Home Sport Horror në Laç, goditet dhe përfundon në spital mbrojtësi i Kukësit, Dritan...

Horror në Laç, goditet dhe përfundon në spital mbrojtësi i Kukësit, Dritan Smajli

93
0

kukes-smajliHorror në Laç, goditet dhe përfundon në spital mbrojtësi i Kukësit, Dritan Smajli. Që Laçi-Kukësi do të ishte një ndeshje e tensionuar pritej, por jo që do të degjeneronte në këtë mënyrë. Tensioni i nisur që para dy vitesh mes tifozërive në ndeshjet e vlefshme për Kupën e Shqipërisë, vijoji gjatë javës së fundit në rrjetet sociale. Jo më kot sektori i garave në FSHF kërkoi që në stadiumin e Laçit të kishte Forca Speciale, të cilat do të garantonin sigurinë dhe mbarëvajtjen e takimit. Mirë- po, as policia dhe forcat shtesë të specializuara nuk kanë mundur të parandalojnë dje tërbimin e afro dy mijë tifozëve kurbinas. Ndeshja që përfundoi në shifrat 2-1 për vendësit ishte brenda normalitetit në fushë deri në minutën e 47-të, edhe pse hedhja e sendeve të forta thuajse nuk pushoi. Megjithatë, pas një pjese të parë me luftë sportive në fushën e lojës dhe ofendime pa fund nga shkallët e stadiumit, gjithçka u prish në startin e së dytës.

Ngjarja Në minutën e 47-të, Kukë- si ka të drejtën e një rivënieje anësore në krahun e djathtë të sulmit, afër tribunës ku ishin të pozicionuar ultrasit e Laçit. Është mbrojtësi Smajli që shkon të marrë topin për të kryer rivënien, por në momentin që kërkon të hedhë “sferën” me duar, goditet me një flakadan në pjesën e qafës dhe të kokës. Menjëherë lojtari shtrihet në tokë dhe në këtë moment, në drejtim të tij vjen një çadër dhe gurë pa fund. Lojtarët e të dyja skuadrave grumbullohen në atë pjesë të fushës, në një kohë që tifozët nuk reshtin së hedhuri sende. Gjyqtari Jorgji ndërpret ndeshjen dhe menjëherë merr çadrën e hedhur në fushë për ta çuar te delegati i ndeshjes si provë e asaj që ndodhi. Smajli nuk është në gjendje të vazhdojë lojën, teksa merr menjëherë ndihmën e stafit mjekësor. Mirëpo, në këtë situatë, arbitri nuk e vlerë- son takimin si të pamundur për të vazhduar. Ai vendos që loja të vijojë normalisht, edhe pse fusha ishte mbushur me sende të forta, duke filluar nga gurët, çakmakët, çadrat e deri te monedhat e celularët. Në momentin që ndodhi incidenti, takimi ishte në shifrat 1-1, por më pas Laçi përmbysi gjithçka.

Gjici akuzon: Na pritën me kallash, Laska i bëri të gjitha

safet-gjiciShpërthen presidenti i Kukësit, Safet Gjici. Vetëm pak minuta pas përfundimit të ndeshjes në Laç, ai ka lëshuar akuza pa fund në drejtim të homologut të tij kurbinas, Pashk Laska. Gjici tregon versionin e tij për ngjarjen e djeshme, ndërsa e cilëson si një luftë me banda. Sipas tij, presidenti i Laçit i ka bërë presion gjyqtarit dhe delegatit për të mos e ndërprerë ndeshjen.
Ngjarja “Ajo që ndodhi sot (dje) në Laç, vetëm futboll nuk ishte, por luftë me banda. Ne kemi shkuar atje të luajmë futboll dhe jo të bëjmë luftë. Lojtari ynë, Smajli, është goditur gjatë gjithë kohës me gurë e me sende të forta. Ai arbitër, kur pa lojtarin të gjakosur, si nuk e ndërpreu ndeshjen?! Çfarë arbitri është ky, çfarë pret ai që lojtari të vdesë në fushë, ta varrosim aty?! Nuk është futboll ky! Një si Pashk Laska, që duhet të ishte përjashtuar nga futbolli, kështu mund të fitojë, me dhunë, me armë dhe kallash. Lojtari ynë është çarë dhe është transportuar në Spitalin Ushtarak në gjendje të rënduar, ndërsa ndeshja nuk u ndërpre. I kërkuam delegatit dhe arbitrit ta bënin një gjë të tillë, por atyre u ka shkuar Pashk Laska dhe u ka bërë presion për të ndërruar procesverbalet. I dërgova ‘sms’ edhe presidentit të FSHF-së, Duka, madje mora edhe Tahir Kastratin, duke i thënë se nesër (sot) do të sjellim provat. Ndeshja është parë direkt në televizor dhe të gjithë e dinë se çfarë ndodhi. Djali i tij (Pashk Laskës), së bashku me një polic, kanë marr kasetën e ndeshjes me dhunë. Do të kërkojmë dhe për këtë, ta gjejnë policin kush është dhe të dënohet. Në vend që të shkonte të kapte ata që goditën Smajlin, polici shkoi të marrte kasetën. Nuk është futboll ky, kjo është luftë! Ne e kishim fituar ndeshjen, bëmë golin dhe gjatë kësaj kohe tifozët po gjuanin me shishe. Pastaj kur e panë që nuk e fitonin dot ndeshjen, shkoi Laska te delegati dhe arbitri duke i bërë presion. Ky është i vetmi president që nuk rri në tribunë. Si ka mundësi që ky president nuk rri në vendin e vet, por shkon sa andej e sa këtej nëpër delegatë e arbitra, duke u bërë presion?! Çfarë presidenti është ky, çfarë futbolli është ky?!”, deklaroi i irrituar presidenti i Kukësit.

Kërkesa “Në mënyrën më absolute do të kërkojmë trepikëshin në tavolinë dhe gjithashtu dënimin e ekipit të Laçit dhe vënien përpara drejtësisë të organizatorëve. Do të bëjmë kallëzim penal për autorët e ngjarjes. Nga ana tjetër, mund të themi se policia nuk ka bërë detyrën e vet. Ka lejuar tifozët me gurë, me shishe, me çadra dhe me sende e mjete të forta, duke mos i kontrolluar. Ne prandaj kemi kërkuar forca policore shtesë, për këto arsye, që të kontrollojnë një për një tifozët, pasi u pa që aty do të kishte probleme ndeshja. Tani, nëse ky arbitër priste që lojtari të vdiste në fushë, në bazë të rregullores, duhet të ndërpriste ndeshjen në momentin që u godit Smajli. Ai u gjakos rëndë me çadër dhe imagjino nëse ajo do ta kapte në sy. I është kërkuar arbitrit nga trajneri dhe nga drejtori teknik që të ndërpriste ndeshjen, por ai nuk e bëri një gjë të tillë nga frika. Jorgji e bëri këtë, sepse në Laç nuk luhet futboll, por bëhet luftë. Kjo është logjika në Laç, për të fituar duhet dhunë. Nuk kanë faj lojtarët, ata kanë ardhur për të luajtur futboll”, shtoi Gjici.

Arsyet Në fund Gjici thotë se policia i ka të gjitha faktet dhe se duhet të veprojë. Sipas tij, në stadiumin e Laçit pati nga të gjitha, madje edhe armë. “Arsyet pse ndodhi gjithë kjo, i di vetëm presidenti i Laçit, unë nuk i di. Skuadra ka shkuar në Laç të luajë futboll. Ai (Laska) e pa që Kukësi po fitonte, e pastaj filloi dhuna. Të fitonte më i miri, por kur e panë që nuk na dilnin dot me lojë, çfarë bëri: dhunë, goditje lojtari, sharje, presion arbitrit, ndërhyrje të rënda në fushë. Policia ka qenë aty, kamerat i kanë të gjitha faktet, e pa gjithë Shqipëria çfarë u bë. Të luhet futboll tamam, ne i mundim, por jo me luftë, me sende të forta, me grushte apo me armë, ça nuk ishte futur në stadium”, përfundoi Gjici, i cili njëherësh është edhe në postin e prefektit të Kukësit.

Cungu ne konference shtypi pas ndeshjes me Metalurgun Cungu: Dënoj incidentin, nuk e kuptoj sjelljen e tifozëve

cunguTrajneri i Laçit, Armando Cungu, ka dënuar incidentin e ndodhur gjatë ndeshjes, ndërsa për atë që u luajt në fushë ka thënë se skuadra e tij e meritoi fitoren. “Incidenti që ndodhi nuk ishte një gjë e mirë dhe unë jam kundër këtyre. E respektoj shumë tifozërinë e Laçit dhe nuk e kuptoj një sjellje të tillë. Tifozëria duhet të mbështesë skuadrën dhe nuk duhet të merret me asgjë tjetër”, është shprehur fillimisht shkodrani Cungu. Ndeshja “Sa i përket asaj që u luajt në fushë, mendoj se Laçi tregoi që tabela e klasifikimit nuk është shumë reale. Ne e dominuam lojën, madje edhe në momentin që pësuam gol nuk u demoralizuam. Ne pretendimet i kemi pasur që në fillim, por për të qenë realë edhe ekipi ynë ka problematikat e tij. Kishim kohë që ishim përgatitur për këtë takim mjaft të rëndësishëm për ecurinë tonë, duke qenë se luanim në shtëpi. Duke parë që kishim disa ndeshje që nuk arrinim të merrnim tri pikët, e kishim vlerësuar mjaft Kukësin dhe synimi ynë ishte marrja e fitores. E filluam mjaft mirë, ku patëm disa raste në fillim, por Kukësi e mori veten dhe për disa minuta na e bëri të vështirë, e për pasojë arritëm të pësonim golin e disavantazhit. Megjithatë, djemtë rritën presionin për ta barazuar takimin dhe gjithçka u realizua. Në pjesën e dytë arritëm të krijonim mjaft raste për shënim dhe goli erdhi shumë shpejt. Duke parë që ndeshja shkoi 2-1 për ne, Kukësi doli përpara për të barazuar dhe la mjaft hapësira mbrapa që nuk u shfrytëzuan nga futbollistët e mi. Në tërësi jam mjaft i kënaqur nga paraqitja e çunave, por më vjen keq për rezultatin, pasi duhet të ishte shumë më i thellë. Shpërdoruam jo pak”, deklaroi pas ndeshjes trajneri i Laçit.

Shaqiri: Ndeshja mbaroi kur u godit Smajli

Trajneri i Kukësit, Artim Shaqiri, e cilësoi ndeshjen si të mbaruar në momentin kur mbrojtësi lezhjan, Dritan Smajli, u godit në fushë. Pas takimit, kreu i pankinës kuksiane deklaroi: “Fatkeqësisht, ndodhi ajo që nuk do të doja t’i ndodhte asnjë futbollisti, pa marrë parasysh se ku luhet ndeshja. Pritej një takim korrekt, që tifozët të kënaqen dhe jo të ndodhin kështu gjërash. Megjithatë, nuk dua të komentoj shumë, pasi nuk është puna ime që të flas për gjëra të tilla. Megjithatë, pas atij rasti, u detyruam të bënim disa ndryshime në ekip pas daljes së Smajlit. Bëmë zëvendësime aty ku nuk kishim nevojë, por nuk kemi çfarë të bëjmë. Për mua në ato momente ndeshja ka mbaruar, por për këtë le të vendosë Disiplina. Duhet të ndërpritej ndeshja, por FSHF ka komision disiplinor dhe rregullore. Pas kësaj që ndodhi duhet ta fitojmë takimin në tavolinë, ashtu siç parashikon rregullorja. Të shpresojmë se do të ndodhë ashtu. Megjithatë, puna ime si trajner dhe e ndihmësve të mi, është që të analizojmë atë që ndodhi në fushë dhe të nxjerrim në pah gabimet që u bënë gjatë ndeshjes dhe të mendojmë për ndeshjen e radhës”. Më pas, i pyetur se sa shqetësuese është për të gjendja e Smajlit, trajneri Shaqiri u përgjigj: “Për momentin, nuk është shumë shqetë- suese. Megjithatë, nuk mund të them më shumë, pasi do të presim rezultatet përfundimtare për të parë se çfarë ka konkretisht”, përfundon prononcimin trajneri i Kukësit.

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here