Vendimet në favor të pronarëve nga Gjykata e Strasburgut vazhdojnë t’i kushtojnë shtrenjtë shtetit shqiptar. Vetëm për një vendim nga kjo gjykatë, Këshilli i Ministrave është detyruar të paguajë dje 1.49 milionë euro. “Këshilli i Ministrave vendosi ekzekutimin e vendimit të Gjykatës Evropiane për të Drejtat e Njeriut, datë 10.3.2015, për çështjen “Siliqi dhe të tjerë kundër Shqipërisë” (aplikimet nr.37295/05 dhe nr.42228/05), në shumën 1 498 400 euro, plus çdo taksë që mund të jetë e aplikueshme.
Vlera e përcaktuar si detyrim në pikën 1, të këtij vendimi, të konvertohet në lekë, në bazë të kursit të këmbimit të bankës ku është depozituar shuma, në datën e kryerjes së pagesës”, theksohet në vendimin e miratuar gjatë mbledhjes së djeshme të qeverisë. Pagimi i shumës së depozituar, sipas këtij vendimi, në favor të aplikantëve, Drita Siliqi (Shundi), Mariana Shundi, Andrea Shundi dhe Gjenovefa Mihali (Shundi), do të bëhet nga Ministria e Financave pas paraqitjes së dokumentacionit ligjor të nevojshëm për kryerjen e pagesave nga buxheti i shtetit, brenda afatit 3-mujor nga dita kur vendimi i gjykatës është bërë përfundimtar.
“Në rast mospagimi brenda afatit tremujor të përmendur në pikën 4, të këtij vendimi, mbi shumat e sipërpërmendura paguhen interesa të thjeshtë, të barabartë me kursin marzhinal të huasë së Bankës Qendrore Evropiane, gjatë periudhës së mospagimit, plus tre për qind”, thekson vendimi i Qeverisë.
Ndërkohë që duket se kjo nuk do të jetë pagesa e fundit në favor të pronarëve, duke qenë se po dje Këshilli i Ministrave ka aprovuar edhe shlyerjen e detyrimeve për tetë subjekte të tjerë që kanë fituar çështjet në Strasburg, shumat e të cilëve do të bëhen publike në vijim. “Këshilli i Ministrave vendosi ekzekutimin e vendimit të Gjykatës Evropiane për të Drejtat e Njeriut, për çështjen “Lako kundër Shqipërisë” dhe 7 aplikime të tjera”, theksohet në dokumentin qeveritar.