KROACI- Shqipëria ngjitet në podiumin e medaljeve në evropianin e boksit për 18-vjeçare të zhvilluar në Zagreb të Kroacisë. Në peshën 81 kg, medalja e Bronzit ka shkuar për boksierin e kombëtares tonë, Jurgen Uldedaj, i cili serish ka përmbushur pritshmëritë për një vend nderi në këtë kompeticion nën drejtimin e trajnerëve Zef Gjoni, Gëzim Zeneli e Jozef Sermi.
Arritja e medaljes është mjaft e rëndësishme, sidomos kur behet fjalë për aktivitete ndërkombëtare siç eshte europiani, por për boksierin e talentuar kjo nuk mjafton.
Në gjysmëfinale Uldedaj ka humbur me 1 pikë diferencë 28 me 29 ndaj përfaqësuesit të Norvegjisë, çka i mohoi atij medaljen e Argjendit, ndërsa ka ndikuar edhe një dëmtim i lehtë që Uldedaj kishte patur në ndeshjen kualifikuese ndaj boksierit polak.
Në gjysmëfinale kombëtarja e boksit të Shqipërisë është prezantuar vetëm nëpërmjet 17-vjeçarit, Jurgen Uldedaj, i cili ka marrë vlerësime maksimale nga specialistët e këtij sporti.
Në Zagreb pati një përkrahje maksimale nga komuniteti shqiptar të cilët ishin në një numër afër 750 vetë për ta përkrahur Uldedaj. Me këtë u tregua një bashkim i komunitetit tonë në përkrahje të sportit tonë. Kontribut të madh dhanë edhe ish-boksieri i Prishtinës, Izet Igrishta, Vedat Zogijani, Lili Koci, etj.
Paraqitjet e boksierit Jurgen Uldedaj në kompeticionet ndërkombëtare kanë qenë të jashtëzakonshme duke vijuar të jetë i pranishëm në podiumet e medaljeve.