Home Politike PS vijon akuzat ndaj ministres së Integrimit. Bregu padit Ramën

PS vijon akuzat ndaj ministres së Integrimit. Bregu padit Ramën

649
0

Partia Socialiste ka lëshuar akuza të rënda në drejtim të familjarëve të ministres së Integrimit Majlinda Bregu, për lidhje me biznesin e mafiozit Albino Prudentino. Përmes deputetes Ermonela Felaj, PS pretendon se në bizneset e mafiozit italian është përfshirë edhe kunati tjetër i ministres së Integrimit, i cili ka blerë prona të tij menjëherë pas arrestimit. Për të gjitha këto akuza, deputetja opozitare kërkoi nga kryeministri Berisha që të largojë nga qeveria ministren në fjalë. Por i menjëhershëm ishte reagimi i ministres Bregu,e cila ka paditur penalisht Edi Ramën dhe disa deputetë socialistë.
Akuzat e opozitës
Deputetja Ermonela Felaj, u shpreh se në organizatën mafioze të “Sacra Corona Unita” janë pjesë disa familjarë të zonjës Bregu. “Nëse familja e bosit të “Sacra Corona Unita” kishte përfshirë vetëm djalin e familjes, Angelo Prudentino, në bizneset në Shqipëri të kësaj organizate mafioze, nga familja Bregu është a përfshirë në të njëjtin biznes me familjen Prudentino jo vetëm njëra prej motrave të ministres, Ornela Bregu, jo vetëm një kunat, Ervis Gjeçi, por edhe kunati tjetër, Gani Baku”, theksoi Felaj.  “Shtetasi Gani Baku -sqaroi Felaj-, është bashkëshorti i Rovena Bregut, motrës së vogël së Ministres së Integrimit. Sipas saj, aksionet e Angelo Prudentinos, vetëm një ditë pas arrestimit të bosit të mafies, figurojnë t’i jenë shitur dy kunetërve të Majlinda Bregut, Ervis Gjeçi dhe Gani Baku. “Së dyti, nga i gjithë transaksioni financiar i kryer mes kunetërve të Majlinda Bregut dhe familjes Prudentino, rezulton se familjarët e ministres së Integrimit janë përfshirë, as më shumë e as më pak, se në një proces të mirëfilltë pastrimi parash të mafies italiane”, nënvizoi deputetja e opozitës.
Mbrojtja e Bregut
Ministrja e Integrimit, përmes avokatit të saj depozitoi dje në Prokurorinë e Tiranës padinë ndaj Edi Rames, të cilin e akuzon për shpifje dhe fyerje. Në një komunikim me mediat, Majlinda Bregu tha se ajo mban përgjegjësi vetëm për familjen e saj dhe se me zotin Rama do të përballet para drejtësisë për gjithë akuzat që ka hedhur mbi të. “Unë, Majlinda Bregu, të sfidoj ty Edvin Rama, ligjërisht. Kam zgjedhur rrugën ligjore që drejtësia t’u japë përgjigje të gjithë akuzave monstruoze të drejtuara nga ti, të ideuara nga ti, ndaj meje. I qëndroj plotësisht vullnetit të kësaj mazhorance, ndaj kërkoj që drejtësia të shprehet ndaj çdo akuze të hedhur ndaj personit tim dhe përsëris ftesën drejtuar Prokurorisë për t’i hetuar ato sa më shpejt”, tha Bregu. Ministrja theksoi se “mban çdo përgjegjësi ligjore ndaj vetes, bashkëshortit dhe fëmijëve të saj”.

Ermonela Felaj
“Nëse familja e bosit të “Sacra Corona Unita” kishte përfshirë vetëm djalin e familjes, Angelo Prudentino, në bizneset në Shqipëri të kësaj organizate mafioze, nga familja Bregu është a përfshirë në të njëjtin biznes me familjen Prudentino jo vetëm njëra prej motrave të ministres, Ornela Bregu, jo vetëm një kunat, Ervis Gjeçi, por edhe kunati tjetër, Gani Baku”.

Majlinda Bregu
“Unë, Majlinda Bregu, të sfidoj ty Edvin Rama, ligjërisht. Kam zgjedhur rrugën ligjore që drejtësia t’u japë përgjigje të gjithë akuzave monstruoze të drejtuara nga ti, të ideuara nga ti, ndaj meje. I qëndroj plotësisht vullnetit të kësaj mazhorance, ndaj kërkoj që drejtësia të shprehet ndaj çdo akuze të hedhur ndaj personit tim dhe përsëris ftesën drejtuar prokurorisë për t’i hetuar ato sa më shpejt”.

Rama: Berisha po sundon mbi popullin
Nga Gramshi, ndalesa e radhës e turit të dialogut me bazën, Edi Rama përsëriti akuzat për korrupsion ndaj disa ministrave të qeverisë. Rama tha se korrupsioni ka filluar të kërcënojë edhe jetën e qytetarëve. Ku sipas tij, ishte rasti i lejes së dhënë për të dënuarin nga Krimet e Rënda që u arratis pas një leje disa orëshe të dhënë për të vizituar familjarët. “As ministri i Drejtësisë dhe as ministri i Brendshëm nuk japin llogari. Ministri i Brendshëm na tregon se policia është në krye të detyrës, kur zëvendësdrejtori i Përgjithshëm i Policisë është i akuzuar nga një ish-ministër i qeverisë Berisha për korrupsion”, tha Rama. Sipas Ramës, në Shqipëri pushteti po sundon popullin. “Ky sundim vjen sepse populli nuk është i lirë të zgjedhë. Dhe kjo situatë, në këtë pikë, mund të ndryshohet vetëm me protesta popullore”.

PD: Rama të mos heshtë! Ajtyresa: Të ikë Sali baba me 40 hajdutë!

Deputetët demokratë Arenca Trashani dhe Luçiano Boçi kanë akuzuar i kanë kërkuar dje kreut të PS-së, Edi Rama që të mos heshtë përballë akuzave që i bëhen. Pas këtyre deklaratave ka ardhur reagim i menjëhershëm nga selia rozë. “Dëgjuam prapë deputetët Boçi e Trashani. Të njëjtat sharje, të njëjtat gënjeshtra. E njëjta politike e përbaltjes. Shqiptarët e kanë kuptuar se s’keni argument dhe kjo baltë e juaja është shprehje e dëshpërimit të madh ku jeni zhytur”, u shpreh anëtarja e Kryesisë së PS-së, Megi Ajtyresa. “Po ju Sali Berisha, nuk arrini ta kuptoni kaq gjë? S’e kuptoni zoti Berisha se njerëzit e dëshpëruar bëjnë gjëra të dëshpëruara dhe sot ju dhe çeta juaj në pushtet dukeni më të dëshpëruar se kurrë?”, apeloi më tej përfaqësuesja socialiste. Duke shtuar se kryeministri në fakt është hajduti që bërtet kapeni hajdutin. “Ju dhe ministrat tuaj, sekserët tuaj, jeni bërë një çetë që pasi vodhi votat e shqiptarëve, tashmë keni hyrë në shtëpitë e shqiptarëve dhe po u vidhni xhepat. Ikni o Sali baba, bashkë me 40 hajdutët tuaj, që të çlirohet Shqipëria”, tha ajo.

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here