Rezultati i LSI-së më 8 Maj dhe mbajtja bindshëm e nivelit të forcës së tretë politike në vend, kanë ringritur edhe njëherë pikëpyetjen nëse zgjedhësit i gjykojnë apo jo partitë në bazë të sjelljes së tyre. Nëse ato ndëshkohen, apo përfitojnë në bazë të një metri moral?
Po të shohësh mbi 120 mijë votuesit që mbështetën këtë radhë këtë parti, së cilës kori i madh kundërshtarëve i kishte parathënë fundin, duket sikur një kriter i tillë nuk ekziston. Në këto dy vite partia e Ilir Metës ka bërë pothuajse gjithçka kundër parimeve të atyre që predikojnë moralin si një nga kriteret e gjykimit politik.
LSI kërkoi në verën e 2009-s një votë kundër Sali Gërdecit dhe shkoi e u ul në vjeshtë, pothuajse pa asnjë kusht, në prehrin e tij. U mundua ta justifikojë këtë veprim me luajtjen e një roli moderator, si një lloj dige për të shmangur gjithpushtetshmërinë e Kryeministrit, por u shndërrua në shërbyese të bindur të tij. E justifikoi koalicionin me stabilitetin e vendit dhe me të ardhmen e tij europiane, por e mbështeti PD-në në të gjitha herezitë që nuk i dhanë Shqipërisë statusin e vendit kandidat (me një përjashtim të vetëm mosvotimin e ndryshimeve në ligjin për Shërbimin Informativ Kombëtar).
Dhe sikur të gjitha këto qëndrime politike të mos mjaftonin, pas një viti qeverisjeje, konflikti Meta- Prifti i vuri kapakun gjithçkaje. Sherrnaja e tyre e shëmtuar dëshmonte se, ndryshe nga shembujt e mësipërm, LSI-ja nuk ishte në koalicion aspak për t’i shërbyer PD-së, por për t’i rrëmbyer asaj dhe gjithë të tjerëve. Dalja e videos, dialogu i neveritshëm mes numrit një dhe dy të kësaj partie, i vinte vulën qëndrimit të LSI-së dhe alibive të saj për arsyet që e kishin bërë të kalonte ylberin.
Pas këtij momenti, një pjesë e madhe e predikuesve të votës morale, të gjithë ata që qëllonin me vezë mbi Ministrinë e Ekonomisë, si dhe të gjithë kundërshtarët e Ilir Metës, parathanë së bashku fundin e tij.
Por, rezultati i 8 Majit, tregoi të kundërtën. Pavarësisht nga fenomeni i njohur i bymimit të partive në zgjedhjet lokale, pavarësisht se, me përjashtim të Lezhës, asnjë nga kandidatët e LSI-së nuk fitoi në qytetet e mëdha, Ilir Meta tregoi se mbetet njeriu i tretë më i fuqishëm në vend. Se partia e tij është ajo që bën diferencën mes palëve (siç e demonstroi fuqishëm në Tiranë) dhe se mbetet guri i artë nga do të peshojë balanca politike edhe më 2013.
Po a ka të bëjë ky fenomen me bjerrjen e një vote morale? A ka kuptim që gjithë piruetat dhe aferat që gërryen LSI-në nuk u dënuan me votë? A duhet folur më për moral, koherencë e ndershmëri në politikë? Të gjitha këto pyetje, bëhen gjithnjë e më aktuale, pas rezultatit bindës të LSI-së në zgjedhjet lokale. Dhe po t’u referohesh atyre, këto vlera nuk ndikokërkan fare te vota dhe zgjedhja e shqiptarëve.
Por, ky konkluzion që mund të nxirret në pamje të parë, nuk është i saktë. Pesimizmi që ai mund të ngjallë dhe që po dëgjohet shpesh këto ditë, në shumë mjedise qytetare, është i shpejtuar. Sepse, pavarësisht se nga ç’mund të mendohet këto ditë, metri moral në gjykimin e politikanëve tanë nuk është zhdukur. Ne kemi disa precedentë historikë për këtë. Pa përmendur votimet e viteve 1992, apo 1997, që ishin raste ekstreme, së paku dy lëvizje të bazuara mbi një moral dhe shpresë të caktuar, kanë dhënë rezultat në Shqipëri. E para ishte një lëvizje brenda familjes politike, por që pati një jehonë jo të vogël edhe në shoqëri. Ajo qe Lëvizja për Katarsis e Fatos Nanos, që si për ironi rrëzoi atëherë vetë Ilir Metën, nga posti i Kryeministrit, në fillim të 2002-shit. E dyta qe Fushata me Duar të Pastra e Berishës, që e solli atë në pushtet në verën e 2005-ës. Pavarësisht nga sinqeriteti i këtyre lëvizjeve politike, dhe pavarësisht se ato u përdorën si një mjet për të arritur një qëllim krejt të ndryshëm, besimi që ato ngjallën dhe mënyra sesi mbartësit e tyre u identifikuan me to dha një rezultat të qartë.
Po atëherë pyetja që shtrohet sot është e thjeshtë: pse këtë herë një votë e tillë nuk funksionoi? Pse zgjedhësit shqiptarë nuk përdorën këtë radhë metrin moral?
Ndoshta edhe përgjigjja është po kaq e kollajshme: sepse këtë herë zgjedhësit nuk patën asnjë alternativë morale. Të vetmit që mund të përfitonin nga një alternativë e tillë ishin socialistët opozitarë. Por, ata, për asnjë çast nuk u munduan të krijonin një simetri të kundërt me profilin e Ilir Metës. Gjithë sa ndodhi me LSI-në, në dy vjet, ata e panë thjesht si një çështje numrash dhe jo si një çështje principi. Ata vetëm u munduan të shkatërrojnë Metën dhe jo të kundërshtojnë filozofinë e piruetave të tij. Më pas ata i vunë kapak këtij procesi, duke e shndërruar gjithçka në parodi, kur pranuan në tryezën e opozitës “gjysmën e së keqes” së LSI-së, Dritan Priftin.
Pak a shumë edhe më 2011, socialistët ranë në të njëjtën grackë si më 2009-n, kur qeverisja vriste në Gërdec dhe ata mbanin si klientë bashkëfajtorët në vrasje.
Pra, pyetja e shtruar aq shumë këto ditë, e ka pikërisht këtu përgjigjen. Në këtë vend nuk ka vdekur gjykimi moral. Historia e afërt e ka treguar atë. Por, kur votuesit nuk e gjejnë këtë kriter në mes të asnjë prej garuesve, ata zgjedhin të gjykojnë me parametra të tjerë. Duke mos pasur pulën ata përtypin ç’të gjejnë. Këtë bënë edhe këtë herë me Ilir Metën, duke e konfirmuar si një nga tre figurat kryesore në këtë arenë të fortësh.