Home Aktualitet Shkozet, vritet në klasë nxënësi 17-vjeçar

Shkozet, vritet në klasë nxënësi 17-vjeçar

719
0

shkozet-vrasjeNjë krim i rëndë ka tronditur qytetin e Durrësit mëngjesin e sotëm. Një nxënës i vitit të parë është vrarë me breshëri automatiku rreth orës 10:00 në lagjen 14 të qytetit bregdetar. Ngjarja ka ndodhur në shkollën profesionale “Beqir Çela” në Shkozet. Dëshmitarët në vendngjarje bëjnë me dije se kanë dëgjuar të shtëna me armë dhe kanë parë një person të shtrihet në tokë.

Shkaqet e krimit ende nuk janë të qarta, ndërkohë që policia ka identifikuar viktimën, Adriatik Tota 17-vjeç, nxënës në vitin e parë në shkollën profesionale me origjinë nga Kukësi banues në zonën e Sukthit. I  riu ishte djalë i vetëm dhe ka tre motra. Pas hetimeve të para ekspertët e krimit zbuluan autorin  i cili është Endrin Baraku 17-vjeç nxënës i vitit të parë i kësaj shkolle.

Autori ka hyrë në klasë i armatosur ka zbrazur armën në drejtim të bashkëmoshatarit dhe është larguar me shpejtësi. Sapo ka mbërritur në vendngjarje policia ka gjetur rreth 100 metra larg të hedhur në një stol një xhaketë ngjyrë blu pjesë e uniformës që veshin nxënësit e kësaj shkolle, e cila krijoi dhe dyshimet e para se autori mund të ishte nxënës i shkollës  i cili e kishte hedhur veshjen pas kryerjes së krimit. Sipas policisë krimi ka ndodhur në klasën ku zhvillohet praktika profesionale e shkollës. 19 nxënës kanë qenë duke zhvilluar orën e mësimit të mekanikës në momentin që ka ndodhur vrasja. Vetëm 7 prej tyre kanë qenë nga viti i parë, ndërkohë pjesa tjetër kanë qenë nga viti i dytë.

Efektivë të policisë kanë rrethuar zonën dhe kanë nisur hetimet për zbardhjen e ngjarjes. Në vendngjarje mbërriti një ambulancë, e cila ka çuar në morg trupin e të riut. Hetimet e grupit hetimor u përqëndruan te 19 nxënësit që kanë qenë në mësim.

adriatik-totaZbardhet ekspertiza mjeko-ligjore për Adriatik Totën
Ora 14:00-
 Sipas ekspertizës mjeko-ligjore 17-vjeçari Adriatik Tota ka humbur jetën për shkak të plumbit në kokë dhe hemoragjisë. Ekspertët mjeko-ligjor bëjnë me dije se i riu është qëlluar nga dy plumba, njëri nga plumbat i ka hyrë pas veshit dhe i ka dalë në qafë, ky plumb dyshohet se ka qenë fatal për 17-vjeçarin, ndërsa tjetri ka qenë jo vdekjeprurës pasi e ka kapur vetëm në krah.

Policia: Identifikohet autori, po punohet për kapjen e tij
Ora 12:40-
 Policia bën me dije se ka identifikuar autorin e ngjarjes Endrin Baraku edhe ai nxënës i vitit të parë. Fillimisht identiteti i autorit nuk u publikua për arsye hetimi. Policia po punon për kapjen e tij. Dyshohet se dy të rinjtë janë grindur një ditë më parë për motive që ende nuk dihen dhe konflikti mund të jetë bërë shkak për krimin e sotëm. Nga informacionet e fundit mësohet se forcat e policisë kanë shkuar në banesën e autorit të ngjarjes dhe po marin në pyetje familjarët. Sipas policisë autori e ka planifikuar më parë vrasjen dhe largimin. Nga kontrolli në shkollë është sekuestruar në cilësinë e proves materjale edhe një pushkë që mendohet të jetë arma e krimit. Burime nga policia bëjnë me dije se pushka dyshohet të jetë futur disa ditë më parë në klasë dhe është modifikuar në përmasa për t’u fshehur poshtë xhupit.

Familjarët e 17-vjeçarit: Krimi i rëndë, shkolla të kishte marrë masa
Ora 12:00-Të tronditur nga ngjarja e rëndë familjarët e 17-vjeçarit Adriatik Tota që humbi jetën pak orë më parë brenda ambienteve të shkollës së mesme profesionale “Beqir Çela” në Shkozet shprehen se shkolla duhet të kishte marrë masa. “Krim shumë i rëndë, shkolla duhet të kishte marë masa. Nxënësit nuk duhet të hyjnë me armë në shkollë”,- shprehen familjarët.
Sipas tyre i riu është qëlluar me disa plumba dhe nuk ka mundur të mbijetojë.

 Deputetët e PD-së në Shkozet, Halimi: Të shkundet policia nga militantët
Ora 11:40-
 Pasi janë larguar nga Komisioni i Ligjeve deputetët e Partisë Demokratike janë nisur drejt Shkozetit. Pasi kanë mbërritur në vendngjarje deputeti Eduard Halimi deklaroi se policia duhet të shkundet nga militantët që ka në radhët e saj. “Reforma e ndërmarrë nga Rama po sjell këto ngjarje. Policia duhet të shkundet nga militantët që ka punësuar”,- deklaroi Halimi.

Deputeti Ristani u shpreh se Partia Demokratike është sot pranë familjes së djaloshit që humbi jetën. “Vrasja e sotme e 15- vjeçarit në ambientet e shkollës së mesme të Shkozetit, ka tronditur të gjithë shqiptarët. Partia Demokratike gjendet afër familjes së viktimës dhe dhimbjes se saj në këtë ditë tragjike dhe shpreh ngushëllimet më të sinqerta.

E gjithë shoqëria shqiptare gjendet sot përballë krimit i cili ka marrë kurajo nga rënia e shtetit dhe kthimi i Policisë së Shtetit në polici partiake dhe të paaftë në kryerjen e detyrave të saj. Kur burgjet e sigurisë së lartë nuk janë më të sigurta sepse kriminelet dalin si nga një shtëpi pushimi. Kur rrugët nuk janë më të sigurta dhe aksidentet marrin përditë jetë njerëzish. Kur banesat e njerëzve, bizneset dhe makinat e tyre nuk janë më të sigurta sepse tritoli po bën kërdinë. Tashmë edhe shkollat nuk janë më të sigurta sepse nxënësit vriten me kallashnikov në mes të shkollës. Nuk mund të ndodhë ndryshe kur Qeveria dhe Kryeministri Rama janë të përqendruar te interesat e tyre dhe Policinë e Shtetit duan me çdo kusht ta shndërrojnë në mekanizëm partiak për ta përdorur jo në interes të rendit dhe sigurisë për popullin. Partia Demokratike është e vendosur të qëndrojë bashkë me popullin dhe t’i kërkojë qeverisë të bëjë detyrën e saj për të mirën e çdo qytetari”,- deklaroi Ristani.

“Është një ngjarje që kërkon nga të gjithë ne më shumë se një prononcim dhe një deklaratë. Dua të shpreh shqetësimin se çdo ditë e më shumë qytetarët shqiptarë po ndihen më të pasigurtë. Unë jam shumë i tronditur si nënë që kam dy vajza të vogla. Nuk është aspak normale. Ngjarja duhet të hetohet. I kërkoj ministrit të Brendshëm dhe kryeministrit të merren masa që ngjarja mos të përsëritet më”,- deklaroi deputetja e PD-së, Albana Vokshi.

Drejt vendit të ngjarjes ministrat Tahiri dhe Nikolla
Ora 10:40
– Menjëherë drejt vendit të ngjarjes në shkollën “Beqir Çela” në Shkozet ku u vra 17-vjeçari Tota kanë shkuar ministri i Brendshëm Saimir Tahiri dhe ministrja e Arsimit Lindita Nikolla. Ministri Tahiri ka deklaruar se është identifikuar dhe është një bashkëmoshatar i viktimës. “Është ngjarje e rëndë që më ka tronditur në radhë të parë si prind edhe më pas për detyrën që mbaj. Garantoj të gjithë prindërit që Policia e Shtetit është në krye të detyrës për të siguruar jetën e çdo fëmije në shkolla. Është një ngjarje që na bën që të reflektojmë për sigurinë në sistemet arsimore. Kemi gjetur një situatë që nuk i përmbush të gjitha kushtet e sigurisë në shkolla. Jemi në fazat që po marrin hapat e duhurura lidhur me masat radikale që duhet të marrim për të garantuar siguri absolute në sistemet arsimore”,- ka deklaruar Tahiri.

Ministrja e Arsimit, Lindita Nikolla ka ngushëlluar familjen dhe ka deklaruar se do të hartohet një program për riedukimin në shkolla. “Janë dy nëna të tronditura sot pasi është një i ri që është vrarë dhe është po një i ri që është kthyer në kriminel. Është tronditje e thellë që kërkon angazhime të posaçme. Situata që ne gjetëm ishte e vështirë, por ne jemi të gjithë bashkë dhe jemi të qartë për programet e ndërhyrjes që duan kohën e tyre. Ky rast tregon se sa shumë e rëndësishme është që të krijojmë në frontin e edukimit partneritetin mësues-prindër dhe nxënës”,- ka deklaruar Nikolla.

Totozani: Vrasja e 17-vjeçarit e patolerueshme
Avokati i Popullit Igli Totozani ka shprehur keqardhje për vrasjen e 17-vjeçarit Adriatik Tota ditën e sotme në shkollën profesionale në Shkozet. Totozani i ka shprehur ngushëllime familjes dhe ka deklaruar se ngjarja është e patolerueshme. “Vrasja e 17-vjeçarit është një ngjarje shumë e rëndë dhe e patolerueshme.Të merren masa urgjente për garantimin e sigurisë në shkolla në të gjithë vendin që ngjarje të tilla të mos përsëriten më”,- është shprehur Totozani.

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here