Futbolli rrallëherë gënjen, aq më tepër kur hendeku në fushë është i dukshëm. Milani u prezantua në “Juventus Stadium” me 21 pikë më pak se Kampionët e Italisë dhe askush nuk duhet të befasohet që bardhezinjtë fituan 3-1 dhe shkojnë momentalisht 10 pikë larg Romës në tabelën e klasifikimit. Skuadra e Alegrit konfirmohet për të katërtin sezon radhazi më e fortë se kuqezinjtë e Inzagit, i cili nuk mund të jetë kurrsesi i lumtur me ekipin pas disfatës në Torino.
Tevez në fushë – Alegri i beson një fanellë titullari Padoin në krahun e djathtë dhe Moratës përkrah Tevezit në sulm, duke hedhur në fushë rreshtimin 4-3-1-2. Në krahun tjetër, Filipo Inzagi aktivizon Hondën dhe Çerçin nga krahët dhe Menez sulmues të avancuar. Në korsinë e djathtë konfirmohet Zakardo, në të majtin Antoneli (më i miri në fushë). Deficiti i “Djallit” është në mesfushë ku Muntari dhe Esien bëjnë një paraqitje për t’u harruar sa më shpejt. “Zonja” provon që në minutat e para të takimit të imponojë lojën e saj, ndërsa më i rrezikshmi te kuqezinjtë, Menez, është në hije përpara se të zëvendësohet nga Pacini në minutën e 37-të. Çerçi nuk arrin dot të driblojë Evran, në rritje të dukshme, ndërsa Honda nuk lë shenjë në fushë.
Dy tenorët – Vendësve u mjaftojnë vetëm 14 minuta për të zhbllokuar takimin. Morata shërben për Tevez, që në limitet e pozicionit jashtë loje, vetëm për vetëm me Lopez nuk e kursen “Djallin”, duke shënuar golin e epërsisë.
Debutim me gol – Në rastin e parë që i krijohet për gol, Milani është cinik dhe e shfrytëzon në mënyrën më të mirë të mundshme mundësinë e tij. Nga një goditje këndi, Antoneli kërcen më shumë se të gjithë dhe realizon golin e tij të parë me fanellën kuqezi. Problemi i Inzagit është se avantazhi zgjat vetëm 3 minuta. Një gabim i Muntarit për pak se paguhet shtrenjtë nga Milani, por goditja e Markizios bllokohet nga një super-Lopez. Më pas spanjolli nuk arrin dot të evitojë golin e dytë, i cili mban firmën e Bonuçit, që përfiton nga përgjumja e mbrojtjes kuqezi dhe i vetëm në zonë shënon golin e dytë.
Pacini fal, Morata jo – Miqtë e fillojnë mirë pjesën e dytë të lojës dhe menjëherë kanë një mundësi të artë për gol. Antoneli i rrëmben topin Markizios dhe shërben në zonë Pacinin, por ky i fundit hipnotizohet nga Bufon dhe nuk arrin dot të barazojë shifrat. Pas këtij episodi, Juventusi nuk i lë më asnjë hapësirë kundërshtarit dhe dominon në fushë. Ai që i vë “vulën” takimit është Alvaro Morata. Markizio shkarkon të djathtën, që stampohet në shtyllë, por në zonë gjendet spanjolli, i cili realizon golin e sigurisë duke mbyllur llogaritë e takimit.
sa mire
Shume bukur flm
Juveeeee