Shpata dhe përkrenarja e Skënderbeut do të mbërrijnë në Shqipëri në datën 20 nëntor. Sipas burimeve nga Muzeu Historik Kombëtar, armët e Heroit tonë Kombëtar do të ekspozohen në datën 27 nëntor në Pavionin e Mesjetës, ku do të qëndrojnë për një muaj e gjysmë në kushte të plota sigurie.
Dy ditë më parë, Komisioni i Edukimit dhe Mjetet e Informimit Publik kaloi marrëveshjen e bashkëpunimit mes Austrisë dhe Shqipërisë për huadhënien e shpatës dhe përkrenares së Skënderbeut. Kostoja e sjelljes së armëve për herë të parë në Shqipëri është 100 mijë dollarë, që u mundësua nga qeveria shqiptare në kuadër të 100-vjetorit të Pavarësisë.
Disa muaj më parë një grup ekspertësh austriakë zhvilluan vizitë në Muzeu Historik Kombëtar për t’u siguruar nëse ky i fundit i plotësonte kushtet e sigurisë dhe mirëmbajtjes së dy relikeve të rralla që ndodhen në Muzeun e Historisë së Artit në Vjenë ose siç njihet ndryshe Kunsthistorisches.
Armët e Skënderbeut, 422 vjet pasi kanë mbërritur në Vjenë, sipas inventarit më të hershëm që ekziston nga viti 1590, që prej muajit nëntor do të mund të vizitohen nga publiku shqiptar. Kërkesa për të sjellë në Shqipëri armët e Skënderbeut janë bërë disa herë që në kohën e Zogut, së fundi edhe në kuadër të 600-vjetorit të lindjes së Skënderbeut. Por për shkak të kushteve dhe të mungesës së sigurisë përgjigjet kanë qenë gjithmonë negative.