Kristiano Ronaldo është bërë sot futbollisti i parë që arrin shifrën e 100 golave në aktivitetet europiane për klube. Futbollisti i Real Madrid shënoi dy gola në suksesin 2-1 të skuadrës së tij në fushën e Bajern Mynih për t’i dhënë spanjolleve një avantazh të rëndësishëm drejt gjysmëfinaleve të Ligës së Kampioneve.
Ndeshja filloi me Realin në sulm, që iu afrua shumë golit më anë të Benzema i cili goditi traversën. Por pak minuta më vonë, Vidal nuk fali para portës duke shënuar me kokë pas një goditje nga këndi për t’u dhënë avantazhin vendasve. Këta të fundit krijuan edhe raste të tjera shënimi dhe ishin më afër golit të dytë, përsëri me Vidal, por ky i fundit shpërdoroi një penallti para mbylljes së pjesës së parë duke i hequr mundësinë ekipit të tij të shkonte më i qetë në pushimin e ndeshjes.
Gabimi i kilianit nga pika e bardhë u ndëshkua shumë shpejt nga Ronaldo, i cili kishte 659 minuta pa realizuar në Ligën e kampioneve. Portugezi nuk shpërdori harkimin perfekt në qendër të Karvahal për të barazuar shifrat dhe për të zgjuar ekipin e tij që filloi të shihte gjithnjë e më shumë drejt sulmit.
Madrilenëve një dorë ua dha edhe Havi Martinez, i cili u ndëshkua dy herë me të verdhë brenda tre minutave për të lënë skuadrën e tij me 10 lojtarë. Në inferioritet numerik, Bajerni përballoi me vështirësi sulmet e Realit që u bë padron në fushën e lojës. Ronaldo e Benzema shpërdoruan shumë raste para portës kundërshtare duke detyruar shpeshherë Nojerin të bënte mrekulli.
Por as portieri gjerman nuk mundi të bënte asgjë në minutën e 77 të ndeshjes kur Ronaldo dërgoi topin në rrjetë për të dytën herë duke shkruar emrin e tij në historinë e futbollit europian me golin e 100-të në karrierë.
Pavarësisht dominimit spanjoll në minutat e mbetura, shifrat nuk do të ndryshonin më deri në vërshëllimën përfundimtare, duke i dhënë madrilenëve një avantazh shumë të rëndësishëm për kalimin në gjysmëfinalet e Ligës së Kampioneve.
Bajern Mynih-Real Madrid 1-2
25′ Vidal / 47′, 77′ Ronaldo
Bajern Mynih: Nojer, Martinez, Boateng, Lahm, Alaba, Tiago, Alonso (64′ Bernat), Riberi (66′ D. Kosta), Vidal, Roben, Myler (81′ Koman).
Trajner: K. Ançeloti
Real Madrid: Navas, Ramos, Naço, Karvahal, Marcelo, Kros, Kasemiro, Modriç, Beil (59′ Asensio), Ronaldo, Benzema (83′ Rodriguez).
Trajner: Z. Zidan
KK: 61′ Martinez