Home Ekonomi Belle Air në prokurori, evazion me vlere 51,7 mln euro

Belle Air në prokurori, evazion me vlere 51,7 mln euro

570
0

belleairKompania e porsafalimentuar “Belle Air” do të kalojë në një hetim intensiv nga ana e qeverisë shqiptare, për evazion fiskal dhe mashtrim të qytetarëve.

Tre prej ministrave më kryesorë të qeverisë shqiptare, ai i Financave, i Ekonomisë dhe i Transporteve, ishin në sintoni në lidhje me hetimin rigoroz që duhet t’i bëhet aktivitetit të kompanisë “Belle Air” e cila sipas tyre ka kryer 51,7 milionë euro borxhe në total.

Sipas raportimeve në komision “6 milionë euro janë taksa të papaguara, 10 milion euro detyrime bankash, pra kredi të pashlyera dhe 10 milionë e 400 mijë euro shuma e 52 mijë biletave që kjo kompani shiti në avancë gjatë falimentimit.

Shkëlqim Cani, Arben Ahmetaj dhe Edmond Haxhinasto të thirrur sot për të raportuar në Komisionin parlamentar të Ekonomisë, deklaruan se do të jetë hetimi shtetëror ai që do të zbardhë se ku shkuan paratë e kompanisë.

“Në fund fare afërsisht ne shkojmë në një shumë prej 6 milionë euro dhe ka një pyetje dhe për këtë. Themi që kjo është një shoqëri që ka zhvilluar një aktivitet me një xhiro relativisht të lartë mbi 100 milionë euro në vit. Është pak e errët që mbetet përsëri një pikëpytje për tu zgjidhur në kohë se të gjitha detyrimet që kjo shoqëri tregtare ka ndaj bankave, detyrime ndaj të tretëve aeroporte etj si dhe detyrime ndaj buxhetit është 51,7 milionë euro. Kjo është një çështje mjaft për t’u vënë në dyshim si organe shtetërore nuk kanë bërë një analizë të gjendjes”- tha ministri Shkëlqim Cani.

“Për qytetarët që ndoshta nuk e dinë se çfarë do të thotë kjo është një pagesë e drejtpërdrejtë që qytetarët bëjnë në çmimin e biletës prej 10 euro, e cila shkon në buxhet të shtetit drejtpërdrejt dhe kompania apo aeroporti janë agjentë të buxhetit të shtetit. Pra, një 10 euro e cila është paguar në kohë reale dhe nuk ka shkuar në buxhet të shtetit. Pra kompania në rastin konkret ka përdorur në operacionet e veta para të cilat i takojnë buxhetit të shtetit. Pra ka operuar me paratë e tatim paguesve në dëm të buxhetit të shtetit”- tha ministri Arben Ahmetaj.

“Kemi një situatë thuajse monopoli në treg, mbi 50 % të tregut. Asnjë avion i kësaj kompanie nuk ishte regjistruar në Tiranë, që është kërkesë ligjore. Pra, ishte një favor i madh që i ishte bërë kësaj kompanie. Cilesia e operacioneve të saj linte shumë për të dëshiruar. Është kompania emblemë për mosrespektimin e sloteve dhe të orareve. Dhe emblemë përsa i takon vonesave”- tha ministri Haxhinasto.

Shifrat e raportuara nga tre ministrat e linjës flisnin qartë për një favorizim që qeveria e kaluar i kishte bërë në 5 vite “Belleair”, sa që as opozita nuk ishte në gjendje t’i kontestonte.

Duke folur në komision, ministria Arben Ahmetaj ka deklaruar se, “Belle Air” siguronte 3.5 milionë euro fitim në vit. Sipas tij, kompania gjatë falimentimit shiti në avancë 52 mijë bileta.

Ahmetaj tha se, deri në momentin e falimentit kompani kishte 53 për qind të tregut ajror. Ministri i Ekonomisë, Arben Ahmetaj ka deklaruar në komision se, kompanisë i ishte kërkuar që të mos priste bileta por ajo ka vazhduar.

Ministri i Transporteve, tha se, qeveria kishte interes që të mos bllokonte kompaninë pasi kishte prerë 52 mijë bileta, ndërsa punësonte qindra njerëz.

Sipas tij, kjo kompani nuk ka respektuar dhe nuk ka paguar asnjë detyrim aeroportual.

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here