Home Politike Gazeta zviceriane: “Larg syve të botës, në Shqipëri po ndodh një kthesë...

Gazeta zviceriane: “Larg syve të botës, në Shqipëri po ndodh një kthesë politike.”

519
0

Martin-Woker“Larg syve të botës, në Shqipëri po ndodh një kthesë politike.” Kështu shprehet gazetari i njohur Martin Woker në një artikull të së përditshmes zvicerane ‘Neue Zürcher Zeitung’, i cili vlerëson ndryshimet që po ndodhin me ardhjen e qeverisë së re, duke vënë në fokus përfshirjen e përfaqësuesve të shoqërisë civile në udhëheqjen e proceve të rëndësishme të qeverisjes, dhe ku si shembull merr Ministrin e Mirëqënies Sociale, Erion Veliaj.

Gazetari Woker, sjell një panoramë hap pas hapi të gjithë jetës së ministrit që nga 1991 kur ai emigroi drejt Greqisë me xhaxhain e tij, përfshirja e tij si aktivist i lëvizjes “Mjaft” për një Shqipëri ndryshe, e deri ditën e sotme në ministri dhe reformat që ai ka marrë në krye të këtij dikasteri.

Shkrimi rendit aktivizimin e Veliajt në organizata amerikane në ndihma humanitare të vendeve në nevojë si Elsalvador, Afrikën e Jugut, Ruandë dhe ajo e refugjatëve kosovarë në veri të Shqipërisë në vitet e luftës. Më pas ai i bashkohet lëvizjes rinore dhe jopolitike “Mjaft” e cila sipas Woker nuk i trembej politikës aktuale por protestonte ndaj saj në emër të shoqërisë civile.

Më pas vjen aderimi i tij në Partinë Socialiste, i cili nuk ishte aspak i lehtë sipas Woker pas protestave të bëra nga “Mjaft”, por siç thekson vetë gazetari ndërrimin e brezave e kanë kaluar edhe ish-parti të tjera komuniste.

“Të bindje 2000 delegatë të partisë se ky aktivist i ri i lëvizjes “Mjaft” kishte vend në radhët e tyre, kishte qenë një veprim i fuqishëm. Ndërkohë që, më parë Veliaj dhe shokët e tij i kishin irrituar kuadrot e vjetër të parties me aksionet e tyre provokuese. Ndërrim brezash, të cilin e kanë kaluar edhe ish parti të tjera komuniste.” shkruan Woker në artikull.

Me ardhjen në pushtet të PS, vjen edhe vendimi për ndalimin e importimit të plehrave, por edhe me një vendimarrje shumë të vështirë sipas gazetarit zviceran, atë të vendimit për pranimin ose jo të armëve kimike, duke parë edhe miqësinë e vendit tonë me SHBA-në. Por kësaj rradhe Shqipëria thotë jo.

“Kjo është demokracia: ekuilibri ndërmjet interesave të miqve dhe shqetësimeve të qytetarëve”. thekson gazetari Woker në shkrimin e tij duke cituar ministrin Veliaj.

Për të ardhur në masat e marra. Sipas gazetarit zviceran në shkrimin e tij, Shqipëria po ndryshon dhe bashkë me të edhe imazhi i saj jashtë vendit. Për këtë gazetari merr si shembull një sërë reformash. Në shkrimin e Neue Zürcher Zeitung vlerësohen masat e qeverisë për të ndaluar ndërtimet pa leje dhe për prishur ato ekzistente.

Por jo vetëm kaq, pasi gazetari Woker sjell në vëmendje se me ardhjen e Veliajt në krye të Ministrisë së Mirëqënies Sociale, vetëm 200 ditë më vonë rreth 80% e këtij dikasteri janë femra. Gjithashtu thekson Woker, hapjen zyrave të reja të punësimit, ku edhe këtu pjesa më e madhe e të punësuarve në këtë zyrë janë femra.

Megjithatë, sipas Woker, imazhi i Shqipërisë në Bruksel po ndryshon edhe me masat e marra në kuadër të barazisë së minoriteteve, ku gazetari zviceran nënvizon strehimin e 220 romëve. Në mbyllje të shkrimit, Woker vlerëson gjestin e ministrit Veliaj, i cili mori personalisht një djalë rom të plagosur dhe e dërgoi në spital për tu mjekuar, duke bërë kështu, siç thekson gazetari, që të mos ketë më paragjykime ndaj këtij komuniteti.

“Kjo ngjarje bëri bujë të madhe. Romët nuk diskriminohen më në këtë spital, gjë që i bën mirë imazhit të Shqipërisë, e shihet pozitivisht në Bruksel.” shkruan Martin Woker

Më poshtë shkrimi i plotë i gazetarit Martin Woker në gazetën zvicerane ​’Neue Zürcher Zeitung’:

Shqipëria përpara të gjithëve

Larg syve të botës, në Shqipëri po ndodh një kthesë politike. Përfaqësues të shoqërisë civile udhëheqin procese të rëndësishme të qeverisjes. Aktivisti që u bë Ministër, Erion Veliaj, po mësohet me jetën e institucioneve

nga Martin Woker, Neue Zürcher Zeitung

Për ta bërë të qartë qysh në fillim: Kjo nuk është një histori për gjakmarrjen, krimin e organizuar apo burrneshat shqiptare. Nga Shqipëria ka edhe lajme të mira. Në këtë rast, ky lajm i mirë quhet Erion Veliaj, Ministër i Mirëqenies Sociale dhe Rinisë, qysh prej gushtit të vitit të kaluar. Ai është shembulli tipik i konceptit se në Ballkan janë ekspertët e demokracisë, diplomatët dhe aktivistët ata që i çojnë përpara gjërat, të cilët pas një çerek shekulli workshop-esh dhe konferencash të panumërta, tashmë e njohin mirë termin e rrallë të quajtur “Oënership”.

Të provokosh njerëzit
Përkthimi më i goditur i fjalës “oënership” mund të jetë pronësi ose përkatësi. Pikërisht, kjo i mungonte Erionit dhjetëvjeçar, i cili në verën e vitit 1991, së bashku me dajën e tij, kapërceu kufirin për t’u vendosur në pjesën veriore të Greqisë. I ati i kishte vdekur pak kohë më parë nga kanceri, ndërsa e ëma, Shqiponja, ia besoi djalin të vëllait. Asokohe, shqiptarët largoheshin masivisht nga vendi i tyre i izoluar hermetikisht për më shumë se katër dekada, disa rrëmbenin anijet për t’u nisur drejt Italisë, të tjerë i drejtoheshin në këmbë kufirit në jug. Gjithçka tjetër ishte më e mirë se atdheu, ku sistemi kishte kolapsuar, popullsia vuante nga uria dhe ku mbizotëronte kaosi.
Erioni i vogël u kthye sërish tek e ëma në Tiranë, mësoi në shkollë me shumë vullnet dhe në moshën 17-vjeçare fitoi një bursë të vogël për studiuar në një universitet në Shtetet e Bashkuara të Amerikës. 19 vjeç u rikthye në veri të Shqipërisë për të punuar për një organizatë amerikane në ndihmë të refugjatëve kosovarë, duke vijuar më pas në fushën e ndihmës humanitare, një punë e cila do ta çonte edhe në Kongo-Kinshasa, Elsalvador, Afrikën e Jugut dhe në Ruandë. 24 vjeç, i sapodiplomuar, poliglot, rikthehet në Tiranë dhe ideja e tij ishte të bënte atë që ai e quan, duke përdorur shprehjen në anglisht, “ruffle the feathers”. Me fjalë të tjera: “t’i acarojë njerëzit”.
“Erion Veliaj, drejtues i lëvizjes rinore “Mjaft”, sheh si problemin më të madh në vend apatinë e shumicës, e cila nuk beson më se mund të ndryshojë diçka”, shkruhej më 3 nëntor 2004 në një të përditshme shqiptare ku botohej raporti rreth forcimit të shoqërisë civile nëpërmjet ndihmës për Evropën Juglindore. Titulli i artikullit: “Janë vetë qytetarët ata që duhet ta formojnë shtetin e tyre”. Dhjetë vjet më vonë, ky proces funksionon, por nuk përbën më lajm për në faqet e para.
Miqtë më të mirë, Shqipëria nuk i ka në Evropë, por në Shtetet e Bashkuara. Vendi i vogël i “mbjellë” me bunkerë, i hapi dyert për trupat amerikane në pranverën e vitit 1999, për të pritur refugjatët shqiptarë të luftës, por edhe për të kontribuar. Ndaj mirënjohja e shqiptarëve për Shtetet e Bashkuara i ka rrënjët e thella. Shqipëria dërgoi ushtarë në luftën e Irakut, ishte i pari vend europian që pranoi të burgosur nga kampi i Guantanamos dhe ka qendruar përherë besnik në shërbimet e kërkuara nga Uashingtoni. Në këtë traditë ishte thuajse e vetëkuptueshme që Shqipëria do të pranonte edhe armët kimike nga Siria dhe do t’i asgjësonte ato. Në vitin 2007, ishte asgjësuar arsenali i vet i blerë gjatë sundimit të Enver Hoxhës me ndihmën e ekspertizës amerikane (dhe zviceriane). Por, ndodhi ajo që nuk pritej: Shqiptarët thanë jo, nuk donin armë kimike siriane në vend dhe e vendosën në një situatë shumë të sikletshme qeverinë e zgjedhur në verë të socialistit Edi Rama.
Ishte më e mira që i ndodhi Ramës dhe njerëzve të tij, thonë në Tiranë. Kështu mendojnë edhe kritikën e qeverisë kur i kthehen asaj ngjarjeje. Jo-së i parapriu një nga protestat më të fuqishme që kishte njohur ndonjëherë Shqipëria, e cila kulmoi me një demonstratë përpara Ambasadës Amerikane. Ishte një mori njerëzish që u bashkuan në qendër të Tiranës: myslimanë, ekologjistë, anëtarë të demokratëve të sapolarguar nga qeveria, homoseksualë, të rinj dhe të moshuar, të cilët kishin një mesazh të qartë: “Ne nuk jemi më koshi i plehrave të Europës”. Njëri prej organizatorëve të protestës e paraqet kështu atë situatë: “Armët kimike nuk janë gjë tjetër veçse plehra”. Ai e di shumë mirë për çfarë flet. Si aktivist, ai ka luftuar për vite me radhë kundër importimit të plehrave nga Italia. Në këtë luftë, ai kishte patur mbështetjen e organizatës së krijuar në vitin 2004 me emrin “Mjaft”, një grupim i mbizotëruar nga studentë, lëvizje e cila provokonte me instrumente jokonvencionale të pasurit dhe të fuqishmit dhe nuk trembej në rrugën e saj për të ndalur këtë biznes të paskrupullt.
Dhjetë vjet më vonë, shumë prej drejtuesve të Mjaft-it mbajnë poste në kabinetin qeveritar, me rezultate të dukshme. Një ndër veprimet e para të qeverisë Rama ishte ndalimi i importit të plehrave të çdo lloji. Por, pikërisht atëherë erdhi kërkesa nga Uashingtoni. Si të veprohej? Në retrospektivë ministri Veliaj e sheh kështu këtë situatë: “Kjo është demokracia: ekuilibri ndërmjet interesave të miqve dhe shqetësimeve të qytetarëve”. Kryeministri vetë tregon se, ndërsa bisedonte në telefon me Sekretarin Amerikan të Shtetit, dëgjonte në sfond zhurmën që krijohej nga zërat e protestuesve.

Politika si biznes i pistë
Një qeveri, e cila lëshon pe përballë presionit të rrugës, në konceptin ballkanik shihet si humbëse. Këtu (në Ballkan) reputacioni, pushteti dhe pasuria janë të lidhura në mënyrë të pazgjidhshme. Afrimi me qytetarin, i promovuar kaq shumë nga BE-ja, është ide e huaj në një shoqëri, e cila politikën e duron si një biznes të pashmangshëm, por të pistë, një shoqëri që të gjithë bashkëkohësit mendjehapur do t’i shpjerë në përfundimin: Tipa si Veliaj janë tradhtarë. Në këndvështrimin e kësaj shoqërie është e paimagjinueshme ajo që po ndodh aktualisht në Shqipëri, pra reforma nga brenda e sistemit.
“Këta njerëz nuk i ndryshojnë strukturat”, shprehet një pedagoge universiteti, “sepse edhe vetë ministrat kanë ndikim të kufizuar”. Këtë mendim ndan edhe gazetari Gjergj Erëbara, i njohur për stilin e tij të drejtpërdrejtë: “Mund të bëhesh pjesë e sistemit, por nuk mund ta ndryshosh atë”. Kategorikë në refuzimin e tyre për qeverinë e re janë, dhe kjo nuk të habit, ndjekësit e kryeministrit të larguar nga detyra, Sali Berisha. Ky vetë, që dikur ishte pranë Enver Hoxhës me këshillat e tij mjekësore, qershorin e shkuar pësoi një humbje asgjësuese në zgjedhje. “Ajo që mund të ofrojë Rama është thjesht formë, pa përmbajtje”, shprehet njëri prej ish ministrave të Berishës. Pak më i butë është drejtuesi i “ResPublica”, Mustafa Nano. Ai preferon të presë dhe t’i vlerësojë të rinjtë nga veprat e tyre.

Antikonformist ekscentrik
Nano e thotë këtë pikërisht në një vend ku puna e Edi Ramës flet vetë, në një kafe të këndshme, në parkun e qytetit, në cepin midis rrugës “Ibrahim Rugova” dhe bulevardit “Zhan D’Ark”. Aty ku sot duket bari i dendur, pemët, stolat dhe një shatërvan në park, përpara 15 vjetësh kishte kioska, lokale fast-food-i, kazino të vogla dhe tezga, që i zinin frymën njëra-tjetrës. Hapësirat publike në qendër të Tiranës ishin zaptuar e ndërtuar nga njerëzit e ardhur nga të gjitha zonat e vendit pas rënies së sistemit komunist.
Ishte Edi Rama ai që i dha fund këtij zhvillimi të egër. I zgjedhur në vitin 2000 si kryebashkiak i Tiranës, ai vendosi t’i ndërronte faqen kryeqytetit gri të Shqipërisë. Ai, që vetë kishte studiuar e dhënë mësim për art në Paris, krijoi koncepte ngjyrash tërësisht autentike për rrugët e Tiranës, shkatërroi një e nga një ndërtimet pa leje, madje edhe ato në park, dhe punën e tij e mbronte me shprehjen se politika nuk ishte gjë tjetër veçse një formë ndryshe e artit. I luajtur nga mendtë? Kështu thoshin armiqtë e tij. Të lyesh fasadat, nuk do të thotë të reformosh shtetin. Zili për vëmendjen ndërkombëtare që po fitonte kryetari i Bashkisë? Ndoshta! Rama vetë thoshte se donte të zgjonte te qytetarët e Tiranës krenarinë e pronësisë. Kush ndihet pjesë e mjedisit të vet, mban edhe më tepër përgjegjësi. Kjo tingëllonte banale, por funksionoi. Qyteti e ka përballuar mirë, krahasimisht, rritjen eksplozive dhe katërfishimin e popullsisë së tij brenda njëzet vjetëve.
Përpara nëntë vitesh, Rama u zgjodh kryetar i socialistëve, i partisë dikur komuniste. Një antikonformist ekscentrik në politikën e Shqipërisë? Kjo s’ka për të funksionuar, kështu gjykonin atëherë vëzhguesit ndërkombëtarë. Piktori i vetëdijshëm u shfaq në skenën kombëtare, fillimisht me përballjet verbale. Por, fjalimet e tij e irritonin pa masë Berishën, shpërthimeve kolerike të të cilit ia kishin frikën. Ky ballafaqim mund të ishte argëtues, por i zhgënjente vazhdimisht funksionarët e lartë të dërguar nga BE-ja. Prej atëherë, ata kërkojnë nga politikanët e Shqipërisë pa përjashtim që “të gjejnë frymën e bashkëpunimit e të respektit të ndërsjelltë”. Por, edhe përfaqësuesit e Brukselit harrojnë se përfaqësuesit e popullit në Shqipëri, pas ndërrimit të sistemit, e kapën shpejt situatën: “The ëinner takes it all” (Fituesi i merr të gjitha).
Kështu, politikanëve shqiptarë nuk iu mbetet gjë tjetër veçse të jenë në qendër të vëmendjes. “Asnjëherë nuk mund të ofrosh mjaftueshëm informacion”, thotë Veliaj, i cili është tepër aktiv në Tëitter e Facebook, duke i bërë zgjedhësit e tij të jenë vazhdimisht vazhdimisht pjesë e përditshmërisë së Ministrisë. Ata e bombardojnë me pyetje dhe kërkesa, shpesh me qindra në ditë. Emaileve, Ministri iu përgjigjet personalisht deri natën vonë. “Transparencë do të thotë të mos kesh asgjë për të fshehur”, thotë ai.
Në një mëngjes të premteje, në qendër të Tiranës, përpara një vile të saporikonstruktuar në stilin kolonial italian, Edi Rama mban një fjalim të zjarrtë për trajtimin e së shkuarës komuniste. Në ndërtesën e dekoruar ruhen dosjet e 12.700 ish të burgosurve politikë. Këta të fundit, presin prej vitesh pagesën e dëmshpërblimit nga shteti. Ashtu siç thotë edhe vetë kryeministri, edhe parafolësi i tij përgjegjës për këto dosje, Erion Veliaj, premton një trajtim dëmshpërblyes për këtë barrë të vjetër. Pas përfundimit të fjalimeve, mbyllen kamerat dhe asnjërit prej gazetarëve televizivë nuk i shkon ndërmend të pyesë ish të burgosurit e mbledhur përpara portave të vilës. Në dallim nga Rama, i cili largohet me shpejtësi me limuzinën e zezë, Veliaj i pret këta burra të moshuar, të veshur keq, dhe dëgjon me vëmendje problemet e tyre. Por, as kjo nuk i’u intereson gazetarëve.
“Janë persona të veçantë ata që i ndryshojnë strukturat”, thotë Pandeli Majko, gjatë kafesë në hotel Rogner, qoshkën e mikpritjes austriake në Shqipëri. Socialisti Majko u zgjodh në vitin 1998 kryeministër i vendit, në moshën 30-vjeçare, qëndroi një vit në këtë funksion, u rikthye edhe një herë për një periudhë të shkurtër si shef i qeverisë, por u detyrua të bënte pas në përballjen për pushtet. Qysh prej asaj kohe, ky zotëri i sjellshëm mban imazhin e humbësit, gjë me të cilën duket se është mësuar të jetojë. Ai pretendon se ai vetë e ka prezantuar Erion Veliajn tek socialistët. Të bindje 2000 delegatë të partisë se ky aktivist i ri i lëvizjes “Mjaft” kishte vend në radhët e tyre, kishte qenë një veprim i fuqishëm. Ndërkohë që, më parë Veliaj dhe shokët e tij i kishin irrituar kuadrot e vjetër të parties me aksionet e tyre provokuese. Ndërrim brezash, të cilin e kanë kaluar edhe ish parti të tjera komuniste.

“Jo”, thotë Remzi Lani, “këtu bëhet fjalë për një ndryshim strukture”. Si një prej etërve të shoqërisë civile shqiptare, Lani është i kujdesshëm në gjykimin e tij. Ai tërheq vëmendjen se presidenca, drejtësia dhe ushtria janë ende nën kontrollin e demokratëve të Berishës. Nëse Rama do ta marrë seriozisht reformën e të gjitha institucioneve dhe do të shkarkojë punonjësit dhe gjyqtarët e korruptuar, do të bjerë në konflikt të pashmangshëm me ligjin aktual dhe diplomatët e dërguar nga Brukseli, të cilët kërkojnë respektimin germë për germë të shtetit ligjor. Dhe faktikisht BE-ja e refuzoi kërkesën e Shqipërisë për statusin e vendit kandidat në dhjetor, sepse ende kishte mangësi përsa i përket shtetit ligjor.
Por, çfarë është shteti ligjor? “Punë e lodhshme dhe kompetencë profesionale”, thotë Veliaj një të shtune, gjatë kafesë së mëngjesit në tavolinën e mbledhjeve në zyrën e tij. Kur e mori këtë detyrë, u përball me rastin e një fshati ku jetonin mbi njëqind persona që merrnin pagesën e invalidit. Në fillim të fushatës zgjedhore, një vit më pare, në po këtë fshat kishin qenë vetëm tre persona që trajtoheshin me këtë ndihmë. Një rast i pastër i blerjes së votës dhe i një klientelizmi politik, ashtu siç funksionon në të gjitha nivelet e sistemit. Zëvendësja e tij e re, e cila është vetë një person më aftësi të kufizuar, ka tani detyrën e vështirë për të krasitur të gjithë sistemin e ndihmës sociale. Pas 200 ditëve të para në qeveri, Veliaj shkruan në Tëitter “80% of Ministry of Social Affairs leadership, agencies and staff are women – explains success of neë team”. Një postim tjetër (i përkthyer) në të njëjtën ditë: “E dini se Shqipëria ka më shumë gra ministre, zëvendësministre dhe parlamentare se çdo vend tjetër i Evropës Juglindore dhe a e dini se ç’punë të mirë bëjnë ato?”
Kjo është propagandë për punën e tij dhe reklamë për gratë. Përse e bën Veliaj këtë? Arsyeja duhet kërkuar në biografinë e tij të pazakontë. E ëma, Shqiponja, shpërthen në lotë kur flet për jetën e saj. Dy vjet pas vdekjes së të shoqit, humbi vendin e punës në shtet dhe mbeti përballë asgjësë, e vetme me dy djem të vegjël në një qytet kaotik, ku shteti nuk kujdesej për asgjë dhe ku secili përpiqej të mbijetonte sipas mënyrës së vet. Erioni shiste fiq të thatë në treg, të cilat ua jepnin të afërmit në fshat. Asaj i vjen keq pse i biri nuk ka pasur një fëmijëri normale. Brenga e saj është e thellë dhe këtë e shpjegon heshtja e pafund në apartamentin e saj. “U rrit shumë shpejt”, thotë duke thyer heshtjen.
A krijon dhimbja e nënës ndjenja faji ndaj të birit? Duket sikur kjo grua serioze mendon se ka dështuar në rolin e saj si nënë. Por, përkundrazi ajo i ka të gjitha arsyet për të qenë e gëzuar për djalin e saj të suksesshëm, aksionet e të cilit në të gjithë botën gjenden të dokumentuara në muret e dhomës së ndenjjes në formë fotosh apo artikuj gazetash. Veliaj vetë e sheh të gjithë këtë pa sentimentalizëm: “Burrat në këtë vend janë të ngatërruar në gjithfarë intrigash politike. Dhe nga natyra nuk janë fort të zellshëm. Njëri prej poetëve tanë kombëtar e ka shkruar që para një shekulli se burrat në këtë vend jetojnë nga gratë.” Dhe ka të drejtë! Edhe në zyrën e re të punës, e hapur para katër muajsh përballë Ministrisë, janë kryesisht gratë ato që bëjnë punën e vështirë të ndërmjetësimit. Në një ambjent të ndriçuar, tërheqës, në rrugën më të rrahur të qytetit, punëkërkuesit priten personalisht nga punonjëse të veshura uniform, të cilët më pas regjistrohen për një bisedë këshillimi apo informohen rreth mundësive online të punësimit. Punonjëset janë trajnuar nga Organizata Ndërkombëtare e Punës dhe patën mundësi të fitonin njohuritë e para rreth funksionimit të bursave profesionale të punësimit në Gjermani. Punëkërkuesit e lavdërojnë këtë shërbim të ri, i cili në pak muaj të ekzistencës së vet ndihmoi qindra të papunë të gjenin një punë të paguar. Por, mbresëlënës është edhe fakti se këtu takohen si të barabartë përfaqësues të pushtetit dhe punërkërkues të thjeshtë. Shteti në shërbim të qytetarit, kjo është diçka e re në Ballkan.

Një “agjitator” i ri
“Unë jam njëkohësisht brenda dhe jashtë sistemit”, thotë Leart Kola. Ai është gati moshatar me Veliajn, mban flokë të gjatë deri në supe dhe ka pamjen e një të riu profesionist, çka është në të vërtetë. Kola është pjesë e “think tank-ut” të Ministrisë së Veliajt, ku ai mban postin e këshilltarit. Me ministrin e lidh koha e përbashkët si aktivistë të Mjaft-it. Kur Veliaj dhe aktivistë të tjerë krijuan një parti të re politike, ai ishte kundër. Por, përpjekja dështoi në zgjedhjet e vitit 2009, kur kjo parti i humbi shanset.
“Ai ka qenë gjithmonë socialist”, thotë Kola. “Nëse raporti ndërmjet qytetarit dhe shtetit nuk ndryshon, Rama dhe të tjerët do të dështojnë”, profetizon ai. Për këtë arsye, qeveria e Edi Ramës e meriton mbështetjen e tij. Por, ai i shërben qeverisë si “agjitator”, si dikush që do që të rinjtë të mësojnë diçka konkrete. Boom-i i universiteteve private në Shqipëri prodhon masivisht juristë dhe ekonomistë, ndërkohë që kërkohen specialistë të kualifikuar, siç del edhe nga bilanci i zyrave të punësimit, të riorganizuara rishtazi. “Nëse të gjithë vazhdojnë të shpresojnë për një punë në shtet, çdo qeveri do t’iu shërbejë klientëve të vet, ndërsa vendi do të ngatërrohet edhe më keq në paaftësi”, përfundon analizën e tij Leart Kola. Ky konstatim mbështet strategjinë e ndihmës për zhvillim, për të cilën është kontribuar prej vitesh në Shqipëri duke u fokusuar në arsimin professional, çka kërkon një kontratë të re sociale mes qytetarit dhe shtetit.

Dinamit kundër mafia-s së ndërtimeve
“Edi Rama na riktheu detin”, thotë një ambientaliste e njohur dhe bën me gisht nga bregu ranor, kur deri para pak muajsh qëndronte kryeneçe një ndërtesë shtatëkatëshe. Këtë dhe një sërë ndërtesash të tjera me “pamje të pandryshueshme nga deti” qeveria Rama i hodhi në erë, për t’i dhënë fund rritjes së shfrenuar të ndërtimeve. Rikonstruktimi i pedonales së Vlorës u bë me tender ndërkombëtar. Një studio arkitekture belge u shpall fituese. Nëse gjithçka shkon sipas planit, Vlora do të shndërrohet në perlën turistike të Adriatikut. Pikërisht Vlora, ky qytet, nga i cili përpara dhjetë vjetësh gomonet transportonin drejt Italisë refugjatë të dëshpëruar. Për shumë kohë turistët e huaj e shmangnin këtë qytet famëkeq. Por, për qytetin ishte vendimtar aksioni i aleancës qytetare mes ambientalistëve dhe promotorëve të turizmit. Ishin ata që përpara gjashtë vjetësh ndaluan ndërtimin e një parku industrial në Vlorë. Ky projekt i mbrojtur nga investitorë të huaj dhe përfitues vendas do të kishte shkaktuar një dëm të pakthyeshëm dhe do t’i kishte rrëmbyer Adriatikut edhe gjirin e fundit të pashkatërruar nga ndërtimet.
Mjeku Hodo Kabello, babai shpirtëror i protestës qytetare, sheh dritë në fund të tunelit. I veshur si për festë për nder të mikut, ai dikton: “Mendimi popullor është si uragan. Nëse njerëzit e drejtojnë rrymën me idetë e duhura, atëherë bëhet mirë.” Ai, djalë i një partizani të vrarë në Luftën II Botërore, i rritur në shtëpinë e fëmijës dhe që e jetoi dhimbshëm izolimin total në përiudhën e Enver Hoxhës, tani ndihet i kënaqur. “Në Shtetet e Bashkuara dhe në Evropë e kanë kuptuar që populli shqiptar ekziston”.
Në Vlorë, aleanca qytetare ka lëvizur shumë më tepër gjëra, se ç’është në gjendje të bëjë politika. Ndaj më mirë të mbetesh gjithë jetën aktivist dhe t’i qëndrosh larg politikës së pistë? Veliaj e njeh mirë këtë të metë. “Unë nuk dua të bëhem cinik”, thotë ai. Por, nëse kritikët e tij dinë ndonjë mënyrë më krijuese për të reformuar sistemin e pensioneve dhe për të krasitur ndihmën sociale, ai tregohet i gatshëm ta lërë punën e saponisur. Dhe këtë e thotë dikush që është mësuar të luftojë dhe që, edhe si minister, vijon të përdorë instrumentet e një aktivisti: efektin surprizë dhe pushtetin mediatik.

Provokimi mediatik
Se si funksionon kjo, Veliaj e tregoi me të marrë detyrën e re. Në periferi të Tiranës, në trotuarin e një rruge kryesore të qytetit, ishin vendosur një bashkësi romësh prej 220 personash. Mjedisi i tyre i mëparshëm ishte zbrazur për të ndërtuar një bllok banesash. “Kushtet e jetesës së këtyre romëve të përzënë ishin ekstremisht të vështira”, kujton Veliaj, i cili në ditën e parë si Ministër i Mirëqenies Sociale dhe Rinisë shkoi vetë t’i takonte. Gjendja ishte shokuese. Veliaj u takua me një djalë të plagosur rëndë në këmbë, Elidonin, i cili bashkë me nënën e tij ishin refuzuar nga spitali shtetëror, sepse iu kishin thënë se atje nuk trajtonin gabelë të palarë.
Veliaj e mori nënën dhe djalin në makinën e tij, njoftoi vetë urgjencën në spital dhe u nis, sigurisht i shoqëruar nga një aparat fotografik. Mjeku dhe infermierët qëndruan në gatishmëri dhe kur pacienti i rangut të lartë mbërriti në spital nuk dinin ç’të thonin. Ministri ishte si kokrra e mollës, ndërsa në krahë mbante djalin e vogël. Kjo ngjarje bëri bujë të madhe. Romët nuk diskriminohen më në këtë spital, gjë që i bën mirë imazhit të Shqipërisë, e shihet pozitivisht në Bruksel.
Elidoni i vogël është shëruar, plaga gjithashtu dhe tani ai jeton, bashkë me anëtarët e tjerë të bashkësisë së tij, në një qendër pritëse në periferi të qytetit. A do të jetojë ai më mirë se paraardhësit? Veliaj i përgjigjet kësaj pyetjeje me një përvojë të tijën nga Ruanda, kur ai punonte për Kombet e Bashkuara për trajtimin e gjenocidit. “Unë flisja me disa refugjatë, ndërsa njëri prej tyre më pyeti nga vija. Kur e mësuan, mbetën të shokuar. Në fund njëri më tha: Vëlla, më vjen shumë keq. Vetëm aty m’u bë e qartë se sa lehtësisht nami i keq i një vendi mund të përfshihet në mjerimin e vendeve të tjera. Kudo, në të gjithë botën, njerëzit gjejnë ngushëllim në vuajtjet e të tjerëve. Por, Shqipëria nuk ka pse të jetë më ngushëllim për vendet e tjera. Shqipëria duhet t’i frymëzojë të tjerët të dalin nga mjerimi”.

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here