Home Aktualitet Ja pistat e hetimit te vrasjes se kryekomunarit Remzi Veseli

Ja pistat e hetimit te vrasjes se kryekomunarit Remzi Veseli

898
0

Të afërm, miq e kolegë kanë përcjellë në banesën e fundit kreun e komunës Tërthore në Kukës, Remzi Veseli, i ekzekutuar në oborrin e shtëpisë së tij mbrëmjen e së Hënës. Ceremonia mortore është zhvilluar dje pasdite. Ndërsa policia ka vënë pesë milionë lekë shpërblim për çdo informacion në lidhje me autorët e krimit. Policia ende nuk ka një pistë përfundimtare për shkaqet dhe autorët e mundshëm të këtij krimi nëdërkohë që bëhet e ditur se po hetohet në tre pista. Vrasja ndodhi mbrëmjen e së Hënës ndërsa Veseli po kthehej në banesën e tij. Ai është qëlluar nga afër me tre plumba pistolete dhe pse u dërgua në spitalin rajonal të Kukësit ai nuk ka mundur të mbijetojë. Veseli ishte zgjedhur dy herë rresht kryetar komune si përfaqësues i Partisë Socialiste.
Po hetohet në tre pista
Në punën e saj kërkimore, Policia e Kukësit është mbështetur edhe me ekspertë të dërguar nga Tirana, të cilët vazhduan ekspertizën në vendngjarje edhe paraditen e së martës. Sipas informacioneve, jo zyrtare, të marra pranë organeve të policisë së Kukësit po hetohet tre pista kryesore. Pista e parë ka të bëjë me ndonjë konflikt ë mundshëm me banorët e komunës. Kjo sepse viktima drejtonte procesin e shpronësimeve. Pista e dytë për hakmarrje politike dhe e treta një konflikt personal që viktima mund të ketë pasur me ndonjë person. Sipas këtyre burimeve bëhet e ditur se janë shoqëruar në komisariatin e Kukësit për t’u marrë në pyetje 10 persona. Familjarët e viktimës mohojnë si pistë ndonjë hasmëri apo konflikt personal.
Ekzekutimi
Ekzekutimi i kryetarit të komunës Tërthore është bërë në mënyrë mafioze në lagjen numër tre të qytetit të Kukësit. Vrasësit kanë shfrytëzuar natën si dhe kohën me reshje të dendura shiu si dhe faktin se në këtë lagje mungon ndriçimi i rrugëve dhe trotuareve.Policia thotë se autorët e këtij krimi mund t’i jenë afruar viktimës në momentin kur ka zbritur nga automjeti i tij për të hapur portën. Vrasësit i janë afruar në një distancë të afërt duke e qëlluar me pistoletë me tre plumba në kokë. Më pas mendohet se autorët janë larguar në këmbë duke dalë jashtë qytetit. Gjithashtu sipas burimeve të policisë mendohet që autorët e krimit mund t’i ketë pritur një automjet në autostradë e cila ndodhej 300 metra nga vendi i krimit. Mendohet se vrasja është bërë në mënyrë të organizuar ku mund të kenë marrë pjesë disa persona. Në lidhje me këtë ngjarje policia po vazhdon për hetime të mëtejshme për gjetjen e autorëve dhe dënimin e tyre sipas ligjit.

Përkujtohen policët e rënë në detyrë

26 tetori është dita ku përkujtohen të gjithë policët që kanë rënë në krye të detyrës. Ministri i Brendshëm, Lulzim Basha, i ka cilësuar policët e rënë në mbrojtje të ligjit ,simbole guximi dhe vendosmërie, që mishërojnë sakrificën që shënjoi edhe konsolidimin e ëndrrës europiane të Shqipërisë. Ministri Basha iu drejtua forcave blu duke iu thënë se “bashkë me dhimbjen e pashlyer nga mungesa e tyre, ndjejmë dhe krenarinë e përligjur se kjo sakrificë qëndron në themel të transformimit rrënjësor të Shqipërisë, anëtare e NATO-s, të Shqipërisë pa viza, të Shqipërisë së pandalshme drejt anëtarësimit të plotë në Bashkimin Europian”. Përtej përkujtimit dhe përkuljes me nderim ndaj të gjithë atyre që dhanë jetën në luftë kundër krimit për një jetë më të sigurt, ministri i Brendshëm bëri me dije se “qeveria Berisha ka marrë masa të gjithanshme për të zbutur sa më shumë që të jetë e mundur pasojat e humbjes së njerëzve tuaj më të dashur dhe se pas miratimit të ligjit janë plotësuar të gjitha aktet nënligjore për të mundësuar dhënien e ndihmës së menjëhershme dhe trajtimin financiar të familjeve të të gjithë punonjësve të Policisë së Shtetit, që kanë humbur jetën në krye të detyrës”. Ministri Basha sqaroi se ky legjislacion u siguron familjarëve të të rënëve të policisë pension familjar të barabartë me pagën referuese të punonjësit të policisë në çastin e humbjes së jetës.

Itali, goditet banda italo-shqiptare për trafik droge
Një tjetër sukses ka shënuar Policia e Barit në Itali ku ka bërë të mundur goditjen e bandës italo- shqiptare të trafikimit të lëndëve narkotike. Policia e Barit ka finalizuar dje aksionin duke vënë në pranga gjashtë persona, nën akuzën e trafikimit ndërkombëtar të lëndëve narkotike, ndërsa janë shpallur në kërkim edhe gjashtë persona të tjerë. Ndërkohë janë sekuestruar 44 kilogramë marijuanë, pesë kokainë dhe 500 gramë heroinë. Sipas mediave italiane, autoritetet e shtetit fqinj kanë lëshuar 12 urdhër arreste, për dy shtetas italianë dhe 10 shqiptarë, të cilët dyshohet të kenë lidhje me organizatën mafioze napolitane “Camorra”. Sipas hetimeve, rezulton se banda shfrytëzonte portin e Barit dhe Brindisit për të trafikuar sasi të konsiderueshme lëndësh narkotike. Bëhet fjalë për Dritan Aga, 33 vjeç, Adrian Aga, 31 vjeç Loni Paluka, 28 vjeç, Klodian Cobo, 25 vjeç. Në krye të organizatës rezulton të jetë 30 vjeçari, Olsi Meta, i konsideruar si “truri” i trafikut. Meta është shpallur në kërkim së bashku me bashkëpunëtorin i tij të ngushtë në Shqipëri, Fran Coku. Hetimet kanë konfirmuar kontaktet e të dy narkotrafikantëve shqiptarë me dy eksponentë të “Camorrës” napoletane: Gaetano Marino dhe Santolo Carotenuto, të cilët tashmë janë arrestuar.

Korçë, arrestohet sekseri që mashtronte për pasaportat biometrike

Policia e Korçës ka bërë të mundur dje ndalimin e shtetasit Jani Aska, person ky i akuzuar për mashtrim dhe përfitime të paligjshme nga qytetarët e interesuar për pajisje me pasaporta biometrike. Pas kryerjes së procedurave hetimore, policia bën të ditur se ka vendosur të ndjekë penalisht në gjendje të lirë, shtetasin Jani Aska 40 vjeç banues në lagjen nr. 17 Korçë.
Ai akuzohet se i ka marre 4000 lekë të reja, duke i premtuar se do t’i tërhiqte katër pasaporta biometrike shtetasit S.Xh 39 vjeç banues në fshatin Dolanec Komuna Gore-Korçe. Policia tha se vepra penale që rëndon ndaj shtetasit Jani Aska është ajo e “Mashtrimit” parashikuar nga neni 143/1 i Kodit Penal. Pas kryerjes së procedurave të para hetimore, dosja për këtë rast i është dërguar Prokurorisë për hetime të mëtejshme.

Politika “në këmbë” për vrasjen e kryetarit të Komunës së Tërthores

Topi, Berisha, Rama: Të ndëshkohen autorët e krimit!

Ekzekutimi i kryetarit të Komunës Tërthore në qarkun e Kukësit ka “ngritur në këmbë” politikën shqiptare, të cilët kanë kërkuar kapjen sa më shpejt të autorit të ngjarjes. Kreu i shtetit, Bamir Topi, i ka dërguar një ngushëllim familjarëve të ish-kryekomunarit Remzi Veseli, duke e cilësuar ngjarjen një akt të pashembullt. Po ashtu, kreu i PS-së, Edi Rama dhe kryetari i Grupit Parlamentar të PS-së, Gramoz Ruçi, deputetët Namik Dokle dhe Asllan Dogjani kanë marrë pjesë në ceremoninë e varrimit të Veselit. Ndërkohë që thirrje për ndëshkimin e autorëve ka bërë edhe shefi i qeverisë, Sali Berisha.
Reagimet
Kreu i qeverisë, Sali Berisha ka bërë apel dje që të ndëshkohen autorët e vrasjes së kryetarit të Komunës në Qarkun e Kukësit. Po ashtu, kreu i Partisë socialiste Edi Rama ka ngushëlluar dje familjarët e kryekomunarit të ekzekutuar mbrëmjen e së Hënës në Kukës, Remzi Veseli. Duke e quajtur tronditëse këtë ngjarje, kryesocilaisti Rama shprehet se Veseli është rasti i dytë, ku një opozitar vritet para banesës së tij, në prag të një fushate vendore. “Vrasja e kreut të komunës Tërthorë është tronditëse. Në Shqipëri krimi është ngjitur në majë, është vrarë një përfaqësues i popullit dhe kjo vrasje tregon gjendjen e rëndë në të cilën ndodhet vendi”,- ka deklaruar nga Kukësi kreu i PS. Rama akuzoi Policinë e Shtetit se po shpërdorohet për hir të pushtetit, duke thënë se “Ministri i Brendshëm është një drejtues i padenjë për postin që mban”. Po ashtu, edhe Kreu i Shtetit, Bamir Topi, e ka cilësuar ngjarjen si akt kriminal te pashembullt, duke kërkuar që autorët të vihen pa humbur kohë para drejtësisë.
Vrasja
Partia Socialiste e ka lidhur vrasjen e kryetarit të Komunës së Tërthores në Kukës, me atë të deputetit socialist, Fatmir Xhindi. “Dy vjet pas vrasjes së të mandatuarit të selisë rozë, një tjetër përfaqësues i saj është viktime e krimit”, deklaroi dje deputeti i PS-së, Namik Dokle, sipas të cilit kjo tregon fytyrën e pushtetit të Sali Berishës, i cili në kundërshtim me faktet flet për rritje të sigurisë publike. “Akoma pa mbushur dy vjet nga vrasja e deputetit socialist Fatmir Xhindi, u vra edhe Remzi Veseli, përfaqësues i PS në pushtetin vendor. Të dy të respektuar e të nderuar nga elektorati socialist! Të dy të zgjedhur disa mandate radhazi! Të dy u vranë në derë të shtëpisë! Të dy në prag të fushatës zgjedhore! Të dy të projektuar për rikandidim nga Partia Socialiste! Të dy vrasjet të mbuluara nga terri dhe papërgjegjshmëria e skajshme e shtetit, e qeverisë, e policisë” tha Dokle. Ndërsa, Ministri i Brendshëm, Lulzim Basha, në përgjigje të akuzave të socialistëve, ka mohuar që vrasja të ketë ndodhur për arsye politike.

Topi: Autori para drejtësisë
Presidenti Bamir Topi i ka dërguar një telegram ngushëllimi familjarëve të kryetarit të Komunës, Tërthore të Kukësit. “Kjo është një ngjarje jashtëzakonisht e rëndë dhe një akt kriminal i pashembullt që i vë përpara përgjegjësisë të gjitha strukturat përkatëse të shtetit për të zbuluar autorin pa humbur kohë dhe për ta vënë atë përpara drejtësisë” është shprehur Kreu i Shtetit për vrasjen e Remzi Veselit mbrëmjen e kaluar pranë banesës së tij. ”Më lejoni t’ju shpreh ngushëllimet e mia më të sinqerta dhe të ndaj me ju dhimbjen për humbjen e njeriut tuaj të shtrenjtë e të pazëvendësueshëm”, ka përfunduar presidenti telegramin e tij.

Edi Rama: Vrasja tronditëse, shteti memec
“Vrasja e kreut të komunës Tërthore është tronditëse. Në Shqipëri krimi është ngjitur në majë, është vrarë një përfaqësues i popullit dhe kjo vrasje tregon gjendjen e rëndë në të cilën ndodhet vendi”, ka deklaruar nga Kukësi kreu i PS-së. Kryesocialisti theksoi se vrasja e Veselit, ashtu si ajo e deputetit Fatmir Xhindi, ndodh përpara një fushate zgjedhore, dhe shteti është përsëri memec dhe nuk ka asnjë pistë hetimi. “Remzi Veseli është opozitari i dytë që vritet para derës së shtëpisë, në prag të një tjetër fushate, ashtu si Fatmir Xhindi 18 muaj më parë. Por shteti vazhdon të jetë memec, nuk ka asnjë pistë hetimi për të dyja rastet”, u shpreh kreu i PS.

PS, Dokle: Të zbardhet urgjentisht vrasja e Veselit
Partia Socialiste ka bërë dje beri apel për zbardhjes e vrasjeje së kryetarit të Komunës Tërthore, Remzi Veseli, duke rikujtuar se ende ka mbetur pa asnjë emër vrasja e deputetit Xhindi. “Jepini fund territ, zotërinj pushtetar, kryeministër, ministër, prokurorë apo policë qofshin. Kërkojmë urgjentisht zbardhjen e vrasjes së dy përfaqësuesve të PS, Fatmir Xhindi e Remzi Veseli. E kërkojmë në emër të PS, në emër të atyre që i kanë zgjedhur e mbi të gjitha në emër të shqiptarëve që mbi çdo gjë kërkojnë një model të ri qeverisje, që tu siguroj e garantojë jetën” tha Dokle.

Ekzekutimi i kryekomunarit, Berisha: Të ndëshkohen autorët
Kryeministri Sali Berisha dërgoi dje një telegram ngushëllimi në adresë të familjes së kryetarit të Komunës së Tërthore, Remzi Veseli, i cili u vra mbrëmjen e së hënës pranë banesës së tij në Kukës. Në faqen zyrtare të kryeministrisë, thuhet se kreu i qeverisë ka pohuar në telegram se “vrasja e Remziut përbën një akt kriminal të shëmtuar, autori i të cilës do të marrë ndëshkimin më të rreptë me të gjithë forcën e ligjit”.“Më lejoni që në emrin tim dhe të qeverisë shqiptare t’ju shpreh juve, pjesëtarëve të tjerë të familjes së të ndjerit, të afërmve të tij, si dhe të gjithë banorëve të Tërthores ngushëllimet më të sinqerta dhe bashkojmë lutjet tona që shpirti i tij të gjej paqen e amshuar”, thuhet në mesazhin e ngushëllimit të dërguar nga kryeministri Berisha në adresë të familjes së Remzi Veselit.

Basha: Ekzekutimi, jo për shkaqe politike
Ministri i Brendshëm, Lulzim Basha, përjashton mundësinë që vrasja e kryetarit të Komunës, Tërthore në Kukës, të ketë shkaqe politike. Basha foli dje në lidhje me hetimet për vrasjen e Remzi Veselit, i zgjedhur vendor i Partisë Socialiste në Komunën Tërthore në Kukës, duke thënë se nga hetimet e deritanishme nuk rezulton që 40-vjeçari të jetë vrarë për motive politike.“Ekspertët më të mirë të shtetit në bashkëpunim edhe me policinë e Kukësit kanë hetimet për të bërë të mundur edhe zbardhjen e plotë të ngjarjes”, tha Basha. Ai e ka cilësuar si ngjarje mjaft të rëndë vrasjen e kryekomunarit të Tërthores, Veseli, dhe i shprehu ngushëllimet familjes së tij për humbjen e njeriut të tyre të dashur.

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here