Home Aktualitet Ministri i Brendshem nderhyn ne hetimet e prokurorise

Ministri i Brendshem nderhyn ne hetimet e prokurorise

555
0

Ministri i Brendshëm, Dritan Demiraj është përfshirë në një skandal mjaft të rëndë, duke kompromentuar kështu pozicionin e tij si titullar i një dikasteri ndër më të rëndësishmit në kabinet.

Ai është filmuar teksa ndërhyn në një operacion të prokurorisë për të sekuestruar disa prozhektorë, që dyshohet se kanë shkaktuar helmimin e dhjetëra personave në mitingun hapës të Partisë Demokratike, të shtunën në bulevardin “Dëshmorët e Kombit”.

Në videon e siguruar nga Report Tv, duket ministri i Brendshëm teksa nuk lejon punën e Prokurorisë për të mbledhur provat dhe zbardhur ngjarjen ku mbetën të lënduar në mitingun e PD rreth 140 mbështetës.

Kjo është një shkelje flagrante e kompetencave të tij si funksionar i dikasterit të Ministrisë së Brendshme, Ministri teknik Demiraj ndërhyn në hetimet e Prokurorisë dhe nuk lejon oficerët e Policisë Gjyqësore që të marrin prozhektorët, si provë për hetimin.

Demiraj shkoj edhe më tej kur thotë se prozhektorët i duhen kompanisë për aktivitetin e një subjekti politik të nesërmen.

Debati mes ministrit Demiraj dhe oficerit të Policisë gjyqësore

Ministri Demiraj: Janë për fushatë nesër.

Oficeri: Po dakord që janë për fushatë, por.

Ministri Demiraj: Ktheji të gjitha mbrapa. Merrni vetëm 1 dhe vazhdo procedurën konform ligjit. Dakord? Jo të 12-ta.

Oficeri: 11 kam unë këtu, aq sa kanë qenë në miting.

Ministri Demiraj: Po pra, por s’mund t’i marrësh të 11-ta se nesër ka miting subjekti politik. Ne nuk jemi këtu për të penguar subjektet politike.

Oficeri: Jo mo shef, se as e vë në diskutim fare unë këtë…

Ministri Demiraj: Të marrësh vetëm 1. Të tjerat… merre, 1 dhe bëje hetimin.

Kush i ka ngarkuar ata? Ktheji mbrapsht! Ku është ai i zoti i kësaj? Ke nesër aktivitet politik?

Përfaqësuesi i kompanisë: Po

Ministri Demiraj: Ku e ke?

Përfaqësuesi i kompanisë: Po s’e di, se na u ndërpre e gjithë procedura nga kjo punë.

Ministri Demiraj: Kjo s’ka sens mo… O çuna, kjo s’ka sens. Si merren 12 drita të objektit, të firmës që ka aktivitetin për subjektin politik. Me ç’a do e bëjë aktivitetin nesër ky.

Sipas Ministrit, Prokurorisë nuk i duhet të hetojë mbi të 12 prozhentorët, por i mjafton vetëm një.

Ministri Demiraj: Atë nuk është se… duhen të 12 –ta për të bërë hetim. Hetimi bëhet mbi 1 dhe dilet në konkluzion. Ajo nuk është armë që ka qëlluar dhe duhen 12 armë.

Oficeri i policisë gjyqësore tenton t’i shpjegojë se kështu ka vendosur prokurori që kryeson hetimet. Por Demiraj i kërkon të mos e zbatojë vendimin e prokurorit dhe e urdhëron t’i kthejë prozhektorët e sekuestruar.

Oficeri: O shef, ne kështu na kanë thënë…

Ministri Demiraj: Kthejini shpejt, shpejt. Urgjent! Kthejini mbrapa, vetëm 1 do merrni.

Prokuroria po heton disa pista lidhur me incidentin në mitingun e PD dhe një ndër ta është helmimi nga drita e prozhektorëve. Për këtë qëllim, organi i akuzës ka urdhëruar sekuestrimin e të gjithë prozhektorëve të kompanisë private që organizoi pjesën logjistike të PD në miting.

Mbetet absurde arsyeja pse ka ndërhyrë Ministri i Brendshëm në një çështje e cila nuk i përket atij dhe për më tepër duke tentuar të prishë provat dhe të pengojë punën e Prokurorisë që mund të çojë në zbardhjen e të vërtetës që çoi në lëndimin e 140 protestuesve të shtunën në mitingun e PD.

Pengoi hetimet, Dritan Demiraj rrezikon tre vjet burg/Kodi Penal
Një video mund t’i kushtojë ministrit të Brendshëm tre vjet burg, si dhe në bazë të ligjit të dekriminalizimit, mund t’i heqë atij përjetë të drejtën për të ushtruar funksione publike gjatë jetës së tij.

Në videon e sapopublikuar dëgjohet dhe shihet qartë ministri Demiraj që urdhëron prokurorët të mos sekuestrojnë 11 prozhektorët, që ishin të instaluar në bulevard dhe që dyshohet se shkaktuan probleme shëndetësore tek disa militantë të PD-së.

Megjithatë, me ose pa dijeninë e tij, me këtë kërkesë Ministri Demiraj ka kryer një vepër penale, të parashikuar nga neni 301, i cili parashikon dënim deri në tre vjet burg për “veprimet që pengojnë zbulimin e së vërtetës”.

“Kryerja e veprës penale duke prishur, ndryshuar apo fshirë gjurmët e saj ose duke lëvizur, fshehur, asgjësuar, vjedhur, falsifikuar një send apo një dokument me qëllim për të vështirësuar dhe penguar zbulimin e veprës penale dhe të autorit të saj, dënohet me gjobë ose me burgim gjer në tre vjet”, shkruhet në Kodin Penal.

Në çdo rast, ministri Demiraj mund të mbrohet duke argumentuar se nuk ishte në dijeni të këtij ligji, por në bazë të Kodit Penal, kjo nuk është një argumentin i vlefshëm, pasi ligji ka fuqi edhe nëse një person nuk është i informuar për atë shkelje. Siç shkruanin romakët, “ignorantia non est argumentum”.

Gjithashtu edhe ligji nr.108/2014 i Policisë së Shtetit, neni 7 i tij, parashikon qartë që ministri nuk ndërhyn në pavarësinë operacionale të shërbimit të policisë dhe nuk përfshihet në drejtimin operacional të saj.

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here