Prokuroria e Përgjithshme kërkon dëshminë e deputetit dhe ish-ministrit të Mbrojtjes, Arben Imami, në lidhje me “trafikun e drogës me mjetet dhe nga bazat e ushtrisë”.
Ftesa ndaj deputetit për dhënien e deklarimeve dhe paraqitjen e provave në lidhje me këtë çështje, mësohet se është dërguar në rrugë zyrtare në Kuvendin e Shqipërisë. Burimet kanë pohuar dje se në letrën e mbërritur në Kuvend, e cila i adresohet deputetit Imami, shpjegohet edhe arsyeja e ftesës për dhënien e deklarimeve dhe provave në lidhje me çështjen.
“Në kuadër të procesit verifikues, Prokuroria e Përgjithshme është duke kërkuar zyrtarisht të dhëna nga subjektet që mund të kenë dijeni lidhur me një veprimtari të paligjshme, të përmendur nga deputeti Imami në seancën plenare të javës së kaluar”, kanë thënë burimet. Sipas tyre, krahas të dhënave që kërkohen nga institucionet e specializuara, prokurori i Përgjithshëm, nëpërmjet një shkrese drejtuar deputetit Arben Imami, të premten në datën 18 prill 2014, e cila është dorëzuar në adresën e Kuvendit të Shqipërisë, ka kërkuar që, nëse ai disponon fakte konkrete në mbështetje të deklarimeve të tij, t’i njoftojë pranë Prokurorisë së Përgjithshme.
Shkresa konfirmohet të jetë depozituar në Kuvendin e Shqipërisë dhe pritet që t’i njoftohet deputetit Arben Imami, njëherësh ish-ministër i Mbrojtjes. Pas fillimit të verifikimeve, nëse ka elemente të veprës penale në këtë çështje, mësohet se Prokuroria ka kërkuar informacione edhe nga Drejtoria e Përgjithshme e Policisë, Shërbimi Informativ Shtetëror, Shërbimi Informativ Ushtarak dhe Ministria e Mbrojtjes.