Home Aktualitet Banda e Lushnjes: Dy burgime perjete

Banda e Lushnjes: Dy burgime perjete

1789
0

Në seancën e 114-të të kësaj dosjeje tek Krimet e Rënda, prokurorët Besnik Muçi dhe Gentian Trenova, paraqitën para gjykatës konkluzionet përfundimtare të akuzës. Në një material të përbërë nga 74 faqe, prokuroria i serviri pesëshes gjykuese “historinë” e krijimit të “organizatës”, ekzistenca e të cilës u pasua me ngjarje të rënda kriminale, provimin e fajësisë për të akuzuarit dhe kërkesën për vitet e dënimit. Për të pandehurit Arben Boriçi e Ilir Stërgu, prokuroria kërkoi deklarim e tyre fajtorë dhe dënim me burgim të përjetshëm. Ata akuzohen për “vrasje me paramendim” në pesë raste, “vrasje me paramendim, mbetur në tentativë” në dy raste, si edhe “mbajtjes pa leje të armës luftarake”, “shkatërrimit të pronës me zjarr”, “kryerjen e veprave nga organizata kriminale”, “dhunim varresh,”. Deklarimi fajtorë dhe dënimi me nga 25 vjet burg u kërkua për të pandehurit Afrim Hoxha dhe Erion Cici. Për të pandehurin Arjan Alico u kërkuan 6 vjet burg, për të pandehurin Jorgo Muzaka 11 vjet dhe për të pandehurit Rexhep Gina, 23 vjet burg. Sipas prokurorisë, veprat penale të konsumuara nga të pandehurit janë kryer në kuadrin e organizatës kriminale. Prokuroria për Krimet e Rënda akuzon si ish-kreun e kësaj organizate, Aldo Baren, i cili po gjykohet në një proces të veçuar. Më poshtë botohet kërkesa për gjykim e dosjes ndaj “bandës së Lushnjës” te Krimet e Rënda.

Aktakuza e prokurorisë

Më poshtë publikohet kërkesa për gjykimin e çështjes, paraqitur në gjykatë nga Prokuroria e Krimeve të Rënda:

“Në muajin korrik të vitit 1997, në qytetin e Lushnjës është vrarë me armë zjarri shtetasi Ramadan Shkurti, i vëllai i të pandehurit Alfred Shkurti, me emër të ndryshuar Aldo Bare. Në këtë datë i pandehuri Aldo Bare, së bashku me shtetasit Ramadan Shkurti, Enver Rabija dhe Bardhyl Rabija, janë nisur me një autoveturë në drejtim të lokalit ku ndodhej Artur Daja. Kur janë afruar rreth disa metra, i pandehuri Aldo Bare, së bashku me personat e tjerë të ndodhur në automjet, kanë qëlluar me armë zjarri në drejtim të lokalit ku ndodhej edhe shtetasi Artur Daja. Pas fillimit të goditjes, edhe nga ana e lokalit kanë nisur të qëllojnë në drejtim të automjetit. Gjatë shkëmbimit të zjarrit ka mbetur i vdekur shtetasi Genci Kashari, brenda në verandën e lokalit ku ndodhej edhe shtetasi Artur Daja. Po këtu, nën shoqërinë e Artur Dajës ndodheshin familjarë të tij, shtetasi Gramoz Selmani etj. Pas shkëmbimit të zjarrit, i pandehuri Aldo Bare së bashku me shtetasin e plagosur aty, Enver Rabija, janë larguar me nxitim nga vendi i ngjarjes, duke vazhduar të qëllonin herë pas here në drejtim të lokalit. Në vendngjarje dhe pikërisht në automjet mbetën të plagosur shtetasit Ramadan Shkurti (vëllai i të pandehurit Aldo Bare) dhe Bardhyl Rabija. Nga shkëmbimi i zjarrit mbetet i plagosur po ashtu dhe shtetasi Artur Daja, i cili afrohet në automjetin ku ndodheshin Bardhyl Rabija dhe Ramadan Shkurti, i qëllon me armë zjarri duke iu shkaktuar vdekjen. Ndërmjet shtetasit Artur Daja dhe të pandehurit Aldo Bare ka filluar një konflikt që nga viti 1996. Për vrasjen e vëllait të tij, i pandehuri Aldo Bare ka akuzuar Artur Dajën. Për këtë arsye, së bashku me grupin e tij, i pandehuri Aldo Bare ka tentuar disa herë të vrasë shtetasin Artur Daja.

FILLESAT E “BANDËS”

Pas vrasjes së vëllait të tij, i pandehuri Aldo Bare, me qëllim hakmarrrjen ndaj shtetasit Artur Daja, shokëve, miqve dhe të afërmve të tij, krijoi të ashtuquajturën ‘Bandë e Lushnjës’. Fillimisht në këtë grup u mblodhën të pandehurit Ilir Stergu, Afrim Hoxha, Arben Borici, Enver Borici, Enver Dondollaku, shokë, miq dhe të afërm të pandehurit Aldo Bare e vëllait të tij Ramadan Shkurtit, të vrarë tashmë. Pikërisht në këtë periudhë, më datë 03.08.1997 në qytetin e Lushnjës është vrarë me armë zjarri shtetasi shqiptaro-maqedonas, Xhevat Demiri. Në hyrje të qytetit të Lushnjës, viktima së bashku me familjarë të tij, janë ndaluar nga katër persona të armatosur, ku ndërmjet tyre ishin edhe të pandehurit Ilir Stergu dhe Afrim Hoxha, Enver Dondollaku dhe Aldo Bare. Pasi kanë vënë maskat në kokë ata kanë qëlluar në drejtim të shtetasit Xhevat Demiri, i cili kishte zbritur nga furgoni, duke i shkaktuar atij vdekjen. Ndërkohë, i pandehuri Arben Boriçi, i cili rrinte në një autoveturë afër vendit të ngjarjes, është afruar me shpejtësi dhe në të kanë hipur të gjithë personat e sipërcituar.

Ekzekutimi i Nimet Zenelit

Me datë 13.02.1998, në vendin e quajtur Kolonjë të rrethit Lushnjë, është vrarë me armë zjarri shtetasi Nimet Zeneli. Në rrugën automobilistike, persona të armatosur, ku ndërmjet të tjerëve edhe të pandehurit Arben Borici e Ilir Stergu, Enver Dondollaku dhe Aldo Bare, i kanë zënë pritë fuoristradës ‘Tojota’ me targa FR 8079 A. Personat e armatosur pasi kanë parë furgonin të afrohej, kanë qëlluar me armë automatik në drejtim të tij. Në fuoristradë udhëtonte shtetasi Gramoz Selmani, shoku i ngushtë i shtetasit Artur Daja, si dhe shtetasit Masar Aliu dhe Nimet Zeneli, shokë të shtetasit Gramoz Selmani. Ky i fundit, pas goditjes nga grupi i Aldo Bares, me qëllim për t’u shmangur nga goditja e grupit, fshihej tek shtetasit e sipërpërmendur. Menjëherë shoferi i furgonit, shtetasi Masar Aliu, ka nxjerrë nga rruga makinën dhe të tre personat janë larguar me vrap. Të pandehurit Arben Boriçi dhe Ilir Stergu kanë ndjekur me vrap dy shtetasit, Nimet Zeneli dhe Masar Aliu, duke qëlluar me armë në drejtim të këtyre të fundit. Gjatë ndjekjes, Nimet Zeneli është plagosur me armë zjarri dhe nuk ka mundur të largohej. I pandehuri Ilir Stërgu, së bashku me të pandehurin Arben Borici, i janë afruar të plagosurit dhe kanë qëlluar në drejtim të tij, duke i shkaktuar edhe vdekjen. Ndërsa dy shtetasit e tjerë, Gramoz Selmani dhe Masar Aliu, kanë mundur t’i shpëtonin ekzekutimit.

DJEGIA E SHTËPISË

Në gusht të vitit 1998 është djegur me anë të zjarrit banesa e shtetasit Shkëlqim Haxhiu. Persona të armatosur, ku ndërmjet tyre edhe të pandehurit Ilir Stërgu, Arben Boriçi, Enver Boriçi, Erion Cici, Jorgo Muzaka, Rexhep Gina, në bashkëpunim me të pandehurit e tjerë Aldo Bare, Enver Dondollaku dhe shtetasin e vrarë, Leonard Prifti, ditën e ngjarjes kanë shkuar në shtëpinë e shtetasit Shkëlqim Haxhiu. Pasi nuk kanë gjetur personat të cilët kërkonin, ata i kanë vënë zjarrin shtëpisë dhe kanë marrë me vete disa nga banorët. Ngjarja në fjalë është e lidhur me një ngjarje tjetër, e ndodhur në Lushnjë në të njëjtën ditë. Paraditen e ditës së ngjarjes është bërë goditje me antitank te një makinë në Sul Zotaj, Lushnjë, ku ndodhej edhe drejtuesi i grupit kriminal, i pandehuri Alfred Shkurti. Në vendngjarje ka qenë edhe furgoni i shtetasit Shkëlqim Haxhiut, nga ku është qëlluar me antitank dhe armë zjarri, në drejtim të makinës ku ndodhej i pandehuri Aldo Bare dhe pjesëtarë të tjerë të bandës së tij.

Vrasja e Tur Dajës

Në datë 21.10.1998 në fshatin Grabian të qytetit të Lushnjës, pasi është dëgjuar një plasje eksplozivi, janë gjetur në vendngjarje pjesë të një trupi njerëzor të shpërndara. Ditën e vrasjes së Artur Dajës, në sheshin e qytetit të Lushnjës, pjesëtarë të grupit kriminal, të drejtuar nga Aldo Bare, kanë shëtitur nëpër shesh kokën e prerë të kufomës, Artur Daja. Ndërmjet tyre, në ngjarjen kriminale të ekspozimit të kokës së prerë kanë qenë edhe të pandehurit Ilir Stergu, Arben Borici, Erion Cici, Arjan Alico, Enver Borici, Enver Dondollaku, shtetasi i vrarë Leonard Prifti etj. Të gjithë viktimat kanë qenë shokë, miq të shtetasit Artur Daja, i cili ishte kundërshtari i drejtuesit të organizatës kriminale të drejtuar nga Aldo Bare. Viktimat nuk kanë pasur konflikte personale me të pandehurit.

Roli i Bares

Si moment i krijimit të organizatës, e ashtuquajtura “Bandë e Lushnjës” apo “grupi i Alfred Shkurtit” është vrasja dhe dhunimi i kufomës së shtetasit Ramadan Shkurti, vëllai i Aldo Bares, në muajin korrik të vitit 1997, në qytetin e Lushnjës. Kjo vrasje erdhi si pasojë e përballjes me bandën e shtetasit Artur Daja, banor i qytetit të Lushnjës. Pas vrasjes shtetasi Aldo Bare, me qëllim hakmarrrjen ndaj shtetasit Artur Daja dhe pjesëtarëve të bandës, krijoi bandën e tij. Nga veprimet hetimore ka rezultuar se i pandehuri Aldo Bare ka një rol dhe autoritet absolut në organizatë. Nga veprimet hetimore ka rezultuar që të gjithë anëtarët e organizatës kriminale kanë pasur një disiplinë të fortë, të drejtuar dhe të kontrolluar nga i pandehuri Bare. Në gjithë veprimtarinë e saj, kjo organizatë udhëhiqej nga interesat e tij. Anëtarët e organizatës i drejtoheshin drejtuesit të tyre, Aldo Bares, me nofkat të tilla si: “I madhi “; “Profesori”; “Kryetari” e të tjera. Disiplina e fortë dallohej qartë në momentet kur urdhrat e të pandehurit Aldo Bare nuk bëheshin të diskutueshëm. Ato zbatoheshin me fanatizëm nga të gjithë anëtarët e organizatës, të cilët vepronin nëpërmjet ushtrimit të dhunës psikike, fizike si dhe të veprimeve kriminale të tilla si: rrahje, heqje të lirisë, tortura, vrasje. Në vijim të veprimtarisë kriminale kjo organizatë është kujdesur vazhdimisht në drejtim të ushtrimit të veprimtarive ekonomike, ku pjesëtarë të organizatës ushtronin role të caktuara. Këto veprimtari shtriheshin në Lagunën e Karavastasë, në shoqërinë e Sport- Klub Lushnjës, në bingon e qytetit, e të tjera”.

Pretenca

• Arben Boriçi        burg i përjetshëm
• Ilir Stërgu         burg i përjetshëm
• Afrim Hoxha         25 vjet burg
• Erion Cici          25 vjet burg
• Arjan Alico         6 vjet burg
• Jorgo Muzaka        11 vjet burg
• Rexhep Gina         23 vjet burg

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here