Home Sport Boterori 2014, Shqipëria mund Slloveninë, 1-0

Boterori 2014, Shqipëria mund Slloveninë, 1-0

572
0

Kombëtarja ka triumfuar 1-0 ndaj Sllovenisë, në një ndeshje spektakolare dhe të dominuar nga fillimi në fund. Në “Qemal Stafa”, në takimin e fundit në këtë stadium para prishjes, Shqipëria ka qenë e papërmbajtshme, duke marrë tri pikët ndaj një ekipi, që nuk e kishim mundur kurrë.

Ka mjaftuar një gol i Roshit në pjesën e parë, që kuqezinjtë të bënin të harrohej disi humbja me Islandën ditën e premte. Këtë herë çdo gjë ka qenë ndryshe. De Biazi kishte bërë ndryshimet që duheshin në ekip, ndërsa lojtarët në fushë kanë dhënë gjithçka, duke marrë me meritë një fitore të jashtëzakonshme. Ndeshja ka qenë një nga më të bukurat e zhvilluar nga Shqipëria në vitet e fundit, ndonëse përballë ishte një kundërshtar shumë i rrezikshëm në kompeticionet ndërkombëtare.

Takimi ndaj Sllovenisë nisi me një lojë tepër ritmike dhe sulmuese të kombëtares shqiptare, e cila e ka vënë nën presion kundërshtarin që në fillim. Bulku me një gjuajtje nga larg e Sadiku me kokë, ishin rreziqet e para në portën e Handanoviç, ndërsa në minutën e 36-të, një kros i Vilës u devijua saktë në portë nga Odise Roshi.

Mesfushori mposhti me kokë portierin slloven, duke çuar në delir tifozerinë kuqezi. Në pjesën e dytë, Roshi e Çani janë të parët që rrezikojnë portën e Handanoviç, ndërsa minuta e 62-të sjell edhe momentin më të mirë të ndeshjes.

Roshi del i vetëm me portierin slloven, që grushton gjuajtjen e tij, ndërsa goditja e Salihit devijohet nga mbrojtësit. Sllovenia pati momentin e saj të artë në minutën e 71-të me Matavz me kokë, ndërkohë që në fund, një gafë e Dallkut për pak çon në barazimin e rezultatit. Gjithsesi, mbyllet me fitoren e Shqipërisë, që shkon në 6 pikë në grupin E.

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here