Home Mustafa Nano Sejdini zhgënjeu më shumë me shpjegimet që bëri

Sejdini zhgënjeu më shumë me shpjegimet që bëri

1001
0

sejdiniPo duket se ndërhyrja sqaruese e Qazim Sejdinit, shoqëruar dhe me ndërhyrjen kryeministrore të tipit ultima ratio, e kanë mbyllur debatin që nisi pas publikimit të bisedës së përgjuar mes Sejdinit vetë e gazetarëve, në të cilën i bëhej një sintezë e shkëlqyer marrëdhënieve që ka mass-media me politikën, gazetarët me politikanët, financuesit e mediave me pushtetin apo gazetarët me profesionin e tyre. (Dhe duhet thënë se në këtë histori, gjëja më e pashijshme ka qenë një deklaratë e Unionit të Gazetarëve të Elbasanit; ishte një deklaratë që na turpëron ne gazetarëve më shumë se sa ajo që dilte në shesh prej “apelit medemek prindëror” që kreu i Bashkisë së Elbasanit u bënte sy ndër sy të njëjtëve gazetarë. Kjo çalltisje e gazetarëve të Elbasanit është prova më e qartë që vërteton se në ç’pikë është katandisur profesioni i tyre, dhe i yni.)

Ju kujtohet se çfarë tha Sejdini në atë takim me shtypin? Po e risjell në vëmendjen e të gjithë lexuesve, duke e cituar germë për germë, në mënyrë që ta rishijojmë në versionin origjinal, në stilin prej babaxhani e në zhargonin sportiv të Sejdinit: “Ju jap një këshillë, që duhet ta keni parasysh. Ju harroni se jeni në punë. Dhe ju me gojën tuaj, me kamerat tuaja, prishni interesat e pronarit. Pronari me pushtetin është i lidhur pazgjidhshmërisht dhe s’ka ku ta çojë topin. Në kohën që i prishni interesat pronarit, … ai [do të jetë] i detyruar t’ju përzërë juve…. Jo unë, por kushdo që të jetë kryetar bashkie, ka lidhje pune [me pronarin], nuk ka ku ta çojë topin. Kështu që… kështu janë këto punë. Kushdo të jetë kryetar bashkie, s’ka ku ta çojë topin.”

“Gja ma interesante nuk e ban ma nana”, do duhej të thoshim me të folmen e Sejdinit. Por në fakt ka edhe një gjë më interesante. Është sqarimi që po ky u bën mufkave të veta, nëpërmjet mufkave të tjera. Ja një përmbledhje: “Më duhet të sqaroj se biseda [ishte] e sinqertë dhe informale; [kjo bisedë] është zhvilluar në një nga takimet e mia me gazetarët vitin e kaluar, përpara se të fillonim takimin zyrtar; më vjen keq, që… ajo copëz bisede po shfrytëzohet politikisht dhe [është nxjerrë] nga konteksti real i deklaruar në atë takim. Ndiej keqardhje për keqkuptimet e krijuara në mediat qendrore, …ndiej keqardhje, që janë mediat tashmë, që nëpërmjet asaj copëze bisede të shkëputur nga konteksti i saj i vërtetë, po përdoren për qëllime politike, duke ndërhyrë ditën e fundit në fushatën zgjedhore.” Dhe më tej, ai flet që këtë debat po e mban gjallë media e opozitës, dhe kandidati rival i tij.

Ka dy mufka të mëdha në këtë mes. Njëra është kjo e fundit, në të cilën Sejdini na flet për një komplot të organizuar nga opozita e nga rivali i tij në Elbasan. Dhe as që i shkon në mendje se në këtë mes nuk ka fare rëndësi se kush e ka përgjuar bisedën, kush e ka publikuar e kush përfiton prej kësaj ngjarjeje. Nuk është se Sejdinin e kanë përgjuar në jetën e tij private, apo e kanë cenuar në nderin personal apo familjar me fyerje, shpifje, sharje, etj. Jo, atë e kanë përgjuar gjatë një veprimtarie publike, në të cilën ai ka marrë pjesë në funksionin e kreut të bashkisë, e në këtë kuptim, ai ka për detyrë të shpjegojë opinionet e qëndrimet që ka mbajtur në atë rast. Kjo ka rëndësi. Të tjerat janë një mënyrë për t’i ikur thelbit të çështjes. Dhe thelbi i çështjes është Sejdini, të cilin ne patëm mundësi ta ndjekim me zë e figurë në këtë film. Thelbi i çështjes janë fjalët e Sejdinit, që prej cilitdo kontekst të nxirren, mbeten një tekst autentik. Ky është nga ato tekste që nuk ka kontekst që ta zhbëjë.

E prandaj, Sejdini mund të na e kursente këtë reagim të dytë. Do ishte më mirë ta shoqëronte këtë ngjarje të vetën me heshtje, edhe pse heshtja do të ishte më vetëdenoncuese se biseda që ai ka bërë me gazetarët, se sa të thoshte këto që tha. E dini? Reagimi i Sejdinit më futi në një botë supozimesh empatike. Përfytyrova pra sikur isha në vend të Sejdinit; në vend të Sejdinit, por si Sejdini, me mendjen e tij, me mënyrën se si ai e koncepton politikën, pushtetin, median, gazetarët, dhe – ky është kulmi i empatisë – me këmbënguljen apo interesin për t’u kapur fort pas pushtetit. Veçse me një ndryshim: me inteligjencën për të kuptuar se me atë bisedën me gazetarët e ka katranosur punën fare. Nuk është puna se ka thënë gjëra që nuk dihen. Nuk është puna gjithashtu se ne nuk e dimë që Sejdini ato mund t’i kish thënë. Puna është se Sejdini do duhej të kuptonte se, nga momenti që kjo bisedë bëhet publike, gjërat nuk janë më si më parë. Kur opinioni publik merr me mend se një praktikë korruptive ekziston, është një gjë, por kur opinioni publik ka prova se e njëjta praktikë korruptive ekziston, është një gjë tjetër. Në rastin e parë mund ta injorosh opinionin publik, me idenë se ngrihet mbi supozime, hamendje, deduksione, spekulime, por në rastin e dytë, kur opinioni publik ngrihet mbi prova, duhen dhënë se s’bën shpjegime. Nëse jo, gjithçka bëhet nonsens, dhe me gjithçka kam parasysh gjithçka, zgjedhjet, mediat, opinionin publik, demokracinë, llogaridhënien, etj. Po ta kish kuptuar këtë gjë, reagimi i tij do të ishte ndryshe.

Dhe unë po vijoj me supozimin e mësipërm, po supozoj pra se do më duhej të bëja shpjegime pas publikimit të materialit të përgjuar. Në vend të Sejdinit. Por si Sejdini që – ky është atributi pra që po i shtoj atij – ka vetëdijen se me publikimin e kësaj videoje puna është djallosur. Nuk do të jepja dorëheqjen, afërmendsh. Sejdinët tanë nuk dinë të japin dorëheqje. Përveç kësaj, Sejdini nuk është se është më i mbrapshtë e më skandaloz se kolegët e tij në këtë drejtim; Sejdini thjesht ka pasur fatin e keq që është përgjuar. Të tjerët, po të përgjoheshin në diskutime të këtij lloji, do të thoshin gjëra edhe më të rënda e me tone arrogante. Për më tepër, Sejdini “nuk është budalla” që të tërhiqet nga një garë, ku fitoren e ka të sigurt. E ka të sigurt, ngaqë ka mbështetje absolute në Elbasan (këtë e thonë sondazhet, apo jo?). Në këto rrethana, unë në vend të Sejdinit e me mendjen e Sejdinit, do dilja e do të thoja:

“Miq, materiali i përgjuar e i publikuar më ka bërë të ndihem ligsht. Ky është një moment i vështirë në jetën e në karrierën time politike. Por unë dua ta shndërroj të gjithë këtë në një arsye për të reflektuar. Ftoj dhe kolegët e mi politikanë, madje dhe gazetarët e të gjitha sërëve e niveleve, që të bëjnë të njëjtën gjë pasi problemet që dalin nga kjo bisedë na përkasin të gjithëve, madje të tjerëve shumë më shumë se sa mua. Çfarë unë them në atë video është e rëndë, por situata reale është edhe më e rëndë, dhe nuk do të ishte hiç e drejtë që unë të bëhesha kurban i kësaj situate të rëndë. Por unë jam dakord që kjo video e publikuar të na shërbejë si arsye për të iniciuar një debat të thellë e të vërtetë lidhur me marrëdhëniet mes klasës politike e shtypit, mes politikanëve e gazetarëve, mes biznesmenëve që financojnë median e pushtetit, etj, etj. Unë jam i gatshëm të marr pjesë në këtë debat me të gjitha përgjegjësitë e fajet e mia. Bëj një mea culpa të fortë pas kësaj që ndodhi. Por nga dorëheqja ime nuk ka qar askush, e aq më pak qytetarët e Elbasanit. Madje, këta të fundit vetëm qeder do të kenë. E për më tepër, dorëheqja ime nuk do ta zgjidhte problemin që ekziston në marrëdhëniet media-politikë.”

Përsëris e saktësoj që ky nuk është reagimi normal që do duhej të bëhej. Ky është reagimi që do mund të bënte një njeri si Sejdini për të mos dalë fare faqezi nga kjo histori. E për të mbajtur pushtetin. Që Sejdinët nuk dinë ta lëshojnë.
“Shqip”

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here