Seanca parlamentare e të premtes për buxhetin 2016 nisi me prezantimin e kryeminsitrit Edi Rama. Referuar akuzave të opozitës për rritjen e borxhit, kryeministri tha se vitin e ardhshëm, borxhi ulet në minimumin e tij historik, 2.2% të Përgjithshëm Kombëtar.
Duke prezantuar buxhetin e vitit të ardhshëm, Rama tha se modeli i maxhorancës stimulon rritjen e ekonomisë. Ai e ka quajtur një propagandë të shfrenuar shpifëse deklaratat e opozitës duke treguar një të pavërtetë për rënien e të ardhurave nga parashikimi dhe borxhin.
“Kjo e propagandës së shfrenuar shpifëse e gënjeshtarëve për tu treguar shqiptarëve një të pavërtetë të madhe se rënia e të ardhurave nga parashikimi, jo nga fakti konkret se të ardhurat janë rritur ndjeshëm dhe këtë vit, sipas kundërshtarëve tanë sepse këto para vidhen, është tërësisht e pavërtetë. Ne s’mund t’ia mohojmë askujt të drejtën që na qepet pas me ulërima duke na u kundërvënë për rënien e borxhit. Pa dyshim nuk mund të prekemi nga të tillë lot krokodili ndërkohë që faktët flasin troç për këdo që ka dëshirën ti dëgjojë. Faktet flasin se borxhi i marrë në këto dy vite është ulur ndjeshëm”, tha Rama.
Ndryshe nga herët e tjera, ai nuk ka prezantuar arritjet e buxhetit, por ka bërë një pasqyrë të të ardhurave të dy viteve. Për kryeminsitrin vetëm në vitin 2014 u mblodhën më shumë të ardhura se në pesë vitet paraardhëse. Ai ka shpjeguar edhe arsyet se pse parashikimi i qeverisë për mbledhjen e të ardhurave këtë vit nuk u realizua
Rama renditi si shkaqe rënien e çmimit të naftës në bursa, përgjysmimi importit të energjisë elektrike, rënia e importit të cigareve dhe rënia e importit të fruta perimeve, si dhe rënia e kursit të këmbimit euro-lek.
“Të ardhurat tatimore mesatare në raporti me Prodhimin e Brendshëm Kombëtar për periudhën 2006-2013 janë 23.3% dhe 23.1% nëse nuk përfshijmë vitin e famshëm 2008, ku u hap dhe gropa e madhe në arkën e shtetit shqiptar me gjithë atë procedurë ende sot për tu gjykuar nga drejtësia që çoi në ndërtimin e rrugës së kombit. Në vitet 2014-2015, të ardhurat tatimore në raport me PBK janë 24 % e këtij prodhimi. Pra, janë në përqindje, dhe besoj është me e rëndësishme për t’iu afruar të vërtetës. Në vitet 2014-2015 të ardhruat shtesë janë 598 milionë dollarë ,në krahasim me 2013, pra më shumë se gjysëm miliardi dollarë. Të ardhurat nga tatimet e doganat 2014-2015 janë 330 mln dollarë më të larta”, bëri të ditur Rama.