Dy vëllezërit nga Lazarati Arbjon dhe Alban Aliko kanë mohuar të kenë lidhje me sulmin ku humbi jetën efektivi i RENEA-s Ibrahim Basha dhe u plagosën dy kolegët e tij Jetmir Isaj dhe Perlat Hamitaj gjate aksionit per kapjen e grupit te armatosur ne kete fshat. Ky qëndrim është shprehur për mediat nga avokati Neshat Fana i cili ka marrë në mbrojtje dy të rinjtë, kjo pasi per shkak te gjendjes se renduar psikologjike ka qenë e pamundur që kryeprokurori Adnand Xholi dhe hetuesit e tjerë t’i marrin deklarimet vëllezërve Aliko. Ata ndodhen në qelitë e izolimit në Drejtorinë e Policisë së Tiranës nga mbrëmja e së shtunës kur u arrestuan në një tunel në Kardhiq, 20 kilometra larg fshatit te Lazaratit.
Në një deklaratë të parë për mediat, para nisjes së procesit të mbetur pezull të pyetjes së vëllezërve, avokati Fana tha se ka pasur kontakte me familjen Aliko dhe se prej tyre ka mësuar pretendimet e vëllezërve për këtë ngjarje, ku zbuloi nder te tjera se dy te rintje jane me agjerim.
“Qëndrimi i tyre është të bindur që nuk janë autorë të vrasjes. Por edhe ata nuk dinë pozicionin e tyre në këtë grup njerëzish të cilët pretendohet se janë rebeluar dhe sigurisht kanë kryer edhe një krim të rëndë. Kam komunikuar me familjen Aliko, qëndrimi i tyre ka qenë në sinkron me thirrjet e policisë për tu dorëzuar dhe për tu ballafaquar me drejtësinë. I ati i vet ka qenë negociator prej kohësh, edhe mbrëmë ka negociuar në momentin e arrestimit, ka komunikuar me ta. Frika e tij, edhe e tyre siç më transmetohet, ka qenë se mos i vrisnin realisht dhe më pas mos ushtrohej dhunë. Janë adoleshentë në mënyrën se si e perceptojnë situatën, nuk besoj se është situatë e zakonshme për ta, për një adoleshentë. Ata pretendonin se nuk kanë qenë të armatosur asnjëherë, pretendojnë në besimin e tyre madje edhe në ndjekjen e riteve është muaji i Ramazanit dhe ata agjërojnë dhe nuk kanë pranuar të ushqehen”, – u shpreh avokati Fano.
Gjatë së dielës Arbjoni 20 vjeç dhe vëllai i tij 18-vjeçar Albani, duhej të pyeteshin nga hetuesit për versionin e tyre në lidhje me sulmin e armatosur ndaj policisë mëngjesin e 24 qershorit si dhe për aktivitetin e tyre kriminal përpara kësaj ngjarje për të cilat kërkoheshin. Por sipas avokatit Fana, gjendja e tyre tejet e rënduar psikologjike e ka bërë të pamundur këtë proces dhe se dëshmitë e tyre do të merren në një moment të dytë. Mbrojtësi i vëllezërve nga Lazarati tha se personalisht kishte mundur të fliste me të rinjtë por se për shkak të hetimit të dhënat nuk mund t’i bëjë të ditura publikisht.
“Nuk janë marrë në pyetje sepse ata do japin shpjegime një herë tjetër kur të jetë e përshtatshme për ta. Nuk do të pyeten sot për shkak se ka kohën e vetë të reflektimit edhe ata janë të lodhur, është e papërshtatshme psikologjikisht”, – u shpreh avokati Fano pas qëndrimi t prej 5 orësh në ambientet e drejtorisë së Policisë së Tiranës.
Neshat Fana avokati i dy vëllezërve të dyshuar për vrasjen e Ibrahim Bashës, është avokat i familjes Berisha dhe ish- anëtar i Këshillit të Lartë të Drejtësisë. Madje për një kohë ai qëndroi edhe në krye të Shkollës së Magjistraturës