Pas 48 seancash gjyqësore, Arben Frroku është shpallur i pafajshëm nga Gjykata e Krimeve të Rënda për akuzën e vrasjes së Dritan Lamajt në 2013 në Tiranë.
Për afro 1 orë që gjyqtari Halluni lexoi vendimin e argumentuar të pafajësisë, vetë Arben Frroku e priti i qetë duke mos mbajtur gëzimin në fund.
Për gjykatën prokuroria nuk solli prova bindëse e për këtë arsye, dëshmia e dëshmitarit të mbrojtur Arben Ndoka dhe e bashkëshortes së tij Liza Ndoka u konsideruan të pavlefshme pasi ata nuk kanë qenë të pranishëm në momentin e vrasjes siç pretendonte prokuroria por kanë mbërritur aty 4 min pas vrasjes së Lamajt kur u largua automjeti BMW dhe trupi i Lamajt u dërgua në spital.
Një tjetër provë e prokurorisë e rrëzuar me ekspertin Ndoc Çardaku i cili ka qenë dhe ekspert në procesin e 21 janarit ku gardistët morën pafajësi, ishte dhe ajo e gjetjes së elementëve të qitjes në pallatin e Arben Frrokut.
Gjykata e rrëzoi këtë provë të prokurorisë pasi sipas ekspertit, nuk mund të provohet 100% se nitratet e gjetura janë si rezultat i qitjes pasi provat nga pallto janë marrë në mënyrën e gabuar.
Por nëse deri më tani prokuroria deklaronte se eksperimenti kohor provoi pretendimet e saj, gjykata argumentoi se ky eksperiment rrëzon një provë të akuzës siç ishte dhe ajo e ndërrimit të makinës pas vrasjes nga Frroku, çka solli dhe pafajësinë e biznesmenit të dyshuar për plot 48 seanca gjyqësore.
Pas pafajësisë Arben Frroku pritet ti kërkoj gjykatës dhe dëmshpërblim për burgimin e padrejtë.
Ndërsa në seancë dy prokurorët Eneid Nakuçi dhe Anton Martini përgjatë gjithë kohës qëndruan me kokën ulur, pasi provat e tyre ranë një e nga një duke bërë që vrasja e komisarit të policisë dhe pas 2 vitesh të mbetet ende një krim i pazbardhur.
Në seancën e sotme, Gjykatësi Dritan Halluni nuk ka pranuar kërkesën e Prokurorisë për burgim të përjetshëm, por e ka shpallur atë të pafajshëm.
Në ndryshim nga seancat e mëparshme, gjyqtari Dritan Halluni ka lejuar kamerat duke lexuar të plotë vendimin përfundimtar të gjykatës. Në bazë të këtij vendimi, gjykata ka hedhur poshtë edhe dëshminë e bërë nga dëshmitari i ngjarjes Arben Ndoka.
Sipas gjykatës, nisur nga pamjet filmike, Arben Ndoka ka kaluar në vendin e ngjarjes 4 minuta pas vrasjes dhe trupi i pajetë është marrë nga personat në ngjarje për ta dërguar në spital. Për gjykatën kjo është e mjaftueshme për ta hedhur poshtë deklaratën e dëshmitarit Ndoka.
Në vendimin e saj Gjykata është shprehur se eksperimenti kohor i rrugës Tiranë-Kakavijë është i papërfillshëm për gjykatën në harkun kohor të paraqitur.
Po ashtu prova tjetër që ka të bëjë me përgjimet e transkriptuara për 12 shishe xhin që ka porositur Frroku pas vrasjes, për gjykatën kjo është e pavërtetë pasi janë në fakt 3 shishe. Për gjykatën kjo është një provë e gabuar e Prokurorisë.
17:55 Arben Frroku i lirë, del nga burgu 302 pas 13 muajsh
Arben Frroku ka lënë pasditen e sotme qelinë e burgut 302 pas 13 muajve qëndrim deri në pritjen e vendimit të gjykatës e cila sot vendosi ta shpallë atë të pafajshëm.
Ora 15:15 Avokati: Jemi të kënaqur, do të kërkojmë dëmshpërblim
“Gjatë seancave gjyqësore u provuar se Arben Frroku nuk kishte lidhje dhe në momentin që ndodhi vrasja ai ishte në Selanik. Jemi të kënaqur me këtë vendim dhe nga ana tjetër Prokuroria me argumente që nuk qëndrojnë, që të jetë objektivisht edhe në Tiranë edhe në Selanik nuk mund të kishte kryer vrasjen. I ndjeri ka pasur lidhje edhe me shumë persona të tjerë dhe Prokuroria duhet të kishte hetuar edhe në pista të tjera. Jam shumë i kënaqur për Arben Frrokun dhe për vuajtjet që ka kaluar. Besoj që patjetër do ta orientojmë në këtë drejtim për të kërkuar dëmshpërblim.” –tha avokati i Frrokut.