Home Aktualitet Bllokohet karvani me ndihma drejt Fierit. Mes tyre dhe ministri Veliaj

Bllokohet karvani me ndihma drejt Fierit. Mes tyre dhe ministri Veliaj

548
0

fier-bllokade1Karvanit të makinave në të cilën udhëtonin edhe zyrtarë shteti për të shpërndarë ndihma për të prekurit nga përmbytjet në jug të vendit i është bllokuar rruga nga disa të rinj në fshatin Ferras të Fierit rreth orës 16:00 të së dielës.

Mes makinave të bllokuara, ishte dhe ajo e ministrit të Mirëqenies Sociale dhe Rinisë Erjon Veliaj, si dhe e shefit të Shtabit të Emergjencave Civile Shemsi Prençi, të cilat u ndaluan për disa çaste të kryejnë misionin në ndihmë një familjeje me tre vajza të vogla të cilat kishin mbetur pa ushqim. Ndaj tyre janë përdorur fjalë fyese, ndërsa në kor thërrasin “Turp, turp”.

Video e këtij incidenti u shpërnda fillimisht nga deputetja demokrate Jozefina Topalli, e cila njoftoi përmes rrjetit social Facebook se “Veliaj dhe Prençi priten me protesta në Ferras”.

Në një lidhje telefonike për A1 Report, ministri Veliaj akuzoi se pas këtij incidenti fshihet Partia Demokratike, e cila sipas tij përdori të rinjtë e FRPD-së. Një grup të rinjsh të këtij forumi ndodheshin në fshatrat e jugut për të shpërndarë ndihma ndaj të prekurve nga përmbytjet. Për ministrin Veliaj kontributi i Partisë Demokratike është për tu vlerësuar, por “jo ajo që bëri me incidentin me të rinjtë”.

Policia e Fierit shoqëroi 4 prej të rinjve mbështetës të Partisë Demokratike, të cilët u evidentuan në video, ndërsa pas disa orësh u lanë të lirë. Burime nga policia thanë se ata u morën në pyetje në cilësinë e dëshmitarit, ndërsa rreth 50 mbështetës të PD-së në qytetin e Fierit rrethuan komisariatin duke kërkuar lirimin e tyre.

Ndërsa në një deklaratë nga selia blu, Sekretari i Përgjithshëm i PD, Arben Ristani e cilësoi shoqërimin e 4 të rinjve të Forumit Rinor të PD-së si të papranueshëm nga Policia e Shtetit, ndërsa akuzoi se erdhi me “porosi nga qeveria”.

4 të rinjtë e përfshirë në ngjarje janë Fatjon Bathorja, Zekri Picari, Gentjan Gjonaj dhe Esard Mulaj.

Video ku tregohet bllokimi i makinës qeveritare

Ora 21:00 Veliaj: Po shkonim të ndihmonim 3 vajza me gjyshen e saj 

Pjesë e autokolonës ka qenë edhe makina e ministrit Veliaj i cili në një lidhje telefonike për A1 Report sqaron se ishin nisur për t’i shkuar në ndihmë një familjeje me tre vajza të vogla të cilat kishin mbetur të rrethuara nga uji dhe pa ushqim.

“Ka qenë një autokolonë ushqimesh dhe po udhëtonim drejt një familjeje për t’i dërguar tre vajzave të vogla ushqime. E para ishte makina e Shemsi Premçit, e imja ishte e dyta dhe pastaj një autokolonë me ndihmat që kishim nisur për vajzat. Ne kishim plan të inspektonim shkollat pasi nga nesër do të nisë normalisht shkolla por dispeçeria e shtabit të emergjencave kishte marrë një thirrje nga gjyshja e tre vajzave në Ferras për vajzat që mbetën të bllokuara. Kur morëm informacionin ishim afër dhe kishte një thirrje të ngjashme nga një bari i cili kishte mbetur i bllokuar. Premçi propozoi të shkonim vetë meqë ishim afër. Udhëtuam pa badigardë dhe ishim me makina civile siç edhe mund ta keni parë nga videot e publikuara. U pikasëm nga grupi i ardhur nga Tirana, dhe fillimisht më erdhi mirë kur dëgjova që edhe PD po kontribuonte, por jo për atë që bëri me incidentin e të rinjve. E kuptuam që nuk ishin banorë të zonës se nuk kishin pikë balte në rroba dhe ishte jologjike që banorët të refuzonin ndihmën e dhënë nga shteti. Adela e vogël gjithsesi i mori ushqimet dhe të gjitha ndihmat që ishin për të, tashmë ajo ka ushqime dhe çdo gjë që i nevojitet.”- tha Veliaj.

Ora 21:00 Veliaj: Reagimi i Topallit i tmerrshëm, videoja e saj lehtësoi identifikimin
“Ishte i tmerrshëm reagimi i Topallit që e shiti videon si një fitore të madhe dhe më vjen keq që në këtë situatë ku të rinjtë e PD patën mundësinë të tregonin solidaritet treguan të kundërtën.”- tha Veliaj

I pyetur nëse kanë komunikuar apo jo me protestuesit, Veliaj tha se ishte një lum të sharash dhe kuptuam që nuk ia vlente një sqarim sepse ishte një grup i parapërgatitur me celularët nëpër duar dhe gati për tua nisur fotot selisë së PD. “Qeveria është e njerëzve. Më vjen keq që të rinjtë përdoren kështu. PD e botoi si arritje që u bllokua karvani që do ti dërgonte ndihmë tre vajzave të cilat sot i kanë ushqimet. Nesër do të jemi në Fier, sepse sot e ka nisur kryeministri fushatën e ndihmës në Vlorë, dhe nesër do jetë sërish në Fier dhe do kemi sërish një ditë të suksesshme. Sot u lajmërua edhe për një emergjencë në Darzezë.

Përsa i përket akuzës së Ristanit, Veliaj tha: Ndryshe nga Ristani ne nuk udhëtojmë me eskortë sepse nuk i kemi frikë qytetarët tanë. Denoncimin sipas Veliajt e bënë vetë të rinjtë sepse kanë filmuar njëri-tjetrin dhe denoncimin e parë fare ia ka bërë Jozefina Topalli pasi e ka publikuar. Të paktën për një gjë ne bashkëpunuam me PD sepse ajo publikoi videon dhe bëri të mundur identifikimin e autorëve të kësaj ngjarjeje të shëmtuar.

Ora 20:08 Ristani:Shoqërimi akt brutal, zbatim i porosisë politike
Ndërkohë që Sekretari i Përgjithshëm i PD, Arben Ristani në një deklaratë për mediat e ka cilësuar shoqërimin e 4 të rinjve të Forumit Rinor të PD-së si një akt brutal dhe të papranueshëm të Policisë së Shtetit. Sipas tij ky shoqërim është zbatimi i një porosie politike të qeverisë, e cila dështoi të hynte në zonat e dëmtuara rëndë nga përmbytjet, për shkak të refuzimit përbuzës dhe revoltës së banorëve.

“Katër të rinjtë ishin sot pjesë e një aktiviteti fisnik, në shpërndarjen e ndihmave në ato familje ku ende nuk kishte trokitur asnjë përfaqësues i qeverisë. Ndalimi i tyre është shenjë e qartë se qeveria, jo vetëm ka braktisur plotësisht qytetarët në ditën e fatkeqësisë së tyre më të madhe natyrore, por po bën gjithcka për të penguar edhe  opozitën, qytetarët, dhe shoqërinë civile, t’u gjendet atyre pranë.”- tha Ristani

Deklarata e plotë e Arben Ristanit

Policia e Fierit ka ndaluar e shoqëruar me dhunë, 4 të rinj të Forumit Rinor të Partisë Demokratike, pas aksionit të Partisë Demokratike të shpërndarjes së ndihmave në zonat e përmbytura të Fierit dhe Vlorës.

Të rinjtë Fatjon Bathorja, Zekri Picari, Gentjan Gjonaj, Esard Mulaj, po mbahen pa asnjë motiv ligjor në qelitë e Policisë së Fierit.

Ky është një akt brutal, i papranueshëm i Policisë së Shtetit, zbatimi i një porosie politike të qeverisë, e cila dështoi sot të hynte në zonat e dëmtuara rëndë nga përmbytjet, për shkak të refuzimit përbuzës dhe revoltës së banorëve.

Në vend që ti dërgojë forcat e policisë për t’u ardhur në ndihmë familjeve të përmbytura, Edi Rama i urdhëron ata të ushtrojnë dhunë ndaj qytetarëve dhe  opozitës.

Katër të rinjtë ishin sot pjesë e një aktiviteti fisnik, në shpërndarjen e ndihmave në ato familje ku ende nuk kishte trokitur asnjë përfaqësues i qeverisë.

Ndalimi i tyre është shenjë e qartë se qeveria, jo vetëm ka braktisur plotësisht qytetarët në ditën e fatkeqësisë së tyre më të madhe natyrore, por po bën gjithcka për të penguar edhe  opozitën, qytetarët, dhe shoqërinë civile, t’u gjendet atyre pranë.

Kemi të bëjmë me një shtet policor, të dhunshëm dhe të paligjshëm.

Partia Demokratike i bën thirrje Policisë së Shtetit të lirojë menjëherë 4 të rinjtë e Forumit Rinor.

Cdo vonesë në këtë drejtim është një përgjegjësi e drejtpërdrejtë e kreut të Policisë, drejtorit të Policisë së Fierit, e Ministrit të Brendshëm dhe kryeministrit. Përgjegjësi penale dhe politike që do ta mbajnë deri në fund.

Po i përsërisim qeverisë dhe policisë thirrjen e fundit për lirimin e 4 të rinjve. Në të kundërt, qytetarët dhe mbëshetësit e Partisë Demokratike, do të ngrihen të gjithë në këmbë e do të kërkojnë me vendosmëri drejtësi për të rinjtë tanë dhe ndëshkim të merituar për dhunuesit e pashpirt.

Ora 20:45 Pasi lirohen të rinjtë e PD foto me deputeten Vokshi

frpd-vokshi
Pas lirimit të të rinjve të FRPD, deputetja demokrate Albana Vokshi nuk ka hezituar që të publikojë në faqen e saj një foto me katër të rinjtë që u shoqëruan dhe më pas u liruan Fatjon Bathorja, Zekri Picari, Gentjan Gjonaj dhe Esard Mulaj. Ajo që duket qartazi nga fotoja është se të katërt të rinjtë janë te entuziazmuar teksa pozojnë me shenjën identifikuese të Partisë Demokratike.

Ora 20:35 Baci: 4 të rinjtë nuk janë të FRPD-së

Kreu i PD dega Fier, Luan Baçi ka shfajësuar 4 anëtarët e Forumit Rinor. Sipas tij ata që bllokuan makinën qeveritare nuk kanë qenë anëtarët e Forumit Rinor të PD, por banorë të zonës, ndërsa 4 të rinjtë e shoqëruar në polici ishin rastësisht aty. Mësohet se 4 të rinjtë e përfshirë në ngjarje janë Fatjon Bathorja, Zekri Picari, Gentjan Gjonaj dhe Esard Mulaj.

Foto/ i riu i PD duke bllokuar makinën e Veliajt
Një prej të rinjve të FRPD që u shoqërua dhe më pas u lirua për ndalimin e autokolonës me ndihma, pjesë e së cilës ishte edhe makina e ministrit Veliaj dallohet qartazi edhe në një nga videot e publikuara. I riu i cili dallohet qartë në foton e mëposhtëme është Gentjan Gjonaj, një nga 4 personat që shoqëruar për pak orë në komisariatin e Fierit.

fier-bllokade

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here