Home Aktualitet Dasma e Edi Rames me Linda Basha

Dasma e Edi Rames me Linda Basha

1768
0
Pakkush mendonte se Edi Rama do të zhvillonte një dasmë me më shumë se 500 të ftuar ku do të dilte një tortë dhe ai do të puthte nusen. Ata që e njohin sadopak kryetarin e PS-së e dinë që ai është një njeri ndryshe nga të tjerët, që preferon gjërat jashtë tradicionales.

Por, dje ai zbatoi traditën duke ftuar në dasmë miqtë, shokët, por edhe shumë bashkëpunëtorë dhe kolegë të tij ndër vite. Rama me kostum serioz si gjithmonë ndërsa nusja, Linda Basha, me një fustan për mbrëmje gala. Linda Basha iu shmang tradicionales duke mos vendosur as vello dhe as fustan nusërie.
Rruga për në dasmën e Ramës ishte shumë e vështirë për të gjithë të ftuarit. Edhe pse policia e Tiranës ishte zotuar se do merrej me trafikun rrugor, kjo ishte e pamundur. Karvani i gjatë i makinave nisi nga zona e Liceut Artistik për të përfunduar tek “Xibraku” ku edhe zhvillohej dasma.
Në orën 16.00 të ftuarit e parë nisën të popullojnë ambientet e jashtme të lokalit ku kishte nisur të shtrohej koktejli martesor. Pak minuta më vonë aty u shfaq edhe çifti. Edi Rama takoi dhe trokiti gotën me të ftuarit që ndodheshin në ambientet e jashtme dhe më pas hyri brenda ku qëndroi me nusen.
Ndërkohë djali i tij Gregori u shfaq në hyrjen e lokalit në vendin e parë të një makine me shofer “VIP”, xhaxhanë e tij. Olsi Rama ka një muaj që ka ardhur në Shqipëri nga SHBA. Në pjesën më të madhe të kohës Gregori i veshur me kostum dhe një kollare të kuqe është shoqëruar nga xhaxhai.
Pjesa e jashtme e lokalit ishte shndërruar në një vendtakimi për shumë personalitete të botës së politikës, medias dhe artit. Rreth orës 17.10 të ftuarit kanë hyrë në ambientet e brendshme të lokalit për të pritur ardhjen zyrtare të çiftit.
Në vend të “damixhelave të nderit” çifti Rama kishte punonjëset e Bashkisë së Tiranës. Të gjitha vajzat e reja ishin veshur me fustane rozë dhe shoqëronin të ftuarit si dhe ndihmonin çiftin.
Banketi ishte vendosur në të dyja anët e sallës dhe çifti i ri kishte vendosur që gjithçka të ishte shqiptare. Duke nisur nga vera dhe për të përfunduar tek “sushi japonez”, gjithçka ishte përgatitur në Shqipëri për t’i dhënë dasmës një ngjyrë patriotike.
Pak minuta më vonë në sallë ka hyrë çifti Linda dhe Edi Rama, të cilët janë pritur me duartrokitje nga të gjithë. Ata kanë ecur në rrugicën e ngushtë duke u mbajtur për dore dhe tek të dy të sapomartuarit vihej re emocion i madh. Nusja është tip i ndrojtur dhe kjo u pa edhe në sallë, por habia ishte tek kryebashkiaku dhe kryetari i PS-së.
Edi Rama ishte shumë i emocionuar dhe pothuajse gjithmonë mbante për dore të shoqen.
E para që mori fjalën ishte mikesha e vjetër e Ramës, regjisorja Liri Begeja. E ardhur në Shqipëri enkas për dasmën ajo tha se Edi Rama ishte lidhja e saj e vetme me këtë vend.
“Unë po mbaj fjalën e nderit se po të mos më lejoje të beja këtë gjë, do të të vrisja!”,- tha duke qeshur Begeja, e cila shkaktoi humor në sallë dhe hoqi pak tension nga shpatullat e Ramës. Regjisorja më pas i dha Ramës unazën dhe u largua në mënyrë që çifti të kryente ritualin e shkëmbimit të unazave.
Unaza e kryebashkiakut ishte një rreth i thjeshtë platini, të cilin e vendosi në dorën e majtë. Në të djathtën Rama mban unazën e vjetër të zezë me stemën e bashkisë. Në dorën e majtë të Ramës ndodhej edhe një byzylyk artizanal ndërkohë që edhe nusja mbante në dorën e djathtë një unazë me gurë dhe një byzylyk me hallka. Edhe për të unaza e martesës ishte e thjeshtë, një rreth i hollë platini.
Pas ndërrimit të unazave u kërkua puthja tradicionale e çiftit të ri dhe kjo vuri shumë në siklet Linda Ramën. Nusja iu afrua dhëndrit dhe e puthi në faqe, por Rama i tregoi me gisht buzën dhe kërkoi që puthja të ishte aty. Mes të qeshurave dhe duartrokitjeve të sallës Linda, e skuqur në fytyrë, u afrua tek Edi dhe me shumë turp e puthi lehtë në buzë.
Pas kësaj në podium u ngjitën djali i Edi Ramës, Gregori dhe vajza e Lindës, Rea Xhillari.
Linda, tepër e mallëngjyer, përqafoi dhe puthi vajzën e saj dhe më pas Gregorin. Për disa sekonda ajo i mbajti të dy fëmijët e përqafuar teksa sytë e saj u mallëngjyen. E njëjta gjë ndodhi edhe me Edi Ramën.
Njeriu energjik dhe i ngrirë ndryshoi si me magji. Akulli që rrethon kryebashkiakun u shkri kur përqafoi të birin dhe u duk sikur nga çasti në çast ndonjë lot edhe mund të shpëtonte prej syve të tij. Gregori Rama i qëndroi pranë të atit, të cilit tashmë ia kishte kaluar nga shtatlartësia.
Rama përqafoi edhe Rean 20 vjeçare.
Pas kësaj vendin e nderit në podium e mori Olsi Rama, vëllai i vogël i Edit. Ai bëri përshëndetjen në emër të familjes Rama dhe më pas i uroi çiftit jetë të lumtur. Gjithçka ishte perfekte dhe e vetmja gjë që u vonua ishte torta, të cilën çifti e preu dhe e ndau fillimisht me të parin e shtetit, Presidentin e Republikës Bamir Topi.
Pas ceremonisë, çifti dhe të ftuarit dolën në ambientet e jashtme ku u takuan dhe bënë fotografi me pjesën më të madhe të të ftuarve.
Mungesa e prindërve
Në dasmë mund të ishin më shumë se 500 njerëz, por munguan më të afërtit e çiftit. Edi shoqërohej nga djali Gregori dhe vëllai Olsi, por jo nga nëna e tij, Aneta. Njeriu që i ka qëndruar më pranë se askush tjetër në këto vite, kishte vendosur që ta linte vetëm teksa festonte me shoqërinë.
Të njëjtën gjë kanë bërë edhe prindërit e Linda Bashës. Ata kanë marrë pjesë tek ceremonia e organizuar dy ditë më parë në shtëpi dhe për këtë arsye kanë vendosur të lënë “rininë” të festojë me miqtë.
Tendat e çadrave të grevës
Greva e urisë së deputetëve ka qenë një moment shumë i rëndësishëm në jetën e Edi Ramës, aq sa e kishte marrë me vete edhe në dasmë. Tendat e përdorura nga deputetët gjatë grevës së urisë, dje ishin shndërruar në tendat e kokteilit të dasmës. Shumë nga të ftuarit nuk kuptuan asgjë në lidhje me tendat, por ishin grevistët ata që kishin një afeksion të veçantë me to.
Standardi i Asamblesë
Mes të ftuarve të shumtë të veshur më së miri binte në sy edhe një shtresë tjetër e popullsisë. Ata ishin anëtarët e Asamblesë Kombëtare të PS-së, të cilët kishin ardhur nga të gjitha rrethet për të marrë pjesë në dasmën e kryetarit Edi Rama. Së bashku me ta ndodheshin edhe të gjithë kryebashkiakët e majtë.
Linda Rama kthen Tavon në PS
Vangjel Tavo mund t’i lëshojë ultimatume PS-së por dje ai u dorëzua përpara thirrjes së veçantë të Ramës.
Nuk ishte Edi por Linda ajo që ktheu socialistin në gjirin e familjes së tij. Vangjel Tavo dhe e shoqja u panë dje në ambientet e dasmës duke diskutuar më kolegët e PS-së. Por kur doli përpara Linda Ramës, Tavo u shfaq shumë dashamirës dhe shfrytëzoi kohën edhe për të diskutuar me kryetarin e partisë në lidhje me problemet e Gjirokastrës.
Mendimi ndryshe në dasmë
Sa herë që Edi Rama merr një vendim për Partinë Socialiste, aq herë shfaqet edhe Kastriot Islami, i cili thotë mendimin ndryshe. Por dje Islami nuk kishte asnjë mendim ndryshe.
Teksa trokisnin gotën me kryetarin dhe bashkëshorten e tij, Kastriot Islami dhe Andis Harasani miratonin fjalët e tij. Gjatë ceremonisë Edi dhe Linda Rama u panë duke pirë verë të bardhë, por kur trokitën gotat me “Lëvizjen për mendim ndryshe”, ata u shfaqën me verë të kuqe.
Ina Rama e vetmuar…
Kryeprokurorja Ina Rama është parë dje në ambientet e dasmës në shoqërinë e miqve të saj të prokurorisë. Ajo ka qenë e shoqëruar nga shoku i klasës, Olsi Çela, i cili është emëruar prej saj në krye të Prokurorisë për Krimet e Rënda. Kryeprokurorja nuk kishte me vete bashkëshortin.
Familja Presidenciale
Bamir Topi dhe e shoqja Teuta kanë ardhur disi me vonesë në dasmën e djeshme, por për ta ishte rezervuar një vend nderi. Madje çiftit presidencial i ka takuar edhe copa e parë e tortës.
Linda ia ka dhënë tortën presidentin ndërsa Edi bashkëshortes së tij. Pas kësaj Teuta Topi ka biseduar për pak minuta me nusen e re, ndoshta duke i treguar se sa e vështirë është të jesh bashkëshortja e një politikani të profilit të lartë. Por mes dy grave është vënë re menjëherë një marrëdhënie shumë e mirë.
Ish-mbështetësit e Topit
Presidenti Topi u zgjodh në këtë post me mbështetjen e fuqishme të një grupi të madh deputetësh të PD-së. Pas kësaj grupi nisi të zvogëlohej në mënyrë të ndjeshme. Disa prej tyre lanë politikën ndërsa pjesa tjetër e pa veten jashtë PD-së. Dje presidenti ishte i shoqëruar vetëm nga dy deputetë, Besnik Mustafaj dhe Sali Shehu.
Nikolla bën mazhorancën
Mazhoranca ka treguar se dy kampet politike janë ende në luftë dhe askush nuk është i lejuar të ushqehet me tortën e armikut. Me këtë moto asnjë përfaqësues i mazhorancës nuk ka marrë pjesë në ceremoninë e dasmës së kryetarit të PS-së, Edi Rama. Por një përfaqësues i mazhorancës ka dalë nga radhët, Nikollë Lesi.
Zv.ministri i Kulturës ka pasur dje barrën e vështirë të bëjë i vetëm mazhorancën në një ambient të mbushur me socialistë. Ai këtë gjë e ka bërë shumë mirë teksa dëfrehej dhe hidhte batuta me të gjithë pjesëmarrësit, përfshirë edhe çiftin.
Lulet e Berisha-Meta
Kryeministri Sali Berisha nuk mund të shfaqej në dasmën e çiftit Rama, por nga ana tjetër nuk mund të mungonte në të. Ai ka gjetur një mënyrë tjetër për të qenë i pranishëm në dasmë. Rreth orës 15.30 makina e kryeministrit Berisha është parë në hyrje të vendit ku zhvillohej dasma.
Për të qenë i sigurt se të gjithë do e kuptonin se ishte dasma e tij, kryeministri ka dërguar personalisht togën e tij të shoqërimit. Ata kanë dorëzuar një buqetë me lule në emër të kryeministrit dhe bashkëshortes së tij, Liri Berisha. “I urojmë çiftit të ri fat, shëndet dhe lumturi në jetën e tyre bashkëshortore”,- thuhet në kartolinën që shoqëron buqetën.
Të njëjtën gjë ka bërë edhe kryetari i Lëvizjes Socialiste për Integrim. Ilir Meta nuk e dërgoi buqetën e tij me lule në rrugë zyrtare, por më pas njoftoi zyrtarisht përmes zyrës së shtypit se edhe ai kishte marrë pjesë, në mënyrën e tij, në gëzimin e Edi Ramës.
Turpi i nuses
Të gjithë e kemi vënë re se Linda Basha, tashmë Rama, është e ndrojtur dhe i kushton vëmendje jetës së saj private. Ajo e ka treguar këtë gjë gjatë ceremonisë së djeshme kur i është dashur që të puthë bashkëshortin e saj. Me gjithë insistimin e Edi Ramës, Linda e ka puthur fillimisht në faqe dhe më pas e ka puthur lehtas në buzë. Të ftuarit duartrokitën ndërsa Linda Rama u skuq e tëra.
Gregori & Rea
Gregori Rama ka kaluar 20 vjet të jetës si fëmijë i vetëm ndërsa dje është bërë me një motër. E njëjta gjë ka ndodhur edhe me Rea Xhillarin që tashmë është bërë me vëlla. Afrimiteti mes tyre është vënë re që në fillim të ceremonisë, por më shumë u vu re kur Linda Rama i përqafoi të dy. Më pas Rea u vendos në krah të Edi Ramës ndërsa Gregori në krah të Lindës.
***
Ai i veshur me një kostum të zi e kravatë të kuqe. Ajo me një fustan elegant ngjyrë pana, i cili kombinohej hijshëm me kostumin e bashkëshortit të saj me lule të vockla të zeza. Kanë qenë veshjet, me të cilat Linda dhe Edi Rama i kanë dhënë fund mbrëmë beqarisë. Edhe pse jo ende zyrtarisht, kryetari i Partisë Socialiste sot është i martuar me gruan e familjes tiranase Basha.
Për hir të saj, duket se Rama ka pranuar gjithçka “made from Linda”. Ka qenë pikërisht ajo që ka përzgjedhur veshjen dhe arredimin festiv të shtëpisë në Pezë, ku mbrëmë është mbajtur darka private me familjarët e Edi Ramës dhe Linditës. Sigurisht që ka qenë pak larg nga skenat klasike, ku nusja shfaqet në mënyrë pompoze dhe më pas i premton dashurinë e përjetshme bashkëshortit të saj.
Dasma
Publikisht e quajti gjysmën e tij, ndërsa mbrëmë Edi i ka premtuar të jetë përkrah saj në të mirë dhe në të keq. E dëshmitarë të vetëm të këtij premtimi kanë qenë njerëzit më të afërt të çiftit të ri. Ndoshta, rastësisht, shtëpia nga ka nisur udhën martesa e Lindës dhe Ramës është pikërisht strehëza historike në fshatin Pezë të Tiranës. Aty rreth orës 21 të darkës, çifti i ri ka pritur të ftuarit. Nuk kanë qenë njerëz të njohur të politikës kësaj here, por njerëzit e ngushtë të rrethit familjar: prindërit, vëllezërit dhe motrat e çiftit të ri. Më shumë se sa një ceremoni dasme duket se nata e mbrëmshme ka qenë një sebep për njohjen dhe afrimin e dy familjeve.
Darka ka zgjatur deri në orët e para të mëngjesit të sotëm. Nuk ka pasur orkestër, por biseda dhe trokitje gotash vere të shoqëruara në sfond nga një muzikë e lehtë. Të pranishëm në darkën e mbrëmshme kanë qenë prindërit e Lindës, vëllai dhe motra e saj. Nuk ka munguar Rea, vajza 20-vjeçare e nuses së mbrëmshme. Ndërsa në anën tjetër të tavolinës kanë qenë të ulur njerëzit e afërt të Edit, ku përveç Anetës, nënës së tij, kanë qenë të pranishëm Olsi, vëllai i Edi Ramës dhe Gregori, djali i tij. Pjesë e tryezës kanë qenë dhe “të zotët e shtëpisë”, familja e Dashamir Pezës.
Persona jashtë familjes që kanë marrë pjesë në darkë ishin Liri Begeja dhe një mikeshë e huaj e Edi Ramës. Kjo ka qenë tryeza, më të cilën mbrëmë Edi Rama dhe Linda Basha i dhanë fund beqarisë për të quajtur tash e tutje çifti Rama.
Zonja e shtëpisë, gruaja e Dash Pezës, rrëfen darkën intime në shtëpinë muze në fshatin Pezë të Tiranës
Entela Peza: Si u martua Edi Rama në shtëpinë time
Është mesditë dhe ende ka shumë gjëra për të bërë. Entelës i zien koka dhe si zonjë shtëpie që është kujdeset që çdo gjë të jetë gati për darkën e madhe. Në fakt, dhe pse nuk do të jenë shumë njerëz, për Entela Pezën dhe të pranishmit e kësaj nate, kjo është një darkë e madhe. Entela kujdeset për çdo detaj, paçka se gjithçka që përmban menyja dhe arredimi i shtëpisë janë të ideuara nga Linda dhe Edi. Nga mesdreka Entela kishte ende shumë punë për të bërë. Mungonte servisi i përsheshit të gjelit të detit. I bie telefonit për të përzgjedhur pikërisht atë të duhurin, që është me ato tasat e vegjël e me pjatancat e zbukuruara. E pasi sigurohet disa herë që pas pak do të vijë pikërisht ai i duhuri, Entela i hedh një sy një punonjësi sanitar që rrekej t’i jepte dorën e fundit pastrimit të oborrit dhe shtëpisë në hyrje, të së cilës dy shandanë të mëdhenj flakëronin gjithçka përreth.
I kanë sjellë aty në orët e para të mëngjesit, me dëshirën e mirë që qirinjtë do të ndikojnë sado pak në krijimin e një atmosfere sa më romantike, por Entela të shpjegon se shandanët, (pak më tutje ndodhen edhe një dyzinë ca më të vegjël) nuk do të përdoren gjatë darkës.
Nga jashtë, askush nuk e kupton dot që gjatë mbrëmjes në atë shtëpi do të bëhet një dasmë. Shtëpia Muze e Myslym Pezës nuk ka asnjë zbukurim nga jashtë. Ndërsa në hollin e shtëpisë, gjithçka është vendosur me një shije të hollë. Tavolinat janë të stiluara me mbulesa të mëndafshta, ku mbizotëron ngjyra panë dhe bezhë, e cila shkon hijshëm me dekorin e ambientit përreth shtëpisë muze.
Gotat dhe servisi janë shtruar në tryezë. Entelës i mungon njëri syresh që është pikërisht ai me të cilin serviret një nga ushqimet karakteristike të “tironcave”, përsheshi me gjel deti. Entela tregon se menyja e darkës do të jetë krejtësisht tradicionale shqiptare. Që fillon me antipastat dhe deri te torta të shoqëruara me verë, sigurisht nga ajo e një cilësie me të mirë. Por, në mesditë, ende asgjë nuk ishte gati. Ndaj, dhe çdo tik-tak i orës rriste ankthin e Entelës. Ajo e di fort mirë që Linda dhe Edi janë “të fiksuar” në çdo detaj dhe Entela duket se ka bërë gjithçka që çiftit Rama t’i dhurojë natën më të bukur të jetës. Dhe duke gjykuar nga pamja e hijshme që kishte marrë shtëpia, duket se ia kishte dalë mbanë…
Policia, masa për dasmën
Ndërkohë, burime të policisë së Tiranës kanë bërë të ditur se pas një letre të dërguar nga familja Rama, ata kanë marrë masa të shtuara sigurie për orët e dasmës së kreut të opozitës. Veç masave të sigurisë ka një plan masash për të lehtësuar trafikun dhe kushtet e tjera të lëvizjes gjatë orëve të ceremonisë, – bëjnë të ditura burime të policisë së kryeqytetit.
Fajon, dhuratë dasme për Ramën
Tanja Fajon, gruaja e lidhur ngushtësisht tashmë me çështjen e vizave të shqiptarëve, ka qenë dje në Tiranë. Asaj iu dorëzua Çelësi i Tiranës nga kryebashkiaku Rama dhe jo vetëm kaq. Fajon dhe Rama kanë darkuar bashkë dhe Fajon e ka uruar Ramën për dasmën.
Ajo i ka bërë kreut socialist edhe një dhuratë. Fajon ka ardhur nga Prishtina në Tiranë në një vizitë që nuk ka pasur të bëjë me ndonjë ftesë nga qeveria. Ajo është shoqëruar nga Erjon Veliaj në rrugën nga Prishtina në Tiranë
Këshilla e munguar e Rudina Magjistarit
Çfarë do të thotë të jetosh me një politikan aktiv? E kush më mirë se gratë e politikanëve mund t’i jepnin një këshillë bashkëshortes së ardhshme të kryetarit të PS-së. Mirëpo, nuk ka qenë kaq e lehtë të merrje një këshillë për zonjën Basha nga zonjat e rivalëve politikë të Ramës.
Me përjashtim të Liri Berishës që pyetjes së “SH2”-it iu përgjigj me një urim të shkurtër, gratë e tjera të politikanëve më të njohur të sotëm në vend, i janë shmangur (gati-gati me alarm!!) deklarimeve mbi dasmën dje gjatë kontakteve me gazetaren e “SH2”-it.
Xhoana Nano, gruaja e ish-paraardhësit të Ramës në PS, Fatos Nano, tha se nuk dëshironte të jepte asnjë këshillë dhe asnjë deklaratë për këtë dasmë, ndërsa Monika Kryemadhi, bashkëshortja e kreut të LSI-së, Meta, u shmang gjatë gjithë ditës së djeshme.
Një tjetër këshillë e munguar ka ardhur nga gruaja, e cila shumë më tepër se të tjerat e njeh bashkëjetesën me z. Rama, Rudina Magjistari. “Mendoj se nuk jam personi i përshtatshëm për të folur mbi këtë martesë”, – tha ajo.
E kursyer në fjalë, por gjithsesi e hapur, ka qenë ndërkohë bashkëshortja e Sali Berishës. “I uroj çiftit Rama mbarsi e shëndet!” – tha ajo e pyetur dje nga gazetarja e “Sh2”-it.

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here