Bashkia e Tiranës thotë se kryeqyteti do të duket ndryshe këtë 14 mars, mes lulesh, zogjsh dhe ballokumesh. Festa do të nisë në orën 09:00 me inagurimin e pazarit të ri, për të vijuar me aktivitete të tjera deri vonë në mesnatë.
“Aktivitetet fillojnë te Bulevardi Dëshmorët e Kombit, nga Hotel Dajti deri te Bashkia e Tiranës, tek Piramida, Blloku, Sheshi nënë Tereza, Parku Rinia. Kemi një koncert shumë interesant tek Kolonat, te sheshi Nënë Tereza një panair biznesi. Tek zona e Bllokut kemi një koncert me 2 Di-Xhej shumë të mirë. Aktivitet të shumtë për fëmijë”, tha Julinda Dhamo Drejtoreshë e Promovimit, Bashkia Tiranë.
Bashkia u bën thirrje qytetarëve të dalin në këmbë ose me biçikleta, pasi në disa rrugë do të ndalohet qarkullimi i automjeteve.
“Kufizohet qarkullimi në: Rrugën Pjetër Bogdani, segmenti Pasko Vasha-Ibrahim Rugova, Brigada e 8 dhe Sheshi Nënë Tereza. Unaza do të jetë e lirë nga të dyja krahët”, tha Dhamo.
Por a do ta pengojë çadra e lirisë festën e 14 marsit? “Pjesën e çadrës ku është vendosur çadra e opozitës e kemi lënë pa asnjë aktivitet, pasi nuk kemi dashur që të ndërhyjmë në atë pjesë. Gjithë aktivitetet tona janë në pjesën tjetër të qytetit. Ne kemi organizuar aktivitete larg çadrës, por çadra e opozitës është e ftuar të festojë”, u shpreh Dhamo.
Burime thonë se festimeve të ditës së verës do ti bashkohet edhe opozita me çadrën e saj, ku ndryshe nga çdo ditë tjetër nuk do të ketë bashkëbisedime politike, por ballokume, këngë dhe valle të ansambleve popullore.