Pasi mbyllën preokupimet e tyre në televizion, tre djemtë e grupit “Produkt 28”, Fabiani, Turi dhe Albani, i kanë hyrë punës për albumin e ri. Sipas Fabianit, ky album do të jetë një “kapërcim i madh” në muzikën e tyre. Materialet do të jenë të gjitha të selektuara, të mirëmenduara e të padëgjuara më parë dhe publiku do gjejë veten.
Çfarë do të jetë kjo muzikë që s’e kemi dëgjuar askund, do të jetë një kat tjetër më lart në muzikën tuaj?
Po do të jetë një kat më lart, siç titullohet një nga këngët tona “hit”. Është një stil muzike që s’është realizuar më parë, sepse secili artist ka unin e tij dhe ne do shfaqim veçanti. Muzika është ajo që reflekton unin tonë, ndjesitë më të thella duke kaluar dhe në komercializëm, por prapë e sjellë me finesë. Do jetë një album, ku gjithsecili do të gjejë vetveten. Po punojmë për albumin tonë të pjekurisë dhe data e lançimit do të jetë data e lindjes sonë, 28 nëntor. I premtoj publikut që nëse nuk bëhet ashtu si duhet nuk do dalë fare.(qesh)
Këngët tuaja janë ironike e sarkastike sa madje dhe dashurisë duket se i këndoni me tallje. Pak e çuditshme, duke pasur parasysh që ju të tre keni krijuar në jetë lidhje të gjatë e serioze…
Bëjmë ironi sepse ashtu është vetë jeta. Megjithëse muzika për ne është pikë shkarkimi. E rëndësishme është të trajtohet një tematikë e caktuar dhe forma më e mirë e trajtimit është me komedi. Është një eksperimentim në muzikë, që ne bëjmë dhe që të tjerët nuk e kanë shfrytëzuar, ndaj mendojmë të bëhemi pionerët e saj.
Keni ndonjë grup të huaj si pikë referimi?
Ne të tre i urrejmë pikat e referimit, pasi muzika është personale ku ne shprehim atë që s’e shprehim dot në jetën e përditshme.
Në skenë duket sikur e bëni me rotacion, dominoni me radhë në perfomancat tuaja. Kush nga ju është koka e grupit?
Të tre jemi krijues dhe ky është sekreti i unitetit. Ne jemi së pari tre shokë që bëjmë muzikë. Jemi secili kokë më vete. Turi bën tekstet, ndërsa unë e Albani bëjmë muzikë dhe orkestrim. Padyshim që na kanë ndihmuar Shpëtim Saraçi dhe Dr. Flori.