Home Shendetesi Diabeti faktor rreziku për zemrën dhe trurin

Diabeti faktor rreziku për zemrën dhe trurin

705
0

Rrallë ndonjë sëmundje tjetër në dukje kaq “e butë” krijon ndërlikime kaq të shumta e të rënda sa diabeti. Rrallë ndonjë sëmundje tjetër sa ai arrin të prekë e të dëmtojë aq heshtazi e ngadalë thuajse të gjitha organet kryesore te trupit pa përjashtim dhe sidomos enët e gjakut duke krijuar aksidente kaq dramatike e madje tragjike. Çudia është se vetëm pak të sëmurë me diabet e dinë këtë të vërtetë dhe akoma më të paktë janë ata që e besojnë. Diabeti arrin mjaft shpesh t’i mashtrojë viktimat e tij. Si, në ç’mënyrë? Së pari: Prej mosdijes, mosnjohjes së tij! Shumë të sëmurë nuk e dinë që diabeti krijon ndërlikime. Nuk i njohin ato, madje dhe kur vuajnë prej tyre, nuk u shkon mendja t’i lidhin me të. Së dyti: gënjehen nga forma apo paraqitja e “butë“ e diabetit. Ata kujtojnë se vetëm diabeti i “rëndë” “ai që mjekohet me insulinë” është i rrezikshëm, kurse diabeti “i lehtë” pa shenja, me glicemi jo shumë të lartë (që mjekohet me dietë ose hapa) është jo i dëmshëm”.
Rreziqet reale të diabetit
Diabeti i pamjekuar ose i mjekuar keq krijon në mënyrë të sigurt ndërlikime. Ato janë të shumëllojshme. Sipas kohës së shfaqjes mund të ndahen në ndërlikime të mprehta (akute, urgjente të shpejta), të cilat do t’i përshkruajmë pas kapitullit të mjekimit, dhe në ndërlikime të largëta, apo të ngadalshme, të cilat mund të grupohen në tri kategori të ndryshme, si më poshtë:
1. Ndërlikime që shfaqen në enët e imta të gjakut, në kapilarët e arteriet me kalibër shumë të vogël.
2. Ndërlikime aterosklerotike në enët e gjakut me kalibër të madh.
3. Infeksione e dëmtime në inde e organe të ndryshme të organizmit.

Ndërlikimet
Ndërlikimet që krijohen nga dëmtimet e kapilarëve të gjakut dhe arterieve të vogla. Janë më karakteristike e më tipiket për diabetin. Ato shfaqen zakonisht 3-10 vjet pas fillimit të tij, por vetëm në ato raste kur mjekimi nuk është bërë në mënyrë të kujdesshme e të vazhdueshme. Sa më i vjetër të jetë diabeti, sa më shumë vjet të jetë i sëmuri me hiperglicemi, sa më e lartë të jetë niveli i saj pra sa më i çrregulluar të jetë diabeti, aq më të shpeshta , më të përhapura e më të rënda do të jenë këto dëmtime. Preket e dëmtohet sidomos i tërë rrjeti kapilar, i cili është i përhapur në të gjitha pjesët sado të vogla të organizmit, në të gjitha organet, duke shkaktuar çrregullime në funksionin e tyre.
Ndërlikimet në sy, të shikimit
Së pari, këto dëmtime shfaqen e vërehen në kapilarët brenda syrit, pikërisht në atë shtresë të tij që quhet retinë. Kjo është një cipë shumë e hollë në fund të syrit që luan rolin vendimtar për shikimin e fotografimin e objekteve. Kapilarët e retinës, nën ndikimin e hiperglicemisë kronike shumëvjeçare, deformohen, mbyllen, çahen, lëshojnë brenda në sy lëngje dhe hemorragji, të cilat cenojnë retinën e dëmtojnë pamjen, deri në verbim të plotë.Ky ndërlikim quhet retinopatia diabetike dhe është ndër ndërlikimet më të hershme e më të shpeshta të tij. Fatmirësisht ai nuk zhvillohet për një ditë dhe as për një vit. Duhen vite të tëra që retina të arrijë të prishet e të humbasë pamjen. Zbulimi i dëmtimeve fillestare që quhen mikroaneurizma arrihet me një kontroll fare të thjeshtë të fundit të syrit nga mjeku okulist. Është koha që gjithçka mund të ndreqet. Të sëmurët që kanë shenja hemorragjie në retinë duhet, përveç diabetit, të kontrollojnë vazhdimisht tensionin arterial, ta mbajnë atë gjithmonë në shifra normale e po qe i lartë të përdorin patjetër mjekim të vazhdueshëm për ta ulur e normalizuar. Duhet patur parasysh që përveç dëmtimeve të kapilarëve retinalë diabeti mund të krijojë në sy dhe ndërlikime të tjera, si infeksione, rritje të presionit brenda syrit (glaukoma) dhe sidomos zhvillimin që në moshë të re të perdes (kataraktit). Veç këtyre tek te sëmurët me diabet mund të ndodhin turbullime dhe deri humbje të papritura të pamjes. Por ato janë kalimtare jo nga retinopatia por të lidhura me luhatjet e mëdha e të befta ditore të nivelit të glicemisë. Edhe këto ndërlikime janë pasojë e mosmjekimit dhe e ekuilibrit të keq të diabetit, pasojë e hiperglicemisë së pamjekuar ose të lënë pas dore.

Ndërlikimet ne veshka

Në veshka bëhet filtrimi i vazhdueshëm i gjakut. Me anë të këtij filtrimi organizmi eliminon e flak jashtë në urinë, tërë helmet, mbeturinat e “skorjet” që nxjerrin “makineritë” qelizore gjatë punës së tyre.
Diabeti si pasoje e hiperglicemisë të vazhdueshme për një kohë të gjatë dhjetëra vjeçare mund të dëmtohen kapilarët e hollë të glomerulave dhe kështu pengohet filtrimi dhe funksionimi i veshkës në tërësi. Ky ndërlikim quhet nefropatia diabetike.
Nefropatia, sidomos në fazat e përparuara të saj, kur thuajse bllokohet filtrimi është një ndër ndërlikimet më të rënda e tragjike të diabetit. Për fat të keq me gjithë progresin në mjekimin e diabetit ky komplikacion dramatik vazhdon te mbetet mjaft i shpeshte.
Vetë fillimi i retinopatisë është sinjal i parë alarmi që dëshmon se procesi i dëmtimit të kapilarëve tashmë ka filluar dhe asgjë s’garanton që ai nuk do të prekë e shtrihet edhe në kapilarët e veshkave.
Në këtë fazë të parë të hershme avancimi mund të parandalohet me efikasitet thjesht me mjekimin e saktë të diabetit. Dëmtimi që zhvillohet në ta nuk “dhëmb”.
Prandaj jo rrallë procesi përparon derisa shfaqet një sinjal i dytë. Ky sinjal vjen tashmë nga veshkat e dëmtuara: në urinë shfaqet mikroalbumina.
Është akoma koha kur keqësimi i mëtejshëm i gjendjes mund të pengohet vetëm me një masë të thjeshtë, ekuilibrimin e mirë e të qëndrueshëm të diabetit dhe me luftimin e disa faktorëve të tjerë rëndues të tillë si duhani, dhe sidomos normalizimi i tensionit të lartë të gjakut.
Rritja e presionit të gjakut që shfaqet që në fazat e para kërkon kufizimin e rreptë të kripës në ushqim dhe mjekim të veçantë e energjik, kundra tensionit.
Përkundrazi ata që bëjnë mjekim të çrregullt dhe formal shkojnë drejt shfaqjes së edemave (ënjtjes), dëmtimeve të rënda të funksionit të veshkave, me rritje të shifrave të azotemisë dhe kreatinemisë, të cilat kërkojnë domosdoshmërisht mjekim të specializuar, të ndërlikuar e tepër të shtrenjtë deri me përdorimin e aparateve të dializës së veshkave dhe transplantimin e tyre.

Ndërlikimet nervore tek të sëmurët me diabet

Në dëmtimet e rrjetit kapilar me rëndësi të veçantë janë dhe neuropatitë e diabetit që përfaqësojnë dëmtim e vuajtje të nervave nga kjo sëmundje. Prekja e sistemit nervor mund të jetë shumë më e gjerë, njëhershmi në nervat periferike ashtu dhe në nervat e organeve të brendshme. E para, shfaqet në formë dhimbje, mpirje, ç’mpirje e djegie në formë neuriti. Ulet ndjeshmëria ndaj të ftohtit, të nxehtit e dëmtohen reflekset. Një nga shenjat karakteristike është djegia e shputave të këmbës, sidomos në orët e natës. Në faza më të avancuara nervat dëmtohen aq shumë sa bëhen të pandijshëm, nuk përcjellin dot as dhimbjen as të nxehtin, të ftohtin apo prekjen. Kjo krijon një ndërlikim me rrezik të jashtëzakonshëm për dëmtimin dhe çfaqjen e gangrenës në këmbë, që njihet me emrin këmba diabetike.

Ndikimet e diabetit te zemra dhe truri

Arterioskleroza është një proces që krijohet nga ndikimi i përbashkët dhe nga mpleksja e një sërë faktorësh favorizues, si dhjamosja e tepërt, tensioni i lartë i gjakut, yndyrat e tepërta në gjak, nikotina e duhanit, emocionet e ankthi i vazhdueshëm, puna ndenjur, jeta pa lëvizje fizike, trashëgimia etj. Diabeti dhe arterioskleroza janë dy sëmundje njësoj tinzake dhe të rrezikshme, sepse për një kohë të gjatë të dyja rrinë të fshehura e të heshtura. Në diabet rritet sheqeri në gjak, ai dëmton për vite me radhë kapilarët e gjakut, por as ndihet e as dhemb. Çdo diabetik, pavarësisht nga forma e diabetit apo mjekimi që përdor, sidomos kur kalon moshën 40 vjeç, e ka të domosdoshme të bëjë përpara se të jenë shfaqur shenjat e stenokardisë një kontroll me anën e një prove më të saktë: regjistrimin e elektrokardiogramës pas një ushtrimi fizik.

Disa këshilla të dobishme për diabetikët

Së pari është e këshillueshme respektimi i rregullave të higjienës së trupit (higjiena e lëkurës së duarve, dhëmbëve, thonjve, e këmbëve, e organeve gjenitale), ruajtja nga lagështia, të ftohtit, korrentet e erës etj. Së dyti: vaksinimi i rregullt kundër të gjitha sëmundjeve infektive duke përfshirë edhe gripin.
Së treti: mjekimi i rregullt e i përpiktë i diabetit, ruajtja e ekuilibrit të vazhdueshëm të tij. Lufta më e mirë ndaj infeksioneve është parandalimi i tyre. Nga ana tjetër, nuk duhet shpresuar që infeksionin do ta mposhtë vetëm mjekimi me antibiotikë apo ilaçe të tjera antiinflamatore. Që të mposhtet një infeksion në të sëmurët me diabet, përveç antibiotikëve apo ilaçeve të tjera antiinflamatore duhet bërë patjetër dhe mjekimi shembullor i diabetit, duhet të arrihet e të mbahet në mënyrë të qëndrueshme një ekuilibër i përsosur i tij.

Ushqime që mund të përdoren pa kufizim:

Zarzavate

Domate, Kastravecë
Karota
Sallatë jeshile
Lulelakër
Speca
Panxhar i kuq
Qepë
Rrepë, Lakër e bardhë

Lëngjet

Ujë mineral
Ujë i gazuar
Lëngje zarzavatesh
Kafe ose çaj pa sheqer

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here