Home Politike Rama: Shqiperia sot, nje milion te papune

Rama: Shqiperia sot, nje milion te papune

710
0

“Papunësia ka arritur në 1 milion persona. Shifër kjo që mjafton për të përmbysur këtë qeveri. Prandaj të ngrihemi në këmbë për të protestuar ndaj Kryeministrit borxhli”. Kështu është shprehur dje nga Librazhdi, kreu i Partisë Socialiste, Edi Rama, në kuadër të turit “Largohu: Shqipëria kërkon transparencë, drejtësi, zhvillim”. Me një apel që natyrshëm perceptohet si kredo elektorale e opozitës, ai ka integruar kështu në debatin e ditës një problem të cilin nuk mundet ta përgënjeshtrojë asnjë shumicë. Me një ndryshim vetëm formal, mesazhi në fjalë është një artikulim pragmatik i Politikës së Re të përshkruar nga parulla “Përtej së Majtës dhe së Djathtës”, e cila gjen vend si e tillë sidomos te kategoria e të papunëve. Ajo që ka rëndësi të lexohet në këtë tur është dimensioni ekonomik i tij, i ndërtuar thuajse tërësisht mbi situatën e vështirë që kalon vendi, duke u përpjekur të projektohet si ngjizëse e pakënaqësisë së qytetarëve. Për t’u nënvizuar është edhe fakti se shifra prej 1 milion të papunësh që theksohet nga kreu socialist përputhet afërsisht me atë të njerëzve që rregullisht nuk e ushtrojnë të drejtën e votës, e cila në pikën kritike ekonomike në vend, do të mund të ishte një gur me shumë peshë në balancën elektorale. Mbi këtë kuptim, turi i Edi Ramës mund të shihet edhe si parafushatë elektorale, si një mesazh dhe orientim për strukturat e PS-së, të cilat po përgatiten për t’u ballafaquar së shpejti me koalicionin e djathtë. Ndërkohë me të njëjtën këmbëngulje, por gjithsesi në plan të dytë, është theksuar edhe vijimi i luftës për transparencën e zgjedhjeve të 28 qershorit. “Është e rëndësishme beteja për lirinë e zgjedhjeve, pasi nuk duhet të ketë qeveri sundimtare. Vendi ynë nuk qeveriset, por sundohet nga korrupsioni. Ekonomia drejtohet nga një grup njerëzish, ndërsa borxhi publik është kthyer në një lak që mbyt të ardhmen”, u shpreh Edi Rama. Kështu kriza ekonomike, si mjet për mobilimin e njerëzve, plotësohet nga ajo për zbardhjen e së vërtetës së zgjedhjeve të fundit parlamentare, në një ndryshim kursi nga ana e PS, po të merret parasysh fakti se deri para pak kohësh, 28 qershori ishte karta e parë e veprimit. Duke lënë Librazhdin, Rama i është drejtuar edhe qytetit të Peqinit, ku ka përcjellë në takimin me strukturat e selisë rozë të njëjtin mesazh politik. Turi i saponisur nga Edi Rama ka ndjekur itinerarin drejt Shqipërisë së Mesme, pasi ka bërë një nisje nga Jugu. Duke iu përmbajtur asaj se çfarë Rama ka thënë në takimet e ditëve të fundit ka gjasë që aktualisht ky dialog me strukturat të krijojë bazën e nisjes së protestave, që së bashku me betejën në Parlament tentojnë të kompletojnë përmasën opozitare të këtij aksioni. Në parantezë, angazhimi i ndërmarrë është paraprirë nga rivendosja e bashkëpunimit të ngushtë me aleatët e tjerë, me të cilët selia rozë ndërtoi një koordinim të ngushtë edhe gjatë periudhës së grevës së urisë.

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here