”.
Policia e Kosovës iu bën thirrje të gjithë qytetarëve, që ”t’u shmangen të gjitha veprimeve të kundërligjshme dhe të mos bien pre e provokimeve”.
JAHJAGA PËRPJEKJE PËR TË PARANDALUAR PROTESTAT
Presidentja e Kosovës Atifete Jahjaga zhvilloi takime me krerët e partive politike parlamentare, nga të cilët ka kërkuar që të gjejnë zgjidhje brenda institucioneve dhe përmes dialogut. Një ditë më parë ajo u takua me kryeministrin Hashim Thaçi, që është edhe kryetar i Partisë Demokratike të Kosovës, kreun e Lidhjes Demokratike të Kosovës, Isa Mustafa dhe nënkryetarin e Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Blerim Shala.
Më pas Jahjaga ka zhvilluar takime me kreun e Vetëvendosjes, Albin Kurtin, dhe atë të Aleancës Kosova e re, Behxhet Pacollin.
Në takime të veçanta, sipas njoftimit për media, presidentja Jahjaga ka bashkëbiseduar me subjektet politike për çështjet në interes të vendit, me theks të posaçëm për zhvillimet aktuale politike në Kosovë.
Presidentja Jahjaga citohet të ketë thënë se “debati dhe procesi i vendimmarrjes duhet të zhvillohet në institucione të Kosovës dhe aty të kontribuohet në hartimin, harmonizimin dhe zbatimin e politikave”.