Rreth një javë më parë televizioni “Top Channel” ka ngritur një padi në Gjykatën e Shkallës së Parë kundër Saimir Kodrës, i cili prej pak kohësh u largua nga ky televizion. Top-i e ka paditur Saimirin për shkaktim dëmi, dhe kërkon prej tij të paguajë një gjobë prej 16 milionë lekësh. Veç kësaj në aktpadinë e dërguar në gjykatë Saimirit i kërkohet edhe “ndalimi i konkurrencës” që do të thotë të mbyllë emisionin që ai sapo ka nisur në “Agon Channel”, një emision investigativ që për hir të së vërtetës ngjan pak me “Fiks Fare”. Sipas “Top Channel”, Saimiri me largimin e tij nuk ka përmbushur detyrimet që rrjedhin nga kontrata e tij me këtë televizion.
HISTORIA
Saimir Kodra, i cili prej dhjetë vitesh ka prezantuar emisionin “Fiks Fare”, u largua nga ky televizion pasi firmosi një kontratë me një pagesë katër herë më të lartë, pranë “Agon Channel”. Disa ditë më parë ai u shfaq në ekranin e “Agon” me një emision të ri. Emisioni quhet “Ça Thu”, dhe është një emision investigativ e argëtues i bazuar në aktualitet, mbi gjithçka që ndodh në realitetin shqiptar i parë nga sytë e Saimirit dhe të kolegut të tij Gentian Zenelaj, i cili po ashtu u largua nga ekrani i “Vizion Plus” duke “braktisur” spektaklin e suksesshëm të humorit “Apartamenti 2XL”.