HYRJE Andi Bushati A fle Rama në shtrat me krimin?

A fle Rama në shtrat me krimin?

0
124

andi-bushati1Pamundësia për ta mposhtur kriminalitetin në nivele të larta po e diskretiton me shpejtësi imazhin e kësaj qeverisjeje. Tani kundërshtarët më të egër të saj janë të bindur se ajo është drejtëpërdrejtë e lidhur me botën e errët të krimit, ndërsa ata më dashmirësit mendojnë se ajo është e pafuqishme të luftojë ndaj tij. Por të gjithë njerëzit e arsyeshëm bien dakord tek dështimi në këtë pikë. Të gjithë e shohin se sapo projektorët hedhin dritë mbi një rast të ri, policia e shtetit del gjithnjë zbuluar.

Këtë ka treguar edhe dokumenti i fundit sekret i zbuluar këtë fillimjave nga televizioni ABCNew-s. Ky skandal i ri, ka treguar edhe njëherë një varg pamundësish që vijnë nga një polici krejtësisht e politizuar dhe e tredhur nga krimi. Ajo nuk kapi dot një të dyshuar për trafik droge vetëm se ai fshihej (sipas dokumentit sekret) në makinën e blinduar të deputetit Mark Frroku. Po pyetjet që ngrihen në këtë rast janë disa. A nuk e trajtonte dot policia këtë rast si një rast flagrance dhe ta shoqëronte makinën me të dyshuarin brenda deri në komisariat? Po ta zëmë se nuk e lejonte ligji ta bënte këtë, a nuk e ndiqte dot nga pas makinën e deputetit, deri sa i dyshuari të dilte prej saj dhe pastaj të kapej? Po më tej, edhe nëse nuk e kapi dot mbrëmjen e fillimtetorit, a nuk e bënte dot këtë çështje të madhe që të nesërmen, duke nisur hetime, duke e bërë publike dhe duke kërkuar madje edhe imunitetin e këtij deputeti që e paskësh penguar në punën e saj?
Asgjë nga këto nuk ndodhi. I kërkuari iku në drejtim të paditur (një shprehje që i pëlqen kryeministrit Rama) dhe çështja u varros. Duket se në këtë rast, ka vepruar një logjikë: I dyshuari u mbroka nga një deputet, më mirë ta mbyllim këtë çështje sesa të hapim një aferë që do të shpinte ujë në mullirin e kundërshtarëve tanë politikë.

Pikërisht me këtë llogjikë është vepruar edhe në një rast tjetër, në atë të denoncimit të deputetit Doshi për atentatin e prezumuar ndaj tij dhe një kolegu tjetër. Ministri i Brendshëm, me urdhër nga kryeministri, takohej me “vrasësin me pagesë” herë në rezidenca qeveritare e herë në zyra shteti dhe nuk fillonte çështjen penale ndaj Durim Bamit. Deri sa socialistët ishin mirë me shokun dhe kontributorin Tomë kjo histori tentohej të zgjidhej në rrugë personale. Për drejtuesin politik të policisë, më të rëndësishme se ligjet e shtetit ishte besa që deputeti i Shkodrës i kish dhënë vrasësit me pagesë.
Dhe vetëm kur shoku i mirëTomë u shndërrua në armikun e partisë Doshi, Durim Bami u arrestua, me të njëjtat elemente për të cilat ishte mbajtur gjashtë muaj i lirë. Edhe këtu logjika politike e drejtimit të policisë përpara logjikës së ligjit duket sheshit. Më e rëndësishme se lufta ndaj krimit është ruajtja e imazhit të rremë të partisë.

Edhe në një skandal tjetër disi më të largët përsëri ka mbizotëruar e njëjta logjikë. U desh që Kostandin Xhuvani, djali i ish deputetes socialiste të vriste katër vetë që të merreshin vesh bëmat e tij, që policia i kish mbajtur të fshehta. Duhej të ndodhte kjo fatekqësi që të kuptohej se policia e dinte mirë, por e kishte fshehur kundërshtimin që ai i kish bërë me armë aksionit në Lazarat, madje kishte toleruar edhe vajtjen e tij përpara parlamentit për të takuar mamanë. U desh të ndodhte kjo tragjedi që të mësohej se policia kish arkivuar edhe një rast të kanosjes dhe shkrepjes së armës që ai kishte bërë në Gjirokastër (histori që u mbyll më pas me raporte fallco nga spitali psikiatrik i Elbasanit).

Mjaftojnë këto raste flagrante për të na treguar se ne kemi mbi krye një mekanizëm që mundohet ta fshehë krimin dhe jo ta luftojë atë. Kur policia nuk ka mundësi të kapë një trafikant droge, kur ajo lë të lirë një të dyshuar si vrasës me pagesë, kur ajo i mbulon gjurmët një killeri që më pas vret katër qytetarë, kjo do të thotë se krimi është sheshit dhe të gjithë jemi të rrezikuar. Efektet e një policie të ringritur politikisht, të shikuar si mjet propagande dhe të paaftë të godasë peshqit e mëdhenj të lidhur me politikën, po ngjallin një ndjenjë paniku tek njerëzit. Tani të gjithë e dinë se janë të pambrojtur. E vetmja gjë që mund ta ndajë ende opinionin është dilema: nëse kemi një qeverisje të lidhur me krimin apo thjeshtë të pazonjën për ta luftuar atë.

Pikërisht kësaj pyetje duhet t’i përgjigjet me shembuj dhe jo me fjalë kryeministri Rama. Ai nuk mund të heshtë prej ditësh për këtë emergjencë kombëtare e të vazhdojë të bredhë lokalitet më lokalitet, duke bërë gallatë me njerëzit e mjerë që u lë në dorë fletushkat e legalizimit. Ai sot ka rastin të tregojë se nuk fle në një shtrat me krimin. Ai sot ka rastin të marrë fjalën dhe të pohojë realitetin e dhimbshëm se ka dështuar në këtë pjesë të parë të mandatit të tij. Por vetëm kështu, duke pranuar këtë dështim dhe duke shpallur një politikë të re, ai mund të na bindë se nuk është vetë peng i së keqes.
Ditët e fundit kanë krijuar një kontekst të ri. Diplomatët e huaj po flasin gjithnjë e më shumë për kriminelët me imunitet. Shtypi ka marrë pak më tepër zemër dhe ka filluar t’i përmendë me emër të fortët. Institucionet ndërkombëtare i kanë rritur pritshmëritë. Pikërisht ky është rasti që qeveria të tregojë se ka vullnet për ta luftuar krimin. Duke pranuar dështimin, duke ulur kokën dhe duke premtuar se do të veprojë ndryshe. Me sa duket kjo është pika kritike e këtij mandati, ku socialistët ose do të ndahen me krimin ose do të shpallen përfundimisht aleatë të tij.
“lapsi.al”

Përgjigju

Please enter your comment!
Please enter your name here