Ka qenë një bisedë e lirshme “facebook”-u për veshjet televizive pak ditë më parë, që i kushtoi pozicionin e punës në televizionin “Agon” moderatorit të njohur me një karrierë 20-vjeçare në televizion, Bledi Strakosha. Atij i është komunikuar vendimi për ndërprerjen e kontratës me këtë televizion, pasi i është bërë printimi i një bisede të hapur në profilin e spikeres së lajmeve në “Tv Klan”, Daniela Kostandini, e cila shkruante se ndërsa ishte me leje në shtëpi, shihte që veshjet e saj po i përdornin të tjerë punonjës të atij televizioni. Brenda këtij debati kishte shkruar dhe një koment Bledi, i cili thoshte se veshjet e tij në “Agon Channel” përdoreshin jo vetëm për dalje në ekran, por edhe për ceremoni private. E gjithë kjo bisedë ishte bërë në sensin e humorit nga ana e tij, që kishte marrë komentimi i statusit të Danielës në profilin e saj, por me sa duket drejtuesit e “Agon” e kanë marrë shumë seriozisht. Një ditë më pas, ata kanë përdorur këtë si arsye dhe provë për të nënshkruar vendimin e ndërprerjes së marrëdhënieve së punës me Bledin, me motivimin “Për humbje të besueshmërisë”. Shumë shikues ndjekës të Bledit në ekran e kanë konsideruar qesharake, se si një televizion me ambicie të qarta për të fituar sa më shumë audiencë merret me gjëra kaq të vogla “facebook”-u. Strakosha u kontaktua nga gazeta “Panorama” lidhur me këtë çështje dhe ai konfirmoi thjesht lajmin që marrëdhënia e tij me këtë televizion është ndërprerë, por nuk pranoi të japë asnjë detaj tjetër. Ai nisi punë në këtë televizion në muajin mars të këtij viti, ndër moderatorët kryesorë që u shfaq në këtë ekran të ri. Emisioni i parë i prodhuar dhe transmetuar nga “Agon” me titull “Free Pass” prezantohej nga Bledi, Armela dhe Qetsori, ndërsa shihnin audicionet dhe vendosnin se cilët persona ia vlenin të punësoheshin në projektet e ardhshme të këtij televizioni. Më pas, ai ka punuar për emisionet: “Rrethuar”, “Summer Land” dhe “Star System”, si autor dhe prezantues. Këtë muaj, kur iu komunikua ky vendim, Bledi ka mbushur plot 20 vite eksperiencë në radio e televizion, dhe gjithmonë largimet nga puna i ka pasur me mbyllje kontratash dhe asnjëherë nuk është përfolur për kontradikta e keqkuptime në punë. Ndërkohë që miq të tij na konfirmuan se ai tashmë po përgatitet për një projekt të ri, që shumë shpejt do ta paraqesë në një tjetër ekran.