Kur kishin kaluar jo më shumë se 3 orë nga fillimi i procesit të numërimit të votave për kreun e Partisë Demokratike, Genc Pollo, ministri në detyrë i Inovacionit poston në facebook urimin për zgjedhjen e Lulzim Bashës si kryetarin e ri të Partisë Demokratike dhe i përcjell urimet.
Në Pallatin e Kongreseve ku është ngritur Komisioni Qendror i Zgjedhjeve për kreun e PD-së ka nisur numërimi i votave që në orët e para të mëngjesit. Për këtë janë ngritur 10 grupe numërimi.
Secili kandidat, si kryetari i Bashkisë Lulzim Basha ashtu dhe ministri i Transporteve në detyrë Sokol Olldashi kanë nga një përfaqësues të tyre, që do të jetë për monitorimin në mënyrë të paanshme të të gjithë procesit të zgjedhjeve për kreun e PD.
ORA 08:00 – POLLO: LULZIM BASHA, KRYETARI I RI I PARTISË DEMOKRATIKE
Ministri i Inovacionit, Genc Pollo ka lajmëruar në Facebook fitoren e Lulzim Bashës si kryetari i ri i Partisë Demokratike. “Urime Lul Bashës, kryetar i porsazgjedhur i Partise Demokratike. Fat të mbarë e sukses të shpejtë!”, thuhet në fjalët e Pollos në faqen e tij zyrtare në Facebook. Ky lajm vjen katër orë pas fillimit të numërimit të votave. Nga burime të PD-së, numërimi i votave ka nisur në orën 04:00 të mëngjesit.
Gazeta Shqiptarja.com (print) shkruan sot se nga Komisioni Qendror i zgjedhjeve brenda PD bëhet e ditur se sot deri në mesditë pritet të dalë rezultati përfundimtar.
Zgjedhjet e djeshme brenda PD janë zhvilluar në një situatë të fortë presioni. Madje duke shkuar deri aty sa mbështetësit e palëve, ku është bërë e mundur, janë përjashtuar nga listat e zgjedhësve, duke mos patur mundësi ushtrimi të së drejtës së votës për të zgjedhur kreun e PD në garën mes Bashës e Olldashit për këtë post. Basha-Olldashi, procesi kompromentuar votimi
Po kështu anëtarët e PD që janë pjesë e administratës publike në nivel qëndror dhe vendor kanë bojkotuar masivisht votimin brenda PD për postin e kryetarit të kësaj partie. Frika për vendin e punës dhe nga ekspozimi ka bërë që të tregohen të pandjeshëm ndaj procesit.