Home Armand Shkullaku Sjellja e çuditshme e kryeministrit në pritje

Sjellja e çuditshme e kryeministrit në pritje

975
1

Ndonëse ka fituar me rezultat të thellë dhe ka gjithë kohën e nevojshme për të përgatitur marrjen në dorë të qeverisë së re, Edi Rama po manifeston një sjellje të çuditshme. Duket sikur nxiton, sikur ka nevojë të prodhojë konflikt, sikur fitorja nuk i mjafton. Disa veprime të tij të fundit janë unikale dhe po krijojnë pështjellim tek qytetarët, pa patur asnjë arsye objektive dhe të qëndrueshme për këtë.

Në radhë të parë Rama po ruan një kontinuitet absurd të të sjellurit si opozitë. Në një moment kur vëmendja e opinionit është përqendruar tek lëvizjet e para që do të bëjë qeveria e re, tek angazhimet e saj publike, tek emrat që do të përbëjnë kabinetin e ri, tek roli dhe pesha e LSI në kabinetin qeveritar, Rama dhe ekipi i tij vazhdojnë të kenë në qendër të sjelljes së tyre politike Sali Berishën. Gjithë aktiviteti politik i mazhorancës së re po shpaloset në akuzat: Berisha po sillet si kryeministër ndonëse ka humbur, po boshatis arkën e shtetit, po rrit shpenzimet, nuk po arkëton, po merr vendime me pasoja për qeverisjen e ardhshme, etj. Madje vetë kryetari socialist, mbledhjen e parë të grupit të ri parlamentar e nisi si dikur, me sulme për Berishën që po shpërdoron paratë e shqiptarëve dhe e vazhdoi me një varg akuzash për funksionarë të tjerë të shtetit.

Fituesi i 23 qershorit mbajti një fjalim të moderuar menjëherë pas zgjedhjeve dhe madje falenderoi edhe kundërshtarin, por vetëm disa ditë më pas iu rikthye refrenit të 8 viteve opozitë. Akuzat e Edi Ramës mund të jenë edhe të vërteta, por në momentin e ndërrimit të pushtetit qytetarët kanë nevojë për mesazhe shprese, qetësie dhe sigurie për atë që do të vijë më pas. Kushtetuta e Shqipërisë e ka të qartë si bëhet kalimi i pushtetit, deri kur zgjat mandati i një qeverie dhe nuk ka kufizime për veprimtarinë e saj. Rama sigurisht që e di këtë dhe furtuna që kërkon të ngrejë në një gotë uji duket pa kuptim. Nëse ka vendime abuzuese të qeverisë ekzistuese, mazhoranca e re i ka të gjitha mundësitë t’i anulojë ato nesër dhe nëse ka shkelje, ajo mund të paralajmërojë se shkelësit do të dalin para ligjit. Atëherë, përse duhet që në kohën kur qytetarët janë të fokusuar të dinë mbi qeverisjen e re, të dëgjojnë avazin e vjetër për qeverinë që po ikën? Pse e kanë të nevojshme Edi Rama dhe të tijtë që çdo ditë, në çdo dalje të merren me denoncime publike dhe jo me punët që priten prej tyre?

Të merresh me Sali Berishën edhe pas fitores, sigurisht që duhet të kesh një hall. Edi Rama, me shumë gjasë, e ka të vështirë të artikulojë e aq më shumë të prodhojë politikë konstruktive. E ka provuar njëherë në vitin 2009 dhe dështoi. Konflikti, tensioni, radikalizmi dhe qasja ndaj kundërshtarit si ndaj një armiku, ishin mënyra e tij e vetme për të garantuar lidershipin në Partinë Socialiste. Sikur të mos ishte Sali Berisha, opozita e Ramës nuk do të kishte ndonjë koncept tjetër politik. Dhe tani që Berisha iku, përsëri Edi Rama nuk di të merret me punët e veta. Nuk di të prodhojë politikën e vet nëse nuk ka Berishën si pikë referimi. Në këtë sjellje të çuditshme të kryetarit të mazhorancës së re, mund të ketë edhe arsye të tjera veç padijes. Ndarja e posteve në qeverinë e re dhe veçanërisht roli që do të ketë LSI në të, janë një kokëçarje e madhe për kryeministrin e ardhshëm. Pakënaqësitë që mund të lindin edhe brenda vetë PS, gjithashtu duhen mbajtur nën kontroll. Dhe po t’u shtosh këtyre disa premtime të forta që qeveria e re duhet t’i realizojë që në fillim të mandatit të saj, ngarkesa bëhet tepër e madhe dhe Rama nuk di ku ta shkarkojë tjetër veç atje ku është mësuar këto 8 vjet: në kurriz të Berishës. Me rrezikun e Berishës ai beson përsëri, gati instiktivisht, se do t’i zgjidhë problemet që ka përpara.

Edhe shpikjet që ka bërë këto ditë, duke ngritur një zyrë kryeministrore dhe një zyrë punësimi shtetërore brenda selisë së një partie politike, janë unikale dhe shprehje e një sjelljeje të çorientuar. Një nxitim i pashpjegueshëm dhe disa veprime të rralla që reflektojnë papjekuri politike. Duket sikur Edi Rama druhet mos ia anulojnë fitoren, e prandaj shpallet kryeministër në zyrat e PS dhe përzgjedh administratën në oborrin e saj. Kushtetuta është e qartë përsëri. Zgjedhësit në Shqipëri përcaktojnë forcën politike fituese, presidenti dekreton kryeministrin sipas propozimit të kësaj force, dhe është Parlamenti ai që e zgjedh me votë kryeministrin e ri. Kryeministri nuk zgjidhet nga populli, por nga Parlamenti. Po sikur Ilir Metës t’i ndërronte mendja dhe ditën e votimit të mos ia jepte votat Ramës për kryeministër, çfarë tabele do të vinte ky i fundit në selinë e PS? Kryeministri i zgjedhur, por i pavotuar?

Këto veprime ngjajnë të pakuptimta ndërkohë që mazhoranca e re ka një fitore të qartë. Pritja e qetë dymujore, pa prodhuar konflikt të panevojshëm dhe pa bërë gafa si kjo e kryeministrit të zgjedhur, apo e aplikimit për punë shtetërore në faqen zyrtare të PS, do të ishte normaliteti që duhej të pasonte 23 qershorin. Por mesa duket, ankthi për punët që e presin dhe telashet për krijimin e qeverisë së re, janë një peshë e madhe për Edi Ramën, që shpëtimin kërkon ta gjejë përsëri tek sulmet ndaj Berishës dhe shpikjet artistiko- politike me tabela. Është koha të merret me punët që e presin si kryeministër i Shqipërisë, koha e bojërave dhe e lojërave ka mbaruar.

1 COMMENT

  1. Shpesh te kemi ndjekur ne opinione nepermjet ekranit dhe gjendesh nje person qe mbeshtet shume politiken e Berishes, packa se ajo nuk ka fare lidhje me ate qe kerkohet ne nje vend demokratik, hallin si e ke e di vetem ti!!!!!!!!!!!!!!!!??????????????? Dhe qe aq sa shume merakosesh per Berishen, po aq shume injoron sjelljen ne politike te Edi Rames, aq sa nuk i thua dot as emrin, por me ironi "fituesi i 23 qershorit",prap hallin si e ke e di vetem ti!!!!!!!!!????????? Por, kur na qenke kaq "koke e madhe", pse nuk e merr njehere sfiden t'i dallesh per zot shqiptareve, e te shohim sa i zoti je?

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here