Pas aksidentit tragjik në rrugën Lezhë-Shkodër, ku 5 të rinj gjetën vdekjen, Kryeministri Rama shkruajti këto fjalë në faqen e tij në Facebook: “Si përfaqësues i shtetit shqiptar, dua të shpreh vendosmërinë për të marrë në vijimsi të gjithë masat e nevojshme, që do të parandalonin, deri aty ku është e mundur, tmerre të tilla dhe aksidentet rrugore, që vazhdojnë të jenë kërcënimi më i madh për jetët e qytetarëve tanë”.
Në fakt, për ndjekësit e lajmeve televizive shqiptare, është bërë tashmë e zakonshme të shohin pothuaj përditë kronika me aksidente të ngjashme automobilistike, që ndodhin papushim në rrugët e Shqipërisë. Kështuqë sensibilizimi i publikut shqiptar rreth kësaj çështje është praktikisht i përditshëm. Sepse, sipas statistikave, në Shqipëri, ndodhin mesatarisht 6 aksidente çdo 5 ditë.
E përkthyer në një numër të krahasueshëm me vendet e tjera, kjo statistikë do të thotë se në Shqipëri ndodhin 21 aksidente për 10.000 automjete, ose 3.6 herë më shumë se në vendet ish-komuniste e 11 herë më shumë se në Suedi. Dhe ç’është më e keqja, gjysma e aksidenteve automobilistike shqiptare përfundojnë me vdekjen e të paktës njërës prej viktimave; një rekord absolut evropian.
Sadoqë këto statistika janë të dhimbshme për çdo shqiptar, dhimbjen e tyre mund ta ndjejnë thellë në shpirt vetëm ata që humbasin familjarët ose të afërmit në aksidente automobilistike. Gjithashtu, mund ta ndjejnë thellë edhe të gjithë ata që, si rezultat i aksidenteve automobilistike, humbasin një dorë, një krah, një këmbë, ose që pësojnë trauma me pasoja afatgjata për jetën e tyre.
Por aksidentet automobilistike nuk shkaktojnë vetëm dhimbje. Ato i shkaktojnë shoqërisë edhe një kosto të konsiderueshme ekonomike. Sepse çdo aksident shoqërohet edhe me koston e policisë rrugore që shkon në vendin e ngjarjes, me koston për transportimin e viktimave në spital, me koston për mjekimin e viktimave, me dëmin që i bëhet automjeteve, me vonesat e trafikut që shkaktojnë humbje kohe e karburanti, me humbjen e aftësisë për të prodhuar të mira materiale, dhe me shpenzime administrative të ndryshme.
Deri më sot, për mungesë të të dhënave të detajuara, asnjë ekonomist nuk ka arritur të vlerësojë me saktësi se sa i kushtojnë shoqërisë shqiptare aksidentet automobilistike. Dhe ndoshta do të duhet të kalojnë vite përpara se të dhëna të tilla të vihen në dispozicion të ekonomistëve. Ndërkohë, një vlerësim i përafërt mund të bëhet duke përshtatur kostot e vendeve të tjera sipas kushteve të Shqipërisë.
Për këtë qëllim mund të përdoret, p.sh., një studim rreth kostos ekonomike të aksidenteve automobilistike i Pacific Institute for Research and Evaluation**, sipas të cilit, një aksident automobilistik i ka kushtuar shoqërisë amerikane mesatarisht rreth 87 mijë dollarë në 2010-ën.
Për ta konvertuar këtë kosto në një shifër që do të kishte kuptim për kushtet e Shqipërisë, siç u përmend më lart, disa axhustime janë të domosdoshme. Së pari, këto axhustime duhet të marrin parasysh raportin të vdekur / të plagosur / të paplagosur në aksidente, i cili në Shqipëri, fatkeqësisht, anon ndjeshëm nga vdekjet dhe plagosjet. Së dyti, axhustimet duhet të marrin parasysh diferencat në koston e mjekimit të plagosjeve, e cila është rreth 8 herë më e lartë në ShBA. Së treti, ato duhet të marrin parasysh diferencat në koston e zëvendësimit apo riparimit të automjeteve, e cila është rreth 4 herë më e lartë në ShBA. Dhe së fundi, në mënyrë që të konvertohet vlera e të mirave materiale që nuk prodhohen dot si pasojë e plagosjes apo humbjes së kohës nga aksidentet, axhustimet duhet të marrin parasysh edhe sa është vlera mesatare e produkteve apo shërbimeve që një punonjës prodhon në ditë në secilin vend.
Pas këtyre axhustimeve, rezulton se, mesatarisht, një aksident automobilistik i kushton shoqërisë shqiptare rreth 13 mijë dollarë (me kursin e 2010-ës). Duke ditur se qysh nga viti 1992, në shqipëri ka patur 6600 të vdekur dhe 117 mijë të plagosur në aksidentet automobilistike, rezulton se kostoja totale ekonomike e aksidenteve automobilistike në këto 20 vjet arrin shifrën 471 milionë dollarë (me vlerën e dollarit në 2010-ën).
Për lexuesin e thjeshtë, mund të jetë e vështirë të kuptojë se sa mund i duhet një ekonomisti të arrijë në këtë shifër të përafërt, por jo dhe aq e vështirë të kuptojë domethënien e saj. Sepse në një vend të varfër si Shqipëria, çdo njeri e kupton se çdo të thotë një humbje prej 471 milionë dollarësh. Duke e konsideruar të mirëqenë këtë fakt, mbetet të sqarohet se cilat janë rrugët për uljen e kostos ekonomike të aksidenteve automobilistike në Shqipëri, dhe sa mund të jetë magnituda e kësaj uljeje.
Që kostoja ekonomike e aksidenteve automobilistike të ulet, mund të përdoren dy përqasje. Së pari, mund të synohet pakësimi i numrit të aksidenteve, dhe së dyti, ulja e shkallës së dëmtimit të njerëzve të përfshirë në aksidente.
Përqasja e parë kërkon përmirësim të rrugëve e sinjalistikës rrugore, respektim të rreptë të rregullave të qarkullimit dhe uljen e ndjeshme të numrit të drejtuesve të dehur të automjeteve. Ndërsa e dyta kërkon përdorimin e rripave të sigurisë e të ndejtëseve të posaçme për fëmijët deri në 5 vjeç, si dhe pajisjen e makinave me jastëkë ajri mbrojtës.
Ndër këto masa, disa janë të kushtueshme për t’u realizuar, por disa të tjera kushtojnë fare pak. Kështu, në qoftë se të gjithë njerëzit që udhëtojnë me automjete përdorin rripin e sigurisë, numri i vdekjeve nga aksidentet pakësohet pothuajse 45%, e numri i plagosjeve të rënda pakësohet me 28%. Përkthyer në gjuhën ekonomike, kjo do të thotë se efekti në koston totale të aksidenteve do të ishte një ulje rreth 30%.
Në mënyrë të ngjashme, në qoftë se shpejtësia mesatare e ngarjes së automjeteve në të gjithë vendin ulet me 5 km/orë, numri i aksidenteve, e për rrjedhim edhe kostoja totale e tyre, do të ulej 25%. Ndërsa një përgjysmim i numrit të shoferëve të pirë do të ndikonte në një reduktim prej 25% të faturës që shoqëria shqiptare paguan për aksidentet automobilistike.
Për t’i realizuar shoqërisë kursime të tilla, qeverisë i duhet të bëjë vetëm shpenzime modeste për zbatimin rigoroz të rregullores së qarkullimit rrugor dhe për fushatën e ndërgjegjësimit të publikut. Ose thënë ndryshe, i duhet ta vrasë disi më tepër mendjen për jetën dhe mirëqenien e shtetasve të vet.