Home Aktualitet Vettingu, ja emrat qe kane ne dore drejtesine

Vettingu, ja emrat qe kane ne dore drejtesine

690
0

Pas presionit sa publik aq edhe të nëndheshëm të Shteteve të Bashkuara të Amerikës dhe Bashkimit Evropian, komisioni i posaçëm parlamentar është mbledhur dje, ndërsa ka miratuar kandidatët për anëtarë të Kolegjit të Apelimit, organit më të rëndësishëm të Vetingut, i cili do të thotë fjalën e fundit për çdo prokuror dhe gjyqtar.

Në bazë të procedurave të parashikuara në ligjin e Vetingut, anëtarët e komisionit ad hoc; Ulsi Manja, Vasilika Hysi, Vangjel Tavo, Flamur Noka, Eduard Halimi dhe Albana Vokshi, zgjodhën me votim të fshehtë anëtarët e Kolegjit të Apelimit.

I gjithë procesi i votimit u ndoq ‘live’ nga ambasadorët Donald Lu e Romana Vlahutin si dhe nga përfaqësuesit e EURALIUS dhe OPDAT, të cilët e fiksuan momentin e përzgjedhjes së anëtarëve edhe me kamerat e tyre. Gjashtë deputetët e kryesuar nga Vasilika Hysi votuan në mënyrë të fshehtë dhe elektronike të përzgjedhurit e tyre për në Kolegj. Ata u ndanë në dhoma individuale për efekt konfidencialiteti.

Treshja e fortë
Ish-kryeprokurorja Ina Rama, anëtari i KLD Sokol Çomo dhe ish-anëtarja e KQZ Albana Shtylla, përbëjnë treshen e fortë, e përzgjedhur për të spastruar drejtësinë nga gjyqtarët dhe prokurorët e korruptuar. Tre kandidatët, të kontestuar fort nga opozita, janë përzgjedhur dje për t’u bërë pjesë e Kolegjit të Apelimit, organit më të rëndësishëm të Vetingut, i cili do të gjykojë ankesat e gjyqtarëve dhe prokurorëve, të cilët do të ndëshkohen nga komisionet e Vetingut, pra nga shkalla e parë. Pjesë e Kolegjit të Apelimit janë përzgjedhur edhe Ardjan Hajdari, Natasha Mulaj, Luan Daçi dhe Rezarta Schutz. Kjo e fundit rezultoi fituese pas shortit me gogla. Rezarta Schutz ishte e vetmja kandidate që kapërceu me vota deputetësh nga lista B, e aplikantëve që nuk përmbushnin kriteret, tek lista A, pra e atyre që mund të mund të votoheshin. Ndërkaq, Mimoza Tasi dhe Etleva Paplekaj janë dy anëtaret zëvendësuese të këtij kolegji. Ndërkaq, nëntë kandidatët e miratuar, do të kenë edhe një sfidë, për t’u bërë zyrtarisht pjesë e Kolegjit të Apelimit. Ata duhet të votohen nga Parlamenti me shumicë të cilësuar.

Bllokimi
Ngritja e organeve të Vetingut ishte pezulluar për shkak të mungesës së Jorida Tabakut, deputetes së PD-së, e cila u bë nënë vetëm pak ditë më parë. Ky bllokim shqetësoi Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe Bashkimin Evropian, shqetësim i cili u shpreh me anë të dy deklaratave. Pas reagimit të Perëndimit, tre partitë kryesore kanë zhbllokuar procesin, ku zonja Tabaku u vendos që të zëvendësohet me Helidon Bushatin. Ndërkaq, edhe dita e sotme do të jetë intensive për sa i përket Vetingut pasi do të përzgjidhen 12 anëtarët e komisionit të Vetingut ose thënë ndryshe gjykatës së shkallës së parë në këtë proces. Me të njëjtën procedurë të fshehtë votimi do të përzgjidhen 2 komisionerët publik ekuivalentë me prokurorë. Do votohen gjithashtu dhe 4 zëvendësuesit e tyre.

Emrat e shtatë anëtarëve të Kolegjit të Apelimit
Ardjan Hajdari
Natasha Mulaj
Sokol Çomo
Ina Rama
Luan Daçi
Albana Shtylla
Rezarta Schutz (fituese pas shortit me gogla)

Dy anëtarët zëvendësues
Mimoza Tasi
Etleva Paplekaj

17 kushtet e largimit të gjyqtarit apo prokurorit nga drejtësia 
1.Kur rezulton se ka deklaruar më shumë se dyfishi i pasurisë së ligjshme gjatë vlerësimit të pasurisë, përfshirë edhe personat e lidhur me të.
2.Ka mungesë të burimeve financiare të ligjshme për të justifikuar pasuritë/
3.Është kryer fshehje e pasurisë.
4.Është kryer deklarim i rremë.
5.Subjekti gjendet në situatën e konfliktit të interesit.
6.Kur rezulton me probleme serioze gjatë kontrollit të figurës, sepse ka kontakte të papërshtatshme me personat e përfshirë në krimin e organizuar që bën të pamundur vazhdimin e detyrës.
7.Subjekti i rivlerësimit është fotografuar, ose kur një dëshmitar përshkruan një takim me një person të përfshirë në krimin e organizuar.
8.Subjekti i rivlerësimit ose personi i lidhur me të ka pasur një komunikim jorastësor me një person të përfshirë në krimin e organizuar.
9.Subjekti i rivlerësimit ose një person i lidhur me të ka shkëmbyer para, favore, dhurata ose pasuri me një person të përfshirë në krimin e organizuar.
10.Subjekti i rivlerësimit ka lidhje të ngushta me një person të përfshirë në krimin e organizuar.
11.Subjekti i rivlerësimit merr pjesë ose është i pranishëm në takime me një ose më shumë persona të përfshirë në krimin e organizuar.
12.Subjekti i rivlerësimit nuk rendit në listë një kontakt që është konstatuar nga prova të Besueshme.
13.Subjekti i rivlerësimit nuk rendit në listë një kontakt, i cili përforcohet ose konsiderohet i besueshëm nga informacione të shërbimeve të fshehta dhe të besueshme.
14.Kur rezulton si i papërshtatshëm nga vlerësimi i aftësive profesionale.
15.Kur subjekti i rivlerësimit ka treguar cilësi të papranueshme në punë.
16.Kur subjekti i rivlerësimit ka treguar gjykim të dobët, nuk ka respektuar normalisht të drejtat e palëve ose viktimave.
17.Kur subjekti i rivlerësimit nuk është efektiv, në atë shkallë sa programi i trajnimit pranë Shkollës së Magjistraturës nuk mund ta zgjidhë këtë çështje për një vit.

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here