Tronditet Tirana nga një tjetër shpërthim me eksploziv. Viktima e radhës nga atentatet mafioze, është Baki Xhabafti 40 vjeç, një person me precedent. Ngjarja e rëndë ndodhi rreth orës 17:00 në qendër Vorë, para bashkisë, kur automjeti tip ‘Renault’ me targa AA 154 AZ shpërtheu e për pasojë i mori jetën 40-vjeçarit Xhabafti.
Burime nga policia thanë se sasia prej 500 gramë eksploziv c4 është komanduar në distancë përmes një aparati celular. Viktima Xhabafti, kushëri i parë me Shkëlqim (Çim) Xhabaftin, i njohur si i forti i Selitës (vrarë në 1998), është një person jo i panjohur për policinë, pasi dyshohet për përfshirje në vepra të rënda. Pistat në të cilat po heton prokuroria janë të shumta, që nga një ekzekutim për hasmëri, prishje pazaresh në trafiqe, e deri tek një vrasje për konflikte pronësie.
Shpërthimi
Pa kaluar as 24 orë nga ngjarja e rëndë e ndodhur në rrugën “Budi”, ku dy persona mbetën të gjymtuar rëndë njëri prej të cilëve biznesmen ndërtimi dhe një i tretë po ashtu i plagosur, një tjetër shpërthim me eksploziv u shënua në Vorë, në zonën periferike të kryeqytetit.
Baki Xhabafti 40 vjeç kishte parkuar makinën para Bashkisë së Vorës, pasi aty pranë kishte në pronësi një servis automjetesh dhe shkonte shpesh për të kontrolluar punën. Në orën 17:00 ai është kthyer tek makina dhe sapo e ka ndezur ka ndodhur dhe shpërthimi, ku për pasojë Xhabafti ka humbur jetën. Nga hetimet e para rezulton se lënda eksplozive ishte vendosur poshtë sediljes së shoferit dhe sasia e eksplozivit c4 mendohet të ketë qenë rreth 500 gramë. Dëshmitarët thanë se makina u përfshi e gjitha nga flakët dhe tentativat për ti ardhur në ndihmë 40-vjeçarit kanë rezultuar të pasuksesshme, pasi Xhabafti ka gjetur vdekjen e menjëhershme.
Për fat rruga ku ndodhi shpërthimi nuk ka patur shumë kalimtarë, pasi bilanci në viktima mund të kishte qenë dhe më tragjik. Policia shoqëroi mbrëmë disa persona, të cilët mendohen se kanë dijeni për ngjarjen, por ende nuk ka ndonjë të dyshuar për krimin.
Pistat
Viktima Baki Xhabafti, njihet si pronar i dy bizneseve në Selitë dhe i një servisi automjetesh në Vorë, ku dhe gjeti vdekjen. Por, për të zbardhur ekzekutimin e tij, policia duket se ka hedhur sytë nga e kaluara e tij dhe e familjes Xhabafti. 40-vjeçari për motive hasmërie ka humbur dy kushërinjtë dhe xhaxhain. Gjithashtu ka dyshime të forta se viktima ishte përfshirë në një rrjet trafiku droge dhe dyshohet që atentati ndaj tij mund të ketë lidhje me ndonjë pazar të prishur në këtë ‘biznes’.
“Jemi duke hetuar në shumë pista njëherësh, jo vetëm për shkak të së kaluarës problematike të familjes, por edhe për shkak të aktiviteteve kriminale ku ishte përfshirë viktima”, tha një burim për “GSH”. Ekspertë të krimeve të rënda janë duke mbledhur prova për të hedhur dritë mbi atentatin mafioz që i mori jetën Baki Xhabaftit. Atentate të tilla janë kthyer në një fenomen të rrezikshëm në vend dhe po shkaktojnë çdo ditë viktima, që nga njerëz të thjeshtë, deri tek emra të njohur të botës së biznesit.
Historia e sherreve, si u vra Çim Xhabafti pas vjedhjes së një makine
Familja e Xhabaftit ka një histori të gjatë përplasjesh me banda dhe eksponentë të rrezikshëm të botës së krimit që kanë vepruar ndër vite në zonën e Selitës dhe Yzberishtit. 40-vjeçari rezulton të jetë djali i xhaxhait të Shkëlqim Xhabaftit, i cilësuar si i ‘forti’ i Selitës. Shkëlqim (Çim) Xhabafti u ekzekutua në fillim të 1998 nga rivalët e tij të bandës së Yzberishtit. Bëhet fjalë për dy vëllezërit Ilir dhe Nazmi Avdillari.
Sipas policisë në atë kohë, vëllezërit Avdillari dyshohet se kishin grabitur makinën e një biznesmeni grek, i cili i kishte kërkuar ndihmë kapos së Bandës së Selitës, Çim Xhabafti për t’ia rikthyer makinën. I bindur se autorët e vjedhjes ishin anëtarët e bandës rivale të tij, Shkëlqim Xhabafti, shkoi të bisedonte me vëllezërit Avdillari, duke u kërkuar që ti rikthenin makinën biznesmenit.
Në bisedë e sipër gjakrat janë nxehur dhe pikërisht në këto rrethana është qëlluar për vdekje me armë Çim Xhabafti. Fatkeqësitë për familjen Xhabafti nuk përfunduan. Në vitet më vonë, u ekzekutua vëllai i “të fortit” të Selitës, babai dhe xhaxhai i tij. Konfliktet e kësaj familje u bënë shumë të forta me një tjetër familje në Selitë atë Ymeri. Nga familja Ymeri rezultojnë të jenë vrarë 5 persona dhe gjithmonë u drejtua gishti i dyshimeve mbi pjesëtarët e fisit Xhabafti. Hasmëritë mes këtyre dy familjeve ende nuk janë shuar.