Home Eduard Zaloshnja A do të paguajnë më pak 95% e shqiptarve?

A do të paguajnë më pak 95% e shqiptarve?

218
0

ahmetajPasi qarkulloi në media një tabelë me skemën e re e tatimit mbi të ardhurat personale, Ministri i Ekonomisë Ahmetaj deklaroi për Top Channel se ende nuk ka një draft të paketës fiskale për 2014-ën. Por ai siguroi se “pasi të kemi përfunduar programin me FMN-në dhe Bankën Botërore, sistemi fiskal do të bëhet i tillë që 95% e shqiptarëve të paguajnë më pak se sa sot”.

Deklaratë e fortë kjo, që jo vetëm s’mund të kalojë dot filtrin e ekonomistëve të FMN-së dhe Bankës Botërore, por s’mund të bindë edhe një student të fakultetit ekonomik. Sepse edhe ky i fundit e di që shumica e shqiptarëve nuk kanë të ardhura personale të tatueshme (ngaqë merren me bujqësi mbijetese, ose për arsye papunësie, familjare, moshe, qënie në shkollë, page/pensioni nën 300 mijë lekë të vjetra, etj.). Në fakt, nga 3 milionë shqiptarë që banojnë sot në Shqipëri, rreth 0.5 milion paguajnë tatime mbi të ardhurat personale.

Pra ndryshimi i skemës së tatimit mbi të ardhurat personale mund të ndikojë vetëm tek 18% e shqiparëve – shumë larg 95 përqindëshit të Ahmetajt. Maksimumi që mund të ndodhë nga ndryshimi i kësaj skeme, është që të përfitojnë diçka 95% e 18 perqindeshit që sot tatohet mbi të ardhurat personale. Dhe këtë gjë edhe mund ta pranojnë ekonomistët e FMN-së dhe Bankës Botërore (pavarsisht komplikimeve që do të sillte skema e re progresive në mbledhjen e tatimeve), sepse në fund të fundit, tatimi mbi të ardhurat personale mbulon vetëm 7.5% të shpenzimeve të buxhetit të shtetit.

Në mënyrë të ngjashme, ulja e taksave të sigurimeve shoqërore dhe shëndetsore do të prekte vetëm ata që kontribuojnë në këto dy skema. Aktualisht, vetëm 25% e shqiptarëve paguajnë taksa të sigurimeve shoqërore dhe shëndetsore.

Që nga paketa e re fiskale të përfitojnë 95% të shqiptarëve, duhet që të ulet Tatimi i Vlerës së Shtuar (TVSH), të cilin e paguan aktualisht çdo shqiptar – edhe ata që punojnë edhe ata që s’punojnë, edhe fëmijët edhe pleqtë. Në çdo 600 lekë që paguan një qytetar në furrë për bukën, 100 lekë i shkojnë shtetit si TVSH; në çdo 60 mijë lekë që i paguan një qytetar Çezit për energjinë elektrike, 10 mijë lekë i shkojnë shtetit si TVSH; në çdo 120 lekë që paguan një qytetar për vezën, 20 lekë i shkojnë shtetit si TVSH; në çdo 60 lekë që paguan një fëmijë për një çamçakiz, 10 lekë i shkojnë shtetit si TVSH, e kështu me rradhë. Dhe që t’u ulet barra fiskale 95% të shqiptarëve, duhet që të paguajnë më pak TVSH për këto mallra e shërbime.

Por a do të ishin dakord ekonomistët e FMN-së dhe Bankës Botërore me një ulje të tillë. Si zorr. Sepse TVSH-ja është zëri kryesor i të ardhurave të thesarit – mbulon plot 26.6% të shpenzimeve të buxhetit të shtetit. Dhe buxheti i shtetit dihet që është në vështirësi – a nuk është kjo arsyeja që po i kërkojmë ndihmë FMN-së dhe Bankës Botërore?

Një rrugë tjetër për të ulur barrën fiskale për 95% të shqiptarëve do të ishte edhe ulja e akcizave dhe taksave doganore, sepse ato i paguajnë tërthorazi të gjithë shqiptarët – si fëmija që ble një çokollatë të importuar nga Turqia, edhe plaku që pi një kafe të importuar nga Kolumbia. Por të ardhurat nga akcizat dhe taksat doganore mbulojnë 10% të shpenzimeve të buxhetit të shtetit dhe, për më tepër, janë edhe më të kollajtat për t’u mbledhur. Për këtë arsye ekonomistët e FMN-së dhe Bankës Botërore nuk do të ishin dakord me një ulje të tyre.

Në fakt, ekonomistët e FMN-së dhe Bankës Botërore mund të ndërrojnë mendje në lidhje me një ulje të arsyeshme të të gjithë tatimeve dhe taksave të mësipërme, në qoftë se administrata tatimore do të tregonte aftësinë për të ulur ndjeshëm evazionin fiskal të kompanive që fshehin fitimet dhe në qoftë se administrata shtetërore do të tregonte aftësinë për të ulur ndjeshëm korrupsionin në investimet dhe shpenzimet publike. Mburrjet e Spiropalit se Drejtoria e Doganave ka mbledhur në dymujorin e fundit 2.2 miliard lekë më shumë se një vit më parë nuk mund t’ua mbushin mendjen ekonomistëve të FMN-së dhe Bankës Botërore. Ato lekë mbulojnë vetëm 0.5% të shpenzimeve të buxhetit të shtetit…

Previous articleBelle Air në prokurori, evazion me vlere 51,7 mln euro
Next articlePE miraton rezolutën për Shqipërinë: T’i jepet statusi

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here