Korporata Elektroenergjitike Shqiptare hapi portat e hidrocentraleve të mëdhenj në kaskadën e Drinit. Pas Fierzës që po shkarkon, edhe Vau i Dejës nisi të shkarkojë sasinë e tepërt të ujit.
Portat janë hapur ditën e shtunë dhe vetëm sot në mëngjes në zonën e Nënshkodrës nisën shenjat e para se nëse shkarkimet vazhdojnë, do të ketë përmbytje.
Kjo po ndodh në fshatin simbol të përmbytjeve në Shkodër, në fshatin Obot, ku ujërat mëngjesin e sotëm nisën të pushtojnë tokat.
Aktualisht, janë disa dhjetëra dynym tokë të përmbytura dhe uji është larg banesave, por gjithsesi nisja e përmbytjes së tokave nga lumi Buna ka rikthyer frikën e banorëve nga ndonjë përmbytje masive siç ndodhi pesë vite më parë.
Ndërkohë, lajmi i mirë është se me uljen e temperaturave janë ndërprerë reshjet e shiut mbi kaskadën e Drinit, çka do thotë se ka një rënie të prurjeve në krahasim me ditët më parë dhe kjo mund të ndikojë në uljen e shkarkimeve nga hidrocentralet mbi lumin Drin.