Home Aktualitet Mat, 23-vjeçari kapi çiftin “mat”, burri dhe dashnori e vrasin

Mat, 23-vjeçari kapi çiftin “mat”, burri dhe dashnori e vrasin

632
0

Një histori banale, në një qytezë ku ajri “soset” nga opinioni dhe thashethemet, i ka kushtuar jetën një 23-vjeçari. Fatjon Barmetaj, me profesion kamerier, është bërë dëshmitar i një marrëdhënieje jashtëmartesore të pronares së lokalit ku ai punonte. Është paguar nën dorë (sipas babait të viktimës) për të mbyllur gojën, por kjo nuk ka dhënë garanci. 10 muaj pas këtij episodi, i riu është rrëmbyer në rrugë, është vrarë dhe më pas është groposur rreth 2 km larg qytezës ku banonte. Burime zyrtare nga policia bëjnë të ditur, se ngjarja e rëndë ndodhi në Klos të rrethit të Matit. Mësohet se 23-vjeçari është zhdukur mbrëmjen e së shtunës. Pas denoncimit të familjarëve, policia ka nisur hetimet. Vetëm pasditen e djeshme u bë e mundur gjetja e vendit ku ishte groposur viktima. Ekspertët e çështjes pohojnë se Barmetaj u gjet në breg të lumit Mat, në vendin e quajtur “Ura e Hasit”, në afërsi të fshatit Bershi (në mes të Klosit dhe Burrelit).

Pas 5 orë gërmimesh me fadromë u nxor trupi i pajetë i kamerierit. Për zbardhjen e kësaj ngjarjeje, policia ka shoqëruar 10 persona. Ndërsa mbrëmjen e djeshme u arrestua si i dyshuar për vrasje, Astrit Bojaj nga qyteza e Klosit. Gjatë kohës që po bëheshin gërmime për nxjerrjen e kufomës, ishte i pranishëm dhe babai i 23-vjeçarit. “Gazeta Shqiptare”, në linjë telefonike mundi të merrte në intervistë Liman Barmetajn. Babai i të riut tregon me detaje rrethanat e vrasjes së djalit të tij të vetëm. Ai akuzon publikisht për këtë ngjarje pronarin e lokalit ku ka punuar djali i tij, Përparim Bojajn, si dhe Fatjon Camin (i dashuri i gruas së pronarit të lokalit).

Kur është zhdukur djali juaj?
Fatjoni punonte si kamerier në një lokal të qytezës së Klosit. Rreth orës 21:30 të së shtunës ai ka mbaruar turnin dhe ka dalë nga lokali për të ardhur në shtëpi. Ne e pritëm deri vonë dhe u shqetësuam shumë. Gjithë natën e kërkova metë afërm, miq dhe dashamirë të mi, por nuk e gjetëm. Asnjë nga të afërmit e mi nuk dinte gjë se ku ndodhej im bir. U tronditëm familjarisht, se kishim frikë për të. E kisha djalë të vetëm.
Çfarë bëtë më pas?
Të nesërmen (të dielën), rreth orës 08:30 shkova dhe denoncova zhdukjen e djalit në polici. Tregova çfarë dija për të dhe çfarë problemi kishte.
Kishte ndonjë konflikt në vendin ku punonte djali juaj apo me persona të tjerë?
Fatjoni nuk kishte probleme në lokalin ku punonte kohët e fundit. Ai kishte njëproblem në një lokal tjetër ku kishte punuar më parë si kamerier.
Mund të na thoni konkretisht për çfarë bëhet fjalë?
Im bir është bërë dëshmitar i një marrëdhënieje intime, i një marrëdhënieje jashtëmartesore. Fati i keq i tij. Ai ka kapur në flagrancë bashkëshorten e pronarit (grua e martuar me dy fëmijë) me të dashurin e saj, i cili është banor i qytezës së Klosit.
Si e mësuat ju këtë histori?
Më erdhi djali në shtëpi dhe më tha: ‘Babi, do e lë punën. Nuk punoj më, se është lokal ku bëhen pisllëqe’. E pyeta se për se bëhej fjalë dhe ai më tregoi se gruaja e pronarit i kishte dhënë 125 mijë lekë që të mos fliste për atë që kishte parë.
I mori lekët djali juaj?
Duke qenë se ishte histori e keqe, djali, për të treguar besueshmëri i kishte marrë lekët.
Kur ka ndodhur ky episod dhe pse mendoni se ka lidhje me vrasjen e djalit tuaj?
Kjo histori banale që i kushtoi jetën tim biri, që nuk kam ku e gjej më (qan), ka ndodhur para 10 muajsh. Pronari i lokalit dhe vëllai i tij, por më shumë i dashuri i gruas, nuk besonin se Fatjoni do e mbante gojën mbyllur. Ata kishin frikë, ndaj vendosën që ta vrisnin.
Kë akuzoni konkretisht për vrasjen e Fatjonit?
Pronarin e lokalit, Përparim Bojaj, dhe dashnorin e gruas së tij, Fatjon Cami.
Burime nga policia pohojnë se për vrasjen e djalit tuaj është ndaluar Astrit Bojaj. Kush është ky?
Astriti është vëllai i Përparim Bojajt. Nuk e di nëse dhe ai ka marrë pjesë në vrasjen e djalit.
Si e gjeti policia vendin ku është groposur djali juaj?
(Qan me ngulshe). Është puna e policisë se si e gjeti. Është dhimbje aq e madhe,  sa nuk mund ta them. Tani më ka mbetur vetëm vajza. Ndonëse jam me një mal dhimbje, dua ta falënderoj policinë. Ajo gjeti vendin ku është groposur djali. Në të kundërt, nuk do ia gjeja trupin kurrë. Fatjonin e kanë groposur 2 km larg Klosit, dhe e kanë mbuluar me fadromë. Kemi orë të tëra që po punojmë me fadromë për nxjerrjen e trupit të tij.
Cili është apeli juaj?
Vrasësit të ndëshkohen nga drejtësia! E përsëris, e kisha djalë të vetëm. Më lanë pa djalë, më thanë krahët.

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here