Home Politike Vatikan, Presidenti Topi takon Papa Benediktin e XVI

Vatikan, Presidenti Topi takon Papa Benediktin e XVI

614
0

Kreu i shtetit Bamir Topi së bashku me Zonjën e Parë Teuta Topi pas ceremonisë madhështore të Lumturimit të Papës Gjon Pali II u pritën në Bazilikën e Shën Pjetrit, në Vatikan, nga Ati i Shenjtë, Papa Benedikti XVI.

Gjatë takimit Presidenti Topi falenderoi Papën Benedikti XVI për këtë nderim të veçantë, dhe njëkohësisht shprehu kënaqësinë e vlerësimin e madh për ceremoninë e shenjtë e solemne të Lumturimit të Papës Gjon Pali II. Duke risjellë në vëmendje e me krenari dashamirësinë dhe miqësinë që pati demonstruar Papa Gjon Pali II për shqiptarët, e veçanërisht për Nënë Terezën, të cilën e pati cilësuar si “përfaqësuesen më të mirë të popullit shqiptar dhe të Kishës Katolike në dimensione botërore”, Presidenti Topi shprehu gjithashtu mirënjohjen e thellë për mbështetjen e përkrahjen e madhe që Selia e Shenjtë i ka dhënë në mënyrë të vazhdueshme konsolidimit të demokracisë, por dhe bashkëjetesës fetare në Shqipëri.

Nga ana e tij, Papa Bendikti XVI, pasi i shprehu mirënjohjen Kreut të Shtetit shqiptar dhe Zonjës së Parë, Teuta Topi për praninë në ceremoninë e Lumturimit të Papës Gjon Pali II, theksoi se Selia e Shenjtë do të vazhdojë të mbështesë plotësisht Shqipërinë në aspiratën e saj integruese për në Bashkimin Evropian. Ati i Shenjtë vlerësoi lart gjithashtu edhe bashkëjetesën e harmoninë ndër-fetare që ka karakterizuar popullin shqiptar gjatë gjithë historisë së tij shekullore.

Në prani të mjaft personaliteteve të larta shtetërore italiane, krerëve të shteteve e qindra besimtarëve, Presidenti Topi dhe Zonja e Parë, ndoqën nga afër të gjitha ritualet fetare të meshës solemne të Lumturimit të Papës Gjon Pali II, të organizuar nga Selia e Shenjtë e të kryesuar nga Ati i Shenjtë, Papa Benedikti XVI, e cila u përcoll me emocion për rreth dy orë jo vetëm nga të pranishmit, por edhe anembanë botës. Në përfundim pjesëmarrësit e shumtë, nën autoritetin apostolik të Papës, festuan hapin e parë të hedhur drejt shenjtërimit të plotë të Papës Gjon Pali II.

 

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here