Pas rreth 30 vitesh në pushtet presidenti i Egjiptit, Hosni Mubarak ka dhënë dorëheqjen.
Lajmin e ka bërë të ditur zv.presidenti, Omar Sulejman. Në një deklaratë përmes televizionit shtetëror të Egjiptit ai u shpreh se Mubarak ka dhënë dorëheqjen. “Pas gjithë kësaj gjendje shumë të vëzhtirë që po kalon Egjipti, presidenti Hosni Mubarak ka vendosur të japë dorëheqjen dhe ngarkon Këshillin e Lartë të Ushtrisë për të administruar punët e shtetit”,- është shprehur Sulejman
Protestuesit tashmë po valëvisin të kënaqur flamurin kombëtar.
Ai është gjendur në presion të vazhdueshëm për të ndërmarrë një gjë të tillë, nga protestuesit të cilët për 18-të ditë me radhë kanë protestuar në sheshin qendror të Kajros, gjithashtu ka ndikuar dhe presioni i jashtë kryesisht nga SHBA.
* * * *
BBC dhe AFP raportojnë se Presidenti i Egjiptit, Honsi Mubarak së bashku me familjen e tij ka lënë Kajron. BBC dha një lajm të tillë, bazuar në burime nga zyrtarë perëndimorë. Madje BBC ka bërë të ditur edhe destinacionin e tij, që është Sharm El-Sheikh.
Ndërsa, AFP pak më vonë bazuar tek burimet e afërta brenda qeverisë egjiptiane pohon se Mubaraku ka lënë Kajron bashkë me familjen e tij.
Pas këtij lajmi përfaqësues të opozitës janë shprehur se nëse kjo është e vërtet protestat do të pushojnë pasi ata kërkojnë ose largimin ose dorëheqjen.
Një zyrtar i Partisë Demokratike Kombëtare, Maged Moutos është shprehur se Mubaraku tashmë është vetëm si figurë në krye të shteti pasi ia ka deleguar të gjitha kompetencat zv.presidentit.
Por tashmë ekzistojnë disa pikëpyetje se duke u larguar nga vendi pa dhënë dorëheqjen mos Mubarak shpreson të rikthehet pasi turmat të jenë shpërndarë. Televizioni shtetëror i Egjiptit ka njoftuar se së shpejti do të ketë një qëndrim të rëndësishëm nga zyra e presidentit.
* * * *
Në një kohë kur Mubaraku po kërkon me çdo kusht t’i shkoi deri në fund mandatit, ushtria po kërkon të luajë rol në zgjidhjen e situatës së krijuar nga protestat që kërkojnë largimin e presidentit.
Ushtria ka dhënë garancinë se do të heq ligjin e situatës së jashtëzakonshme, që është në fuqi prej më shumë se 30 vite, ajo ka kërkuar që për këtë hap më parë duhet të përfundojnë protestat, të cilat kanë hyrë në ditën e 18-të.
Ushtria gjithashtu është zotuar se do të garantoi zgjedhje të lira, të cilat janë programuar të mbahen në shtator.
Protesta e sotme pritet të jetë shumë e fuqishme, pasi Mubaraku tregoi edhe njëherë vendosmërinë për t’u mos u larguar. Protestuesit janë nisur drejtë pallatit presidencial.