Ku gjendet zona në të cilën po bëhen ose do të bëhen kërkime për naftë dhe gaz të Greqisë në Jon? A po bëhet kërkimi në një zonë që edhe sipas përfytyrimit shqiptar, edhe të atij grek, para nënshkrimit të Marrëveshjes së detit midis dy vendeve, është brenda sipërfaqes ujore që konsiderohej si territor grek? Apo është brenda pjesës së kontestuar prej ekspertëve shqiptarë që imponuan dhe Gjykatën Kushtetuese ta rrëzonte atë marrëveshje? Kjo është një pikëpyetje që po më mundon, ndërsa nuk po marr përgjigje kompetente nga askush. Gazetarët vendas që kanë raportuar për tenderin grek për kërkime, kanë bërë përpjekje të ndrojtura për ta identifikuar zonën në fjalë, por dinamika e lajmit të ditës i ka lënë në mes këto përpjekje. Dikush prej tyre ka thënë se hëpërhë nuk do të kërkohet në atë pjesë, e cila, sipas së ashtuquajturës “Marrëveshje për detin”, duhet t’i takonte Greqisë, sepse Marrëveshja është shpallur si antikushtetuese prej Gjykatës. Por, ky sqarim nuk ka asnjë burim, as palën greke, as palën shqiptare. Për pasojë, pikëpyetja ime dhe e atyre që e kuptojnë atdheun, patriotizmin, interesin kombëtar të lidhur dhe me territorin ku bëhen kërkime për naftën, mbetet dhe fuqizohet. Mund të jetë paranojë, por më mirë të marrë përgjigje sot, sesa nesër, kur mund të jetë vonë. Kjo pikëpyetje m’u aktualizua më fuqishëm ndërsa shihja segmente apo institucione politike tek përqendroheshin në festimin e ditëlindjes së Skënderbeut, si fillim i përkujtimit të 100-vjetorit të shtetit shqiptar. S’di pse, por në një koincidencë si kjo, vendosa të shihja një libër mbi marrëdhëniet shqiptaro-greke. Është libri i gazetarit Robert Goro, “Ditari i krizave”, që trajton në mënyrë kronologjike problematikën e këtyre marrëdhënieve gjatë viteve ‘93-‘96. Dhe në datën 14 gusht 1994 kemi një prononcim të zëdhënësit të Ministrisë së Jashtme greke, i cili nuk konteston angazhimin që pala shqiptare i kishte besuar një konsorciumi amerikan që bënte kërkime për naftë. Pesë milje larg Erikusës, siç njofton gazeta “Apojegmatini”. Ai thjesht nënvizon se duhet një marrëveshje greko-shqiptare sipas parimeve të së drejtës ndërkombëtare, respektuar në dy marrëveshjet: midis Greqisë e Italisë dhe Italisë e Shqipërisë.
Pra kemi kaluar nga një situatë kur në vitin 1994 ishte pala shqiptare që bënte kërkime për naftë në Jon, sot në situatën kur është pala greke që po bën kërkime në atë det. Sot nuk dimë se cilave zona u referohen kërkimet e palës greke, por afërmendsh që bëhet fjalë për vendburime të të njëjtit brez apo shtresë e nëntokës, të cilat nuk ndahen me thikë se kujt shtet i përkasin.
Për këtë çështje, të përkatësisë së zonës ku sot po kërkon pala greke, nuk flet askush. Nuk flet qeveria, nuk flet opozita, e cila nuk diti asnjëherë ta kapitalizonte fitoren e arritur me suksesin e çështjes që ajo vetë ngriti në Gjykatën Kushtetuese me presionin e intelektualëve të pavarur si Myslim Pashaj etj. Opozita nuk foli kurrë për atë çështje, as në fushatë, as në ndonjë rast tjetër, me përjashtim të reagimeve mbrojtëse kur sulmohet se bën politikë antikombëtare duke kontestuar Rrugën e Kombit. Nuk kemi ndonjë prononcim as të vetë zotit Myslim Pashaj, një figurë e ndritur e patriotizmit modern shqiptar, i cili ka zënë vend sot në lëvizjen “Aleanca Kuq e Zi”. Pra s’kemi as reagim të subjektit ku ai bën pjesë. Gazetarët s’kanë mundësi të bëjnë matje.
Në këto kushte ne thjesht mund të sensibilizojmë. Dhe në ndihmë na vijnë disa elemente.
Për të kuptuar se ku gjenden këto zona, pra në cilat paralele, dhe pastaj për të arritur në përfundimin se brenda kujt territori janë bërë dhe do të bëhen kërkime për naftë, po i referohemi së kaluarës. Libri i Goros prapë na jep ndihmë të paçmueshme. Nëse do t’u referohemi termave të përdorur atëherë, apo dhe vitet e fundit kur plasi polemika për Marrëveshjen e detit, duhet të themi se Shqipëria me Greqinë ka pasur kufij shtetërorë. Në tokë dhe në det. Këtë e konfirmon e gjithë korrespondenca shtetërore në prononcimet e vitit 1994 të autoriteteve greke, por edhe të autoriteteve amerikane që u përfshinë në zgjidhjen e krizës mes dy vendeve fqinje. Për t’iu larguar qëndrimeve të palëve në sherr, le t’i referohemi pozicionit amerikan. Në libër gjen prononcime qoftë nga këshilltari i Presidentit Klinton, Riçard Shifter, të cilin ish-presidenti Berisha refuzoi ta priste në takim, qoftë dhe nga vetë Presidenti Klinton në një letër dërguar zotit Berisha në shtator 1994, bërë publike në Greqi në shkurt 1995. Në letrën dërguar Berishës, zoti Klinton përdorte si argument për paqësimin e dy vendeve “gatishmërinë e Greqisë për konfirmimin e kufijve ekzistues”. Afërmendsh që nëse kufijtë ishin të përcaktuar, atëherë dhe Shelfi Kontinental ishte lehtësisht i përcaktueshëm sipas kufirit ekzistues. Edhe autoritetet greke paraqisnin si hap normalizues mes dy vendeve, marrëveshjen për konfirmimin e kufijve ekzistues. Edhe vetë Traktati i Miqësisë mes dy vendeve, nënshkruar në vitin 1996, i konfirmon kufijtë ekzistues kur saktëson se dy vendet njohin integritetin territorial të njëri-tjetrit. Pra, kufiri ekzistonte, në tokë dhe në ujë.
Këto elemente më bëjnë të insistoj se çështja e zonës ku Greqia do të bëjë kërkime për naftë e gaz duhet sqaruar. Duhet hedhur dritë nga të gjitha palët e interesuara. Opozita duhet ta shndërrojë në një betejë në Parlament, duke i kërkuar sqarime ministrit të Mbrojtjes apo Kryeministrit në lidhje me këtë çështje. Është shumë, shumë e çuditshme të kuptohet se si ndërsa pala shqiptare, e cila kërkonte naftë në këtë pjesë të detit, ka hequr dorë, nga pala greke fillon të kërkojë. Frika se Greqia mund t’i referohet Marrëveshjes famëkeqe të detit, që u hodh poshtë për të përkufizuar territorin e vet ujor, pra edhe për të kërkuar naftë, është reale. Frika se Greqia, brenda të drejtës së vet, do të insistojë që marrëveshja e re me Shqipërinë të reflektojë marrëveshjen e vjetër të hedhur poshtë, është reale. Kush do të reagojë ndaj kësaj përpjekje, që deri diku është legjitime? Cili është grupi negociator i ri përballë palës greke? Frikën për këtë këmbëngulje greke ma përforcon heshtja e opozitës, e opinionit publik që po merret me përkujtimin e Skënderbeut dhe nesër me ndonjë përkujtim tjetër, normalisht në kuadër të 100-vjetorit. A thua do të mund të krijohet i njëjti reagim ndaj një marrëveshjeje të re, që mund të riprodhojë Marrëveshjen e vjetër? Po sikur pala greke t’i referohet në kërkimet e veta për naftë Marrëveshjes së vjetër, kush do të reagojë? A ka fuqi reagimi një qeveri në vitin e fundit të mandatit politik dhe po ashtu një opozitë që don të vijë në pushtet pas 8 vjetëve agjërimi?