Komisioni i Jashtëm i Parlamentit Europian miratoi rezoluten e raportuesit për Shqipërinë, Eurodeputetit kroat Nikola Vuljaniç, ku nxitet dhënia e statusit të vendit kandidat për Shqipërinë.
Me 49 vota pro, një abstenim dhe asnjë kundër, rezoluta arriti të marrë votat e nevojshme vetëm pak ditë perpara vendimit të Keshillit të Ministrave të Jashtëm të Bashkimit Europian për statusin e vendit kandidat për Shqipërinë.
Gjatë diskutimeve u nënvizua nevoja për bashkëpunim mes qeverisë dhe opozitës. Një prej pjesëmarresve në seance deklaroi se nuk ka rendesi se kush e qeveris Shqipërinë, mjafton që të ketë bashkëpunim mes qeverisë dhe opozitës.
Rezoluta njeh përparimet e bëra nga Shqipëria, drejt përmbushjes së objektivave të integrimit dhe veçanërisht arritjen e reformave të kërkuara nga Brukseli, ndërkohë që theksohet se ka ende shumë punë për t’u bërë nga autoritetet shqiptare, veçanërisht në reformën e administratës publike, luftës kundër krimit të organizuar dhe korrupsionit, pavarësisë së sistemit gjyqësor.
“Qeverisë i është kërkuar të bashkëpunojë më opozitën. Qeveria e vjetër pati një trazicion paqësor. Kemi një opozitë që pranon rezultatin e zgjedhjeve. Kam një parandjenjë se e gjithë kjo procedurë të jep idenë se statusi u vonua vetëm që të vinte në pushtet një qeveri tjetër. Grupi socialist duhet të punojë më shumë. Do të ketë bashkëpunim deri në rezolutën përfundimtare.”- deklaruan deputetët e PE-së.
Gjatë seancës, kreu i komisionit të Jashtëm në Parlamentin Europian, Elmar Brok përgëzoi ish- mazhorancën për tranzicionin paqësor të pushtetit, për njohjen e rezultatit të zgjedhjeve të 23 qershorit ndërsa theksoi se është jetike bashkëpunimi mes qeverisë dhe opozitës aktuale.
Duke mbështetur propozimin e Komisionit Europian, rezoluta “i bën thirrje Këshillit, të njohë përparimin e Shqipërisë, duke i dhënë asaj statusin kandidat”.