Home Ekonomi “Aktor” fiton tenderin për rrugën Tiranë-Elbasan

“Aktor” fiton tenderin për rrugën Tiranë-Elbasan

2452
0

Qeveria duket se ka shpallur fituesin e rrugës Tiranë-Elbasan për pjesën e tunelit, pranë Kërrabës, me gjatësi 4 km. Lajmi jepet me siguri nga mediat greke, duke cituar burime zyrtare të kompanisë “Aktor”, e cila deklaron se është shpallur fituese e tenderit me vlerë rreth 83 milionë euro, për ndërtimin e tunelit. Një nga agjencitë “capital.gr”, i referohet kompanisë mëmë, me seli në Athinë, “Ellaktor”, sipas së cilës tenderi është fituar nga vetë ata, gjatë një gare mes 7 kompanive.

Pala shqiptare nuk e konfirmon një vendim të tillë, por pranon, nga ana tjetër, se kompania greke ka ofruar çmimin më të ulët në tender, 83 milionë dollarë, nga 150 milionë dollarë që kishte vënë në dispozicion Drejtoria e Përgjithshme e Rrugëve.

Sipas kompanisë helene, në kontratë është vendosur afati i ndërtimit të tunelit, për 18 muaj, pas firmosjes së kontratës.

“‘Aktor’ ofroi 59 milionë euro, çmimi më i ulët nga 7 ofertat të paraqitura gjithsej”, bën të ditur agjencia, e cila më tej i referohet Kryeministrit Berisha, ku sipas të cilit ndërtimi i autostradës do ta shkurtojë distancën kohore me 25 minuta.

Një tjetër fakt interesant i përmendur nga mediat greke lidhet me takimin që Kryeministri i Shqipërisë paska zhvilluar në verën e vitit të kaluar me një nga drejtuesit më të lartë të kompanisë, “Aktor”.

“Drejtuesi kryesor i kompanisë, Dimitris Koutras, ka takuar verën e vitit të kaluar Kryeministrin Berisha, duke i bërë të ditur planin e shoqërisë për të marrë pjesë në disa projekte të mëdha”, citon agjencia.

Pak ditë më parë, ministri i Transporteve, Sokol Olldashi, nuk pranoi të jepte emrin e fituesit të rrugës, pasi, sipas tij, janë duke u shqyrtuar edhe dokumentet e fundit të tenderit, deri në shpalljen finale, duke garantuar nisjen e punimeve në fillim të muajit prill. Ndërkaq, gazeta mëson faktin se Drejtoria e Rrugëve sapo ka shpallur fituesin që do të kryejë projektin e rrugës, studim ky që do të kushtojë rreth 110 milionë lekë, gati 1 milion dollarë.

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here