Home Aktualitet Trafiku i veprave, Gjergji Thimo: I kam me dokumenta

Trafiku i veprave, Gjergji Thimo: I kam me dokumenta

612
0

Gjergji ThimoKoleksionisti i njohur, Gjergji Thimo, është marrë në pyetje dje për mëse dy orë në ambientet e paraburgimit në Policinë e Tiranës, në lidhje me objektet e artit që janë gjetur në tri banesat e tij. Një përfaqësues i Prokurorisë ka administruar dëshminë e 43-vjeçarit, i cili në asnjë moment nuk ka pranuar “vjedhjen” dhe as “trafikimin” e objekteve që bëjnë pjesë në “thesarin” e zbuluar nga policia. Ndërkaq, në një reagim në rrjetin social “Facebook”, vajza e koleksionistit Gjergj Thimo, Evangjelina Thimo, ka hedhur poshtë përfshirjen e të atit në vjedhje apo trafik veprash arti, akuza për të cilat është arrestuar. Ajo e quan përdhosje të emrit të tij duke e quajtur trafikant, në një kohë që ai vetëm sa është kujdesur për t’i mirëmbajtur këto vepra arti për vite me radhë. Evangjelina Thimo, e cila e quan babanë e saj një engjëll mbrojtjes të ikonave, shprehet se gjithçka ka qenë transparente, madje Gjergj Thimo nuk ka fshehur asgjë, por ka kërkuar ngritjen e një muzeu për mbrojtjen e veprave.

“Dua të them vetëm që qëllimi i babait tim, Gjergj Thimos, nuk ka qenë trafikimi i ikonave, përkundrazi, ai është munduar t’i mbrojë këto vepra për shumë vite me radhë”, është shprehur e bija në Facebook. Më pas thekson se asgjë nuk është bërë fshehurazi, madje i ati është shfaqur në shumë intervista duke shprehur vlerësimin e tij për veprat e artit dhe dëshirën e madhe për t’i mbrojtur e mirëmbajtur. “Duhet theksuar që ai ka qenë transparent hap pas hapi dhe asgjë s’ka qenë e fshehur nga ana e tij. Ekzistojnë shumë intervista dhe emisione ku ka qenë pjesëmarrës, dhe e vetmja gjë që ka kërkuar ka qenë ngritja e një muzeu, pikërisht për mbrojtjen e këtyre objekteve”, deklaron e Evangjelina Thimo. Më pas ajo shton: “Si mund të akuzohet dhe të përdhoset emri i babit tim duke e quajtur trafikant, kur më përpara është quajtur nga mediat, ‘Gjergji Thimo, engjëlli mbrojtës i ikonave’?”.

KOLEKSIONISTI NË QELI
Gjergji Thimo ka qenë i prerë në dëshminë e dhënë dje për hetuesit e prokurorisë. “Në rreth 20 vjet kam çelur mbi 15 ekspozita ku kam ftuar ministra e zyrtarë nga më të ndryshmit. Veprimtaria ime s`ka qenë e fshehtë, por publike”, mësohet të ketë thënë 43-vjeçari në dëshminë e tij në paraburgimin e Drejtorisë së Policisë së Tiranës. Ai ka pohuar se disponon dokumentet përkatëse për të gjitha objektet që i janë bllokuar nga Policia e Shtetit.

“Nuk kam vjedhur dhe as kam trafikuar në asnjë rast. Të gjitha janë me dokumentet e tyre dhe madje, një pjesë, mbi 230, janë të regjistruara e të legalizuara, një pjesë tjetër pritet të regjistrohen, pasi kam bërë kërkesë dhe kanë dyshuar. Kanë kërkuar më tepër kohë të bëjnë verifikimet e tyre”, mësohet të ketë pohuar koleksionisti i vënë në pranga tri ditë më parë. Ai ka thënë se për çdo objekt që ka qenë në zotërim të tij ka dokumente shoqëruese. Koleksionisti ka thënë se i ka mbledhur me kujdes objektet në fjalë, i ka ruajtur e restauruar për t’i nxjerrë në pah në një ekspozitë ose muze që pritej të hapej. “Në institucione, deri në Kryeministri, keni kërkesa të miat në këto vite, ku kam apeluar për një muze a një ekspozitë ku të vendosen e t’i tregohen publikut objektet që zotëroja”, mësohet të ketë thënë koleksionisti.

HETIMI
Burimet nga Prokuroria e Tiranës thanë dje se i kanë dërguar një kërkesë zyrtare Qendrës së Regjistrimit të Veprave të Artit për t’u njohur me listën e objekteve që janë legalizuar në emër të koleksionistit Gjergji Thimo. Po kështu, organi i akuzës tha se do të hetojë burimin financiar të objekteve. “Sendet e sekuestruara kanë një vlerë të konsiderueshme dhe nëse janë blerë, kanë kushtuar. Do të hetohen burimet financiare me të cilat janë blerë, nëse një pretendim i tillë qëndron”, thanë burimet e Akuzës.

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here