Home Kosova Kosova edhe një javë pa President

Kosova edhe një javë pa President

639
0

Partitë politike të Kosovës do të mblidhen javën e ardhshme për të diskutuar rreth mundësisë së gjetjes së një konsensusi për zgjedhjen e presidentit të vendit.

Kështu ka bërë të ditur ushtruesi i detyrës së presidentit të vendit, Jakup Krasniqi, i cili pas mbledhje së Kryesisë së Kuvendit është shprehur skeptik se gjatë javës së ardhshme mund të zgjidhet presidenti i vendit.

“Tani për tani nga materiali dhe nga gjendja që është nuk mund të flasim për mbajtjen e një seance (javën e ardhshme) për zgjedhjen e presidentit”, ka thënë Krasniqi.

Megjithatë ai ka thënë se do të ketë rregullisht takime me partitë politike për të gjetur një zgjidhje për çështjen e presidentit.

“Këto biseda janë konsultative për të parë qëndrimet e partive politike. Ne do të vazhdojmë edhe pasdite me këto takime dhe pastaj varësisht si do të zhvillohen zhvillimet politike gjatë kësaj jave ne mendojmë që javën e ardhshme të kemi një takim të përbashkët të subjekteve politike që janë pjesë e kuvendit”, është shprehur presidenti në detyrë, Krasniqi.

Ushtruesi i detyrës së presidentit ka komentuar edhe takimet e liderëve të partive politike me ambasadorin e Shteteve të Bashkuara të Amerikës në Kosovë, Christopher Dell.

“Kjo do të thotë që partitë politike janë të gatshme të bisedojnë edhe me prezencën e faktorit ndërkombëtar për të arritur një konsensus. Mendoj që e rëndësishme është që të arrihet një marrëveshje politike për të dalë nga situata në të cilën jemi”, ka thënë Krasniqi.

Që nga vendimi i Gjykatës Kushtetuese ,drejtuesit e partive politike janë duke u “këshilluar” me ambasadorin amerikan, Dell, dhe gjithashtu janë duke u takuar me presidentin në detyrë, Jakup Krasniqi. I pyetur për këtë fakt, presidenti në detyrë ka thënë se “dy proceset janë të rëndësishme”.

Këto komente Krasniqi i ka bërë pas mbledhjes së Kryesisë së Kuvendit, ku janë diskutuar një sërë pikash, ndërsa nuk është caktuar data e mbajtjes së mbledhjes së ardhshme të legjislativit.

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here