Home Fatos Lubonja Syriza: Ndëshkim, paralajmërim dhe shpresë

Syriza: Ndëshkim, paralajmërim dhe shpresë

919
0

fatos-lubonja-Këto janë tri fjalët me të cilat, sipas meje, përmblidhet komenti i parë që mund t’i bëhet fitores së radikalëve të majtë në Greqi të udhëhequr nga Alexis Tsipras. Duke qenë se Greqia nuk mund të konsiderohet vetëm Greqi, por edhe Europë, bashkësi europiane, projekt europian, këto tri fjalë shkojnë për të dy frontet, atë të brendshëm kombëtar dhe atë të jashtëm.
Në frontin e brendshëm fitorja e Syrizës është një ndëshkim për sistemin bipolar/ bipartiak të korruptuar që ka sunduar Greqinë (por edhe mjaft vende europiane) prej disa dekadash, ku dy partitë kryesore të alternuara në pushtet, dora- dorës, kanë ndërtuar një sistem dhe një kastë në pushtet, që është sot përgjegjëse për krizën e vendit. Kjo kastë, duke humbur edhe dallimet ideologjike, pas mbarimit të luftës së ftohtë, aplikoi një sistem ekonomik- politik gjithnjë e më larg interesave të shumicës së grekëve, ku spikasin konflikte skandaloze të interesave. Sa për ilustrim, po përmend faktin se Syriza ka denoncuar (duke premtuar ta ndryshojë) sistemin mediatik privat në Greqi, ku zotëruesit e televizioneve private janë njëherësh edhe ata që marrin tenderat kryesorë publikë për bizneset e tyre të tjera, kanë gazetat kryesore të vendit, janë edhe presidentë skuadrash futbolli. Është një sistem që, siç e dimë, i kalon kufijtë e Greqisë dhe ne shqiptarët e kemi provuar jo pak në kurriz efektin e tij shkatërrues. Dukej sikur ky sistem ishte stabilizuar prej dekadash dhe do të vazhdonte kështu, por me dështimin që prodhoi, brenda disa vjetësh bëri që një parti e vogël si Syriza, që nuk kishte më shumë se pesë për qind para disa vjetësh, arriti të marrë 36% të votave.

Në frontin ndërkombëtar, fitorja e Syrizës është një ndëshkim e paralajmërim edhe për Europën dhe projektin europian. Prej kohësh, shoqëritë civile të shumë vendeve europiane, intelektualët më të shquar, kanë lëshuar parullën për një “Europë tjetër” jo atë të kapitalit dhe të bankave; për një Europë ku mirëqenia nuk matet me GDP-në, por me cilësinë e jetës e kuptuar kjo si një Europë sociale, me solidaritet, me marrëdhënie më të mira njerëzore, me një jetë në harmoni me natyrën, me më shumë barazi dhe jo me polarizim në rritje midis të pasurve dhe të varfërve. Por kjo thirrje ka hasur në vesh të shurdhët. Fitorja e Syrizës është një ndëshkim dhe paralajmërim për këtë shurdhëri. Është një ndëshkim dhe paralajmërim për politikat që adoptoi kjo shurdhëri për t’iu përgjigjur krizës greke, që më shumë sesa në favor të interesave të europianëve të thjeshtë qenë për të ruajtur interesat e kapitalit të madh e të bankave, për të ruajtur sistemin ashtu siç është: atë të konfliktit të interesave që sundon edhe në vendet më të qëndrueshme europiane si Gjermania.

Greqia gjatë këtyre viteve u përdor si kavie për të eksperimentuar atë që po ndodh edhe në mjaft vende europiane: shkatërrimin e shtetit social dhe të të drejtave demokratike thuhet në një peticion në mbështetje të Syrizës nga 300 firmëtarë, ndër intelektualët më të shquar të majtë, ku spikasin emra të tillë, si: Noam Chomsky, Etienne Balibar, Tariq Ali, Slavoj Zizek, Tony Servillo. Sipas tyre “paketa e shpëtimit në fakt ka shpëtuar vetëm bankat gjermane dhe europiane dhe ka varfëruar njerëzit; ka rënduar papunësinë duke e bërë atë masive.” Masat e fundit të marra në Greqi nën diktatin e Gjermanisë, në emër të këtij sistemi,i ka denoncuar së fundi edhe Caritas, e cila, sipas një studimi që ka bërë, thotë se kriza e shkaktuar në Greqi nga këto masa ka sjellë dëme të krahasueshme me ato të një lufte, veçanërisht mbi fëmijët. Sipas studimit të Caritas edhe kush ka një punë me kohë të plotë, nuk jeton me dinjitet sot në Greqi; është rritur dramatikisht braktisja e fëmijëve nga prindërit që nuk mund t’i mbajnë ata, veçanërisht e fëmijëve që lindin me probleme; është dyfishuar vdekshmëria e fëmijëve; është rritur papunësia e të rinjve në nivele skandaloze.

Fitorja e Syrizës, pra, vjen si ndëshkim dhe paralajmërim për të gjitha këto. Por fitorja e Syrizës vjen edhe si një shpresë për të gjithë ata që e kanë për zemër demokracinë, kohezionin social dhe drejtësinë. Ajo ngjall shpresën se ndryshimet në Greqi do të sjellin edhe ndryshime në Europë. Shpresën se ajo që ndodhi në Greqi, që po ndodh edhe në Spanjë ku partia e lindur nga lëvizja e të indinjuarve është sot në krye të sondazheve, do të sjellë ndryshime si në politikat e brendshme, ashtu edhe në ato të bashkësisë europiane në emër të një Europe të solidaritetit, të humanizmit dhe dinjitetit e njeriut. Syriza vjen si shpresë në këtë drejtim edhe sepse nuk është një parti raciste ksenofobe, nacionaliste si ato që kanë lindur në disa vende të Europës, që kërkojnë ta shpjegojnë krizën nëpërmjet fajësimit të emigracionit, duke iu kundërvënë kësisoj projektit europian e duke rrezikuar të na kthejnë prapa në kohë të errëta të urrejtjeve për tjetrin. Sigurisht nuk do të jetë e lehtë për Tsiprasin të bëhet frymëzues për një Europë tjetër. Sistemi me të cilin ai ndeshet, është shumë i madh dhe i fuqishëm dhe Greqia e vetme nuk është vendi më i përshtatshëm për të shërbyer si model ndryshimi për Europën. Por kjo fitore gjithsesi tregoi se idealet për të cilat ai luftoi, duke fituar këtë betejë të radhës, janë më të gjalla se kurrë në kohën që jetojmë, janë mbarë europiane dhe se ato nuk reshtin së rrahuri në zemrat e atyre që aspirojnë një jetë më të mirë, më me liri, dinjitet dhe barazi, për të gjithë njerëzit e kësaj bote.
“Panorama”

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here