Pronat dhe pasuritë e kunatit të ministres Majlinda Bregu, por ndoshta dhe të vetë ministres, mund të vihen nën sekuestro nga pala shqiptare.
Burime pranë grupit hetimor të policisë së shtetit dhe Prokurorisë së krimeve të rënda, konfirmojnë për Gazeta Shqiptare se “hetimet për pronat e Albino Prudentinos dhe djalit të tij vazhdojnë edhe në Shqipëri”. Një gjë e tillë, është e bazuar në ligjin antimafia, ku në nenin 8, pika 1 thuhet se “Prokuroria dhe policia gjyqësore marrin dijeni për pasuritë që duhen verifikuar, sipas këtij ligji, me iniciativën e vet ose me njoftim të bërë nga të tretët”. Që do të thotë, se policia dhe prokuroria shqiptare, janë njohur me vendimin e prokurorisë së Lecces, dhe pas tij kanë kryer arrestimin e Albino Prudentinos, 59 vjeç në Shqipëri.
Albino Prudentino, një ndër bosët e mafias “Sacra Corona Unita” u arrestua në Vlorë katër ditë më parë me akuzën e prokurorisë së Leces për organizatë mafioze dhe trafik të lëndëve narkotike.
Pronat e Albino Prudentinos në Shqipëri, ekzistojnë në emër të djalit të tij Angelo Prudentino dhe janë tre të tilla, ku njëra prej tyre është “Betting System Albania” ku është përfshirë edhe motra e kunati i Ministres së Integrimit, Majlinda Bregu. Ndërkohë që në QKR, figurojnë edhe dy kompani të tjera “Kazino Italia” dhe “Bet plus”.
Por ligji shqiptar “Antimafia”, i cili është marrë njëlloj nga pala italiane, e që ka hyrë në fuqi në Janar të këtij viti, parashikon se të gjitha pronat që burojnë nga pasuri kriminale, vihen nën sekuestro.
Sipas ligjit, rezulton se prona e Angelo Prudentino, babai i të cilit u arrestua në Vlorë si mafioz, duhet të vihet në sekuestro nga pala shqiptare, dhe po ashtu edhe gjithë ortakëve të tij. Prona, nuk përfshin vetëm bizneset, por edhe shtëpitë, makinat dhe aktivitete të tjera.
Po sot Gazeta Shqiptare publikon gjerësisht fakte se Angelo Prudentino, djali 35 vjeçar i bosit të mafias “Sacra Corona Unita”, nuk është aq i shenjtë sa ç’na prezantohet me dokumente zyrtare nga Ministrja Bregu. Sipas të përditshmes, Angelo Prudentino, nuk njihet si biznesmen në Itali, aq më pak në Shqipëri ku për të tillë duket se e njeh vetëm ministrja.
Në numrin e djeshëm, Gazeta Shqiptare ju solli një pjesë të përgjimeve të Prokurorisë Italiane lidhur me bisedën mes dy krerëve të klanit mafioz të Sacra Corona Unita, Albino Prudentino dhe Daniele Vicientino. Nga biseda e përgjuar nga zyrtarët e policisë, del qartë se kapo është Daniele Vicientino, i cili edhe e udhëzon Albinon sesi mund të veprojë për çështjen e drogës. Në pjesën e dytë të përgjimeve, qe publikon gjeresisht sot e perditshmja, biseda mes Daniele Vicientinos dhe Albino Prudentinos vijon për transportin e një sasie droge.