Home Politike Zgjedhjet vendore: Kolegji tërhiqet për administrimin e provave

Zgjedhjet vendore: Kolegji tërhiqet për administrimin e provave

615
0

Rezultati final për Tiranën do të duhet sërish të presë përfundimin e betejës ligjore në Kolegjin Zgjedhor. Në ora 10:00, trupa gjyqësore e Kolegjit nisi shqyrtimin e kërkesë-padisë së re të paraqitur nga Partia Socialiste, ku pas rrëzimit të dy ankimimeve të para, këtë herë socialistët kërkojnë gjykimin në themel të çështjes që lidhet me fletët e votimit të hedhura në kutitë e gabuara. Për më shumë se 4 orë trupi gjykues i Kolegjit Zgjedhor ka dëgjuar pretendimet e palëve në proces, atë të Partisë Socialiste, Komisionit Qendror Zgjedhor dhe Partisë Demokratike si palë e interesuar. Nga ora 10.00 deri në orën 14.30 minuta Kolegji Zgjedhor është tërhequr dy herë, vetëm për disa minuta pushim. Pushimi i fundit i Kolegjit Zgjedhor u bë në orën 14. 30 minuta dhe do zgjasë 15 minuta, për të vazhduar më pas me deklarimet përfundimtare të palëve në proces dhe në fund Kolegji Zgjedhor do të tërhiqet për vendim. PS kundërshton tabelën përmbledhëse të rezultatit në Tiranë. Ndërsa KQZ e PD kërkon rrëzimin e padisë socialiste.

KOLEGJIT ZGJEDHOR, VENIDMI PER TIRANEN PAS ORES 21:00
Aktualisht në selinë e Gjykatës së Apelit ka lëvizje, si dhe janë të pranishëm personat e interesuar, konkretisht avokatët e PD dhe PS, si dhe një prani e shtuar e anëtarëve të komisionit të ligjeve nga të dyja palët. Pritet që trupa gjyqësore, me në krye Dhurata Haverin të mblidhet dhe vendimi do të jepet patjetër sot, pas orës 21:00.

KOLEGJI ZGJEDHOR VONON NISJEN E MBLEDHJES
Ora 20:00-Edhe pse ishte njoftuar se ne oren 19:30 do niste mbledhja ku do te deklarohej vendimi perfundimtar per kreun e Bashkise se Tiranes, Kolegji Zgjedhor nuk ka nisur ende mbledhjen. Ora shenon 20:00 dhe mbledhja po vonon te nise ndersa nuk ka asnje deklarate per vonesen. Mesohet se situata ne seline e PD dhe ate te PS eshte e qete dhe ne pritje te vendimit te Kolegjit Zgjedhor.

KOLEGJI ZGJEDHOR TËRHIQET PËR VENDIMIN
Ankimimi i Partisë Socialiste në Kolegjin Zgjedhor për të shpallur të pavlefshëm tabelën për Tiranën, pritet të marrë përgjigje në orën 19:30 të pasdites. Pasi ka dëgjuar për rreth 6 orë palët e interesuara atë të Partisë Socialiste, Komisionit Qendror Zgjedhor dhe Partisë Demokratike si palë e interesuar, Kolegji Zgjedhor është tërhequr për të administruar provat e paraqituara. PD dhe KQZ i kanë kërkuar sot Kolegjit Zgjedhor rrëzimin e padisë së socialisteve të cilët kundërshtojnë tabelën përmbledhëse të rezultatit të Tiranës dhe tabelat e cdo grupi numërimi.

GJIKNURI: TE RREZOHEN VENDIMET KQZ
Në fillim të seancës përfaqësuesi ligjor, njëkohësisht deputeti socialist Damian Gjiknuri tha para trupit gjykues se PS kundërshton vendimet e KQZ për ndryshimin e tabelës së rezultateve për cdo qendër votimi. “Këto vendime- tha Gjiknuri- janë marrë pas hapjes së kutive nga KQZ që prej datës 18 maj deri në 23 maj me numërimin e fletëve të kontestuara”. PS ka kërkuar administrimin si provë të tabelave përfundimtare për të 485 qendrat e votimit në Tiranë si dhe tabelën përmbledhëse të rezultatit të Tiranës. Pas 20 minutash pushim Kolegji Zgjedhor është rimbledhur për të vazhduar me shqyrtimin me dëgjimin e argumenteve të përfaqësueses ligjore të KQZ-së.
Në kërkesë-padinë e tretë të depozituar në Kolegj disa ditë më parë, socialistët shprehen ndër të tjera se KQZ-ja, me hapjen e kutive për numërimin e fletëve të votimit që ndodheshin në kutitë e gabuara, ndryshoi tabelat e grupeve të numërimit, sipas tyre, në kundërshtim flagrant me ligjin. Gjithashtu, PS-ja ankohet edhe për faktin se në fund të procesit të rinumërimit dhe ndryshimit të tabelave, rezultojnë 357 fletë votimi më shumë se sa votues, ndërkohë që edhe konsiderimi si të vlefshëm i fletëve të hedhura në kutitë e gabuara bie në kundërshtim me përcaktimet e kodit zgjedhor, pretendon opozita.

PASKO e KQZ: PADIA E PS E PABAZE
Drejtoresha juridike e KQZ Dëshira Pasko e ka cilësuar të pabazë padinë e socialisteve. Sipas saj në fund të procesit u depozituan tabelat e rezultateve nga KZAZ e Tiranës me përjashtim të tabelës së KZAZ 49 ku u konstatuan fletë të hedhura në kutitë e gabuara. „Në këto kushte- sqaroi Pasko- kjo KZAZ i kerkoi KQZ të numëroheshin këto fletë votimi se shprehnin vullnetin e zgjedhësve.“ Sipas Paskos KQZ vijoi me numërimin e votave dhe ndryshoi tabelat e grupeve të numerimit dhe këto ndryshime u reflektuan në tabelat përfundimtare. Ankuesit sipas drejtores juridike të KQZ nuk ngrenë pretendim për pavlefshmërinë e votave të gjetura në kutitë gabim por ngrenë pretendimin se vullneti i zgjedhësve nuk përputhet me votat në kuti dhe ky pretendim nuk qendron.

KASO I PD: KOLEGJI U SHPREH MË 3 QERSHOR
Përfaqësuesi i PD-së Ivi Kaso deklaroi se tashmë Kolegji Zgjedhur është shprehur me 3 qershor për akte të ndërmjetme duke i konsideruar aktet si të ligjshme, ndaj ai nuk duhet ta marre parasysh kerkesen e PS. Kaso theksoi se PS po paraqet pranë Kolegjit të njëjtat fakte dhe nuk po paraqet fakte për manipulim.
“Kolegji u shpreh më 3 qershor. U shpreh për aktet e ndërmjetme dhe i konsideroi si të ligjshme. Mosrakordimi i shifrave, gabim njerëzor. Nëse PS ka fakte për manipulim,t’i paraqesë”,- deklaroi Kaso.

Relatore e çështjes është Dhurata Haveri. Anëtarë janë Sashenka Jonuzi, Marie Qirjazi, Meriban Mullaj dhe Astrit Kalaja.

Më 3 qershor, Kolegji Zgjedhor pushoi çështjen mbi ankesën tjetër të paraqitur nga PS-ja për zgjedhjet për kryetarin e bashkisë Tiranë, duke lënë në fuqi vendimin e KQZ-së të datës 23 maj, që nxjerr kandidatin demokrat Lulzim Basha fitues të garës për Bashkinë e Tiranës, me 81 vota më shumë se kandidati socialist, Edi Rama. Sipas Kodit Zgjedhor, vendimet e Kolegjit janë të formës së prerë. Përfundimi i shqyrtimit të ankesave nga Kolegji zgjedhor certifikon rezultatin përfundimtar të zgjedhjeve nga Komisioni Qendror Zgjedhor.

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here