Home Aktualitet Liberalizimi i vizave, Edi Rama pershendet vendimin

Liberalizimi i vizave, Edi Rama pershendet vendimin

712
0

Kryesocialisti Rama në një deklaratë për shtyp përshëndeti vendimin e Parlamentit Europian për të liberalizuar vizat për Shqipërinë dhe Bosnjen. Vendimi i PE për të përmbysur murin e vizave, sipas kreut të PS, i jep fund rropatjes së shqiptarëve.

“Kjo është padyshim një ditë e bukur për Shqipërinë dhe një ditë e rrallë për kënaqësinë që u sjell qytetarëve shqiptarë në këto kohë të vështira.
Vota e Parlamentit Europian për liberalizimin e vizave hap dyert e Europës për çdo qytetar të këtij vendi dhe lajmëron fundin e peripecive njëzetvjeçare të shqiptarëve për një leje lëvizjeje në Europë të quajtur vizë; fundin e rropatjeve të njerëzve të thjeshtë të këtij vendi nëpër gjithfarë radhash para ambasadave e konsullatave të Bashkimit Europian për një liri e të drejtë që hyn në liritë e të drejtat themelore të njeriut; fundin e arratisjeve nga atdheu duke kapërcyer ilegalisht kufijtë nga toka e nga uji qoftë edhe për të vizituar në spital vëllanë emigrant në dhe të huaj….”, – deklaroi Rama.

Sipas kreut të selisë rozë, liberalizimi i vizave u bë i mundur falë raportit të shkëlqyet të eurodeputetes socialiste Tanja Fajon, për të cilën ka shprehur mirënjohje të vecantë, ndërsa ka shtuar se politika, nuk ka bërë gjë tjetër vecse e ka vonuar këtë ditë për shqiptarët.

“Dua të falënderoj përzemërsisht në emër të opozitës shqiptare të gjithë ata miq e partnerë që ndihmuan për realizimin e kësaj dëshire të hershme duke vënë në vend një të drejtë të munguar pafundësisht për qytetarët e këtij vendi. S’besoj se është e tepërt të falënderoj veças socialisten europiane Tanja Fajon, e cila e kreu me pasion e zotësi detyrën e saj duke dëshmuar në çdo hap kurajo e vullnet për të thënë të vërtetën e madhe se liberalizimi i vizave është një liri dhe e drejtë që Europa u’a jep shqiptarëve pa dallim”,- tha ndër të tjera Rama.

Ndërsa në lidhje me komentet që bëri kryeminstri shqiptar, pasi PE votoi pro liberalizmit, kryesocialisti u shpreh se nuk ka asnjë koment, pasi sot respekton vendimin për shqiptarët.

“Sa për paradën e kryeministrit sot nuk dëshiroj të bëj asnjë koment në respekt të shqiptarëve pa dallim bindjesh e përkatësish politike, të cilët janë mjaftueshmërisht të mençur e të rrahur me vajin e me uthullën e këtyre njëzet vjetëve sa ta kuptojnë vetë se lëvizja e tyre e lirë është një projekt europian dhe një vullnet europian dhe se çdo rrahje gjoksi para ekraneve këtu në Tiranë për përfshirjen e Shqipërisë në hartën e Europës pa viza është thjesht qesharake. Sidomos pas kaq shumë vitesh vonesë e mbetjesh vjeshtë pas vjeshte në klasë jo për faj të Europës, e as me pak të popullit shqiptar”,- u shpreh kreu i selise roze.

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here